Xheladin A. Çitaku


SKICUAR VETEN

*
Jam sikur të tjerët, askujt nuk i ngjaj,
ata që më njohin, mbase, e kanë parë,
jetoj e rropatem, ndjej, qeshi dhe qaj,
me ritmin e kohës nuk vihem në garë.

*
Askujt nuk i ngjaj, si të tjerët jam,
dhe bredh nëpër tokë shtigjeve të mia,
shoh e dëgjoj botën dhe ambicie kam,
më lëndohet shpresa e m`kaplon mërzia.

*
Halle e zhgënjime, gëzim e dashuri,
si gjithë njerëzit tjerë unë i përjetoj,
brenda shpirtit tim, zhytem në thellësi,
edhe me sy hapur, nganjëherë, ëndërroj.

*
Asnjëri nga ne s`i arrijmë lartësitë,
se krekosjen tonë, kot që e shalojmë,
emrin do na japin virtytet a prapësitë,
me njollë a pa të, doemos, do rrojmë.

*
Vëri gishtin kokës, njëherë, o njeri,
vështro gjithandej sa të vegjël jemi,
veç fytyrë e ndritur të veshë në madhështi,
dhe dlirësi e shpirtit, atëherë kur e kemi.

Xhela.

About Post Author