Shëët.. mos ma zgjoni natën ,
ju zëra të fjetur, të paftuar sonte.

Se nuk jam e lirë
që vesh pa dëshirë
lakuriqësinë time
të mistershme.
Mos trazoni magjinë e kultit
shtratit të vakët, mbrëmjes vonë.
Se vargu fle zbuluar me mua
e ajrin përreth dritheron,
e ngre kryet gelozia.
Kam frikë se më ikën,
n’arratinë e natës e vritet
si zogu krahëthyer,
i kapur në kurth,
kur përplaset dritareve me duf.
Se ëndrrën pastaj ,
ma le të bardhë, të vetmuar
si vejusha
krahapur
rrudhur nga pritja.