Zbres…Vaso Papaj


Zbres…

Zbres nga qafë e Llogorasë

Me malin rrotulluar.

Më dukej sikur atje lartë

Zoti vet më kish qafuar.

Ika Zot, nuk dua frone,

Po zbres poshtë në det.

S’dua t‘ jem një Al Kapone,

Jam vetëm poet.

Dua det, ta çaj me krahë

E mbi rërë të zhgërryhem.

Atje lartë ka vetëm gjah,

Gjahun kam urryer.

Ah, moj rruga dredhë-shkreta,

Lavire plot naze.

Një herë zbrita, zbritur mbeta,

S’doja kamikaze.

Zemër, Zot, ti më ke falur,

Shpirtit m’i dhe paqe.

Rrugës tënde s’kam të ndalur,

Por pa puthur faqe.