Yjet bien si ëndrra…Eralda Cuko


Mbi fushën e ëndrrave yjet bien lehtë,

ku hapat e vegimeve porsi lule rriten …

Nje melodi e heshtur së brendshmi më flet,

fjeturat kujtime vijnë e më aviten…

Beteja ëndërrimtare në valixhe shndërrohet,

që mbushet përplot me të ëmblat kujtime…

Porsi vala e bregut në mbrëmje më afrohet,

më shoqëron kaq këndshëm gjer në agime…

Koha aty ndalet kur Hënën qetë kundroj,

pastaj aty shfaqet drita e më të bukurit yll..

Me ëndrrën përqafuar nis të udhëtoj,

si Borëbardha në dritën e të errëtit pyll…