Çdo frymëmarrje për mua është një lutje më shumë,
Jap e marr, jap e marr të të shoh dhe në gjumë,
Se ti je mrekullia me sy të zinj plot humus,
Të më kesh, të të kem gjer në fund, Zotin lus.
Se nga vjen e nga shkon e prapë prapa të ndjek.
Se folenë në pranverë, s’e harron një lejlek.
Është çudi që me ty dëshpërimi s’më ze
Zot, mbi gjurmët e tua këmbët e mia m’i le.
Ta lexova poezinë, qemë shtrirë një mëngjes.
Nat’e gjatë mbi jastek m’a kish prurë, lagur vesë.
Bashkë me ‘të si dhuratë sytë e zinj plot humus,
Ndaj çdo nat’ u bëftë ditë e dita njëmijë, Zotin lus.
Je një qenie e veçantë, tërë një jetë që të njoh.
Një e shkuar e largët, e afërt, provuar në kohë.
Por e tashmja jote janë sytë e zinj plot humus,
Ndaj të të kem, të të kem, pafundsisht Zotin lus.
E në vjen e në shkon e në sillesh lirisht,
Mos lejo erë të çmendur të të marrë lehtësisht,
Po përherë ndiq at’ yll që të sjell në shtëpi.
Erë e çmendur jam unë, një SMS dhe do të vij.
Si dikur, me sy hapur, notoj syve të tu,
Zhytem thellë e më thellë pa e ditur nga e ku.
E humbas tek ty, tek sytë e zinj plot humus.
Mos të dal që aty gjer në fund, Zotin lus.
