Zamira Agalliu:Ne lulishtarë kërrusur
Unë ika larg nga zëri yt,
Ika, se nuk dëgjova asnjë melodi
S’pashë fushave e vijave të pesta
Asnjë RE asnjë DO asnjë Si…
Unë e di që do të gjunjëzohem
Si një ‘xhentil’, që dorën të kërkon
Nuk dua me ty që të pajtohem
Si kalorësi në garë, çohu, sfidomë!
Nëse të lëndova, të lutem më fal
E vdekshme jam në stacionin tënd
Vetmisë i ngrita dorën që ta ndal
Vetmia jote njësoj mua më dhemb…
Të rashë në plagë, e derdha kaq lot
Si lotët e tu q´i bien shpirtit tim
Ato tani nuk i mbledhim më dot
Jastëku i gjorë i thanë e i përpin…
Do të shkelim mbi qiej të ngrysur
Se miqësia nuk është lule që falet
Është lulishte e ne lulishtarë kërrusur
Që mbi çdo gjethe e petale ndalet…
Në ëndrrat e mia, unë tek ti do t’vij
Aty ku ti po fle e loti në sy t’u tha
Kam marrë me vete ca nota në gji
Mi, Sol, Si, Re dhe Fa…
……………………………………………….
a@z
