Zija Çela:Kjo dhurtë mban emrin tënd…


Zija Çela:Kjo dhurtë mban emrin tënd…

– Kundër mirënjohjes hermetike –

Ishte mbasdite vonë kur më ra telefoni. Një mik po vinte nga Durrësi dhe dëshironte të takoheshim. Mirëpo ndodhesha larg shtëpisë, pra në pamundësi takimi. “E mirë pra”, dëgjova në telefon zërin e tij gjithë mirëdashje, “kam diçka që po ta lë në Adoro, ku ti pi kafen.”

Atë çast nuk e dija, por më pas do të haja inat me veten. Dhe ta dini, s’ka gjyq më rreptë se ai që bën Zç kundër Zç.

Të nesërmen e mora në Adoro librin e dhuruar, që sikur mbante ende erën e njohur të bojës tipografike. Ishte vëllimi voluminoz “Dante… e të tjerë”.

Autori? Shkrimtari, studiuesi e publicisti i njohur Shpendi Hulësi Topollaj.

Si kundrova portretin e njohur të Dantes në ballinë, kalova menjëherë në fund të vëllimit me kureshtjen për të parë përmbajtjen e lëndës. Pas treshes Dante, Petrarka e Bokaçio, vijonin shkrimet për Shekspirin, Viktor Hygoin, Tolstoin, etj.

Vetëm kur desha të nisja leximin nga kreu, vura re se autori nuk kishte lënë autograf për mua. Por pashë pastaj diçka shumë më tepër. Pashë pikërisht Kushtimin e librit.

Afermendsh, Shpendit ia kam përcjellë falenderimet. Veçse prej asaj telefonate më ka mbetur nje peng. Gjatë bisedës, mos më kishin rrëshqitur fjalët pa ngrohtësinë e duhur?! Sepse, ashtu si çdo virtyt, veçanërisht mirënjohja ka temperaturën e vet. Ka zjarrminë e vlerësimit dhe të dashunisë njerëzore.

Pastaj, duke e mbajtur thjesht për vete, me kalimin e ditëve ajo po mbetej hermetike, pra disi e burgosur. Kundër parimit tim që për mirënjohjen s’ka pse të ketë pranga e qeli. E kështu, ky anonimat sikur më padiste per egoizem. Aq më tepër për vetë peshën e rëndë të librit, një libër për kolosët e Letrave. Por, intimisht në zemrën time, edhe për mënyrën si ishte shprehur kushtimi. Na kishte bërë bashkë atë e bir, si blatimi për një përfytyrim të përjetshëm. (Dritanit ia kam përcjellë, sepse prej tij kam mësuar diçka nga ajo gjuha e matanshme.)

Tash që po afrojnë festat e fundvitit, kur janë shtuar ethet e reklamave dhe njerëzit zënë të flasin për dhurata… Mirënjohje, kolegu fisnik Shpendi Hulësi Topollaj, unë e mora dhuratën që mban emrin tënde. Ajo është shpirtërore, prandaj fort e veçantë, gjithnjë e çmueshme dhe kurdoherë e paharrueshme.

About Post Author