Zhgënjimi i Venerës-Kristaq Turtulli


Të nderuar dhe të respektuar miq. Së afërmi ribotohet për herë të dytë, në Shqipëri romani shumë i sukseshëm:Po hedh për ju një fragment të shkurtër nga ky libër. Ju uroj lexim të këndshëm:

Kristaq Turtulli

Femra duhet të mendojë si burrë,

të sillet si zonjë e ëmbël, lozonjare,

çdo ditë të luftojë me jetën, si heroinë’.

Mezi mbushesha me frymë. Tufa e trëndafilave kërciste me zhurmë të shurdhër, si të ndjeheshin fajtore që kishin hyrë të paftuara në dhomën e një njeriu që kish tentuar t‘i jepte fund jetës. Në dhomën akull të bardhë të spitalit dergjej një ajër i ndenjur i thatë.

Nuk di sa kohë zgjati ajo gjendje e llahtarshme, në atë hotel, në mes të Parisit. Mbasi çaste të tilla nuk mund maten me ato të jetës së zakonshme.

Por… nuk është kjo arsyeja, aftësia për të shquar mes territ të thellë, çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, kur e vërteta (dhe gënjeshtra) para së gjithash është një gjendje e qenies, realitetit…

Sigurisht është e vështirë, një vajzë si unë, të merret dhe analizojë situatën njerëzore. Por gjithsesi veprimi im për të kërkuar me ngut vetëvrasjen nuk ishte veprim i arsyeshëm, por një korkolepsje në humbëtirë, kur drejt asaj humbëtire, mynxyrë ka shkuar dhe shkon dhe do të shkojë çdo krijesë mbi tokë.

Eh, shtegu i virtytit qenka shumë e ngushtë, kurse rruga e vesit dhe maskarallëkut është e gjerë dhe e bollshme!

Megjithëse kur isha në kllapi, m‘u bë sikur, ashtu nëpër mjegull dëgjova një zë të zvargur që ngulmonte:

‘Ngandonjëherë vetëvrasja është akti më i mençur dhe i qëruar që bën njeriu në jetë.

E përzura me vështirësi këtë zë të ndyrë. Sigurisht, nuk është e lehtë të jesh femër në një mjedis pervers, të neveritshëm. Gjyshja gjithnjë më këshillonte:

‘Çupë e nënës, vëre vëth në vesh: Femra duhet të mendojë si burrë, të sillet si zonjë, të duket e ëmbël, lozonjare dhe të luftojë çdo ditë me jetën si heroinë.’

Kristaq@Turtulli

ZHGËNJIMI I VENERËS,

2023 Prishtinë, Kosovë

Shqipëri Mars 2024