Zgjohu nënë, se fjete shumë!Vullnet Mato


Vullnet Mato

ZGJOHU NËNË, SE FJETE SHUMË!

Nënë e shtrenjtë, o ylli im i rrallë,
erdha në Sarandë, ku më ke lindur,
të pres ngarkuar me një barrë mall,
te varri, ku dhe bari të është thinjur!

Zgjohu moj nënë, se ke fjetur shumë,
mbuluar këtu, nën dheun e ftohtë!
Eja, se tani lotët më janë bërë lumë,
o, dashuria ime, më e madhe në botë!

Zgjohu të të ngroh këmbë e duar!
që të janë bërë akull, për dyzet vjet
ku dheu, para kohe të ka mbuluar,
pasi vuajte, në më të poshtrën jetë!

Dua të t’i ngroh me frymën time,
flakëruar nga malli, që jetova larg,
ku me emrin tënd në gojë, ndër vite,
kam fjetur i vetmuar, si në mërgatë.

Ti pranverat i pate dimra të ngrirë,
kur pa triska buke, me lakra dheri,
rrite shtatë koka fëmijësh të mirë,
se nuk ndave burrin,“Qytetar nderi”.

Eja të të puthë dhe vajza e vetme,
që fle pranë Dajtit, nën një livadh.
Çohet në çast motra e gjashtë djemve,
po mori vesh, që je ngritur e gjallë!

Pastaj, të nëntë, bashkë me babanë,
të hymë te ulliri, në shtëpinë e vjetër,
të urojmë me kambanat e zërave tanë:
Mirëse erdhe, moj nënë, nga bota tjetër!