Zgjidhe rrugën!-Nikollë Loka


Nikollë Loka

Zgjidhe rrugën!

Nuk mund ta zgjedhësh nënën as babën,

gjuhën as gjakun,

nuk mund ta zgjedhësh djepin as varrin,

lindjen, rritjen as plakjen.

Edhe po ta zgjedhësh mendjen,

do të pëlqejë e jotja,

me zgjedhje

pra nuk ndryshohet bota!

Ti s’do ta ndryshosh botën

si njësh i vetëm,

por mund të ndryshosh veten…

Dhe nëse gjendesh në kryqëzime fatesh,

mos u bëj zero

për një turme të verbër!

Qëndro njësh

dhe zgjidh më me kujdes,

atë rrugë,

nga kalojnë njerëz!

Pesha e kohës

Rëndohet koha

deri në peshën e njeriut që vishet lehtë,

çdo shtesë në peshë

e lëshon në formë shiu dhe bore,

kemi hyrë në vjeshën e tretë,

nē kohë të padielltë,

ku s’fryn më as erë pranverore.

Në dimër i shtojmë teshat e shtatit,

një, dy e më tepër,

dhe terri ec më shpejt,

prej dëshirës së pafrerë dhe inatit.

Nëpër mjegulla ngatërrohen stinët,

stacionet,

drita e diellit, neonet,

dhe terri i vonë del boje.

Por kur të çlirohemi nga rrobat e tepërta,

ulet pesha e rëndesës,

ndër hapa të gjatë që rrallohen,

e vështirë marrja e kthesës…

Vështirë ta kapësh kohën!

Iliriane

Sa herë udhës,

kur s’ka udhë,

sa herë,

sa herë malit i ngjitesh pa kuptim,

sa herë

ngatërrohesh me veten mbi një urë,

që s’di nga të nxjerr

në Lindje a Perëndim.

Sa herë humb

për ta gjetur vetveten,

harruar në një qoshe të vetmuar.

Sa herë as lindje, as lindje,

perëndim jo se jo,

një rrip i ngushtë Ilirie pas një gjëme…

Sa herë me veten grindesh,

në një përpjekje vigane,

për t’u bërë siç ishe…

Iliriane!