Ylli i zemrës-Eralda Cuko


Eralda Cuko

Në buzëmbrëmje teksa qiellin kundroj,

më shfaqet më i bukuri yll që ndrin

në largësi por kaq afër në kafazin e

mendjes sime duke më sjellë paqe dhe

një dashuri të patundur.

Në qiellin e zemrës sime ai yll ndrit

si një mrekulli që jeton strukur në hijet

e errëta e të padukshme .

Ai nuk zhduket as për një çast,as për

një natë, dhe më shoqëron me dritën e tij

duke më shpënë në detin e dashurisë.

Në çastet e trishtimit ai më ngroh dhe

në çastet e gezimit më bën shoqëri

me pëshpërimën flakëpërndritëse.

Ah,sa magjishëm ndrin ai yll në atë qiell

të pafund si shenjë e bukurisë së thellë ,

si një simbol që kurrë nuk shuhet.

Ai është ylli i qiellit të zemrës sime dhe

unë ndiej ngrohtësinë e vezullimit të tij

teksa del dhe më kundron me sytë e mallit.

Ai del dhe më rrethon çdo qelizë të trupit

me vështrimin e tij dhe plotëson dëshirat që

më flenë diku në harresë.

Kur ai vezullon, duket kaq bukur sikur

një shpirt që shkëlqen në errësirën e zjarrtë

të pasionit misterioz.

Me të nis të ec përpara pa frikë a dyshim

sepse e di që ai është i vetmi motiv

shpresëdhënës i jetës sime .

Në timen zemër ai është ylli im i veçantë

që përjetësisht do të ndriçojë udhën time…