Zyba Hysa: Bukuria e amerikës duket hyjnore, por të tillë e ka bërë fuqia njerëzore…


ZYBA HYSA

BUKURIA E AMERIKËS DUKET HYJNORE, POR TË TILLË E KA BËRË FUQIA NJERËZORE…
Shumëkush e ka ëndërr të shkojë në Amerikë, për të qënë e sinqertë me veten dhe me lexuesin, unë s’e kam pasur ëndërr, por prapë them për të qënë e sinqertë me veten dhe lexuesin, në më jepej rasti, pse jo, doja të shkoja në Amerikë, jo për t’u çuditur me dritat e shumta, apo me qiellgërvishtëset, por për të prekur nga afër, apo për të vërtetuar mendimet e mia për përparësitë që ka Amerika në botë si nga zhvillimi, po ashtu edhe nga masa e lirisë që gëzojnë njerzit që banojnë e jetojnë atje.
Së pari, mendoj unë, çelësi i suksesit real, është masa e lirisë që gëzon njeriu për të kuptuar dhe realizuar veten, se realizimi i vetvetes, siguron zhvillimin e shoqërisë, se shoqëria s’është gjë tjetër, përveç se një bashkësi individësh.

Ç’kuptoj unë me masë lirie?

Dëshira ime është e pandalëshme për të luftuar të bëj në jetë ato që dua e për të bërë këtë dua të jem e lirë, por kjo liri shkon deri aty, ku unë nuk cënoj lirinë e tjetrit, se nëse unë do cënoja lirinë e tjetrit, dikush tjetër do cënonte lirinë time dhe unë kurrë s’do të realizoja dot veten dhe për të mos u treguar “e pa aftë” do të tregohesha ajo që doja të isha, por që s’arrita të bëhem, po kështu edhe shoqëria, do ishte një bashkësi individësh të pa formuar e për pasojë do ishte një shoqëri dështake.

Të gëzosh lirinë në masën e duhur, do të thotë, në radhë të parë, të njohësh vetveten, të zbulosh dëshirat tua dhe aftësitë tua për të realizuar këto dëshira. Liri s’do të thotë gjë tjetër veçse aftësi për të njohur veten dhe mundësi për të realizuar atë që kërkon të realizosh në jetë.
Asnjë njeri në botë s’është njëlloj, asnjë njeri në botë s’ka të njëjtat dëshira, por të gjithë njerzit në botë kanë të përbashkët masën e lirisë dhe vetëm kur popujt bashkohen për të fituar këtë masë lirie që i duhet për të qënë njeri me plot kuptimin e fjalës, atëherë bota do të marrë një fytyrë, emri i së cilës do ishte krejt ndryshe, nuk do kishte parcela kufijsh me shtete të zhvilluara dhe shtete të prapambetura, për të formuar mozaikun e botës, por ky mozaik do ishte i larmishëm, aqsa individë ka në botë, sipas mundësisë së tyre për të realizuar veten.
Qëndron kjo masë lirie në Amerikë?
Mendoj se PO!
Për shtetin Amerikan, Amerika është Një, ndaj ai kujdeset për Amerikën që të mos i cënohet kjo masë lirie, qysh në hyrjen e daljen e njerzve në shtetin Amerikan. Për analogji marr shtetin tim shqiptar, i cili i ka bërë kufijtë thjesht imagjinarë dhe shtetasit thjesht gjallesa, të cilët jetojnë dhe mbijetojnë ashtu si çdo gjallesë tjetër në xhungël përmes seleksionimit natyral, më i forti ha më të dobtim, ku më i forti ka liri të plotë, pa përfillur masën që i duhet për të mos cënuar lirinë e tjetrit.

Mbresat e mia nga kjo ditë (ardhja në Amerikë) duke u kthyer në retrospektivë, qysh nga pyetësori për të aplikuar për vizë, nga intervista për të marrë vizën dhe nga udhëtimi i gjatë dhe kujdesi i rreptë nëpër dogana për udhëtarët drejt Amerikës, kuptova shumë gjëra, u binda edhe më shumë për ato çka kam menduar në lidhje me Amerikën dhe shpesh më duket sikur unë jam një amerikane e lindur. Mendimet dhe konceptet e mia janë në akord me ato të shtetit Amerikan.
Ashtu si Amerika, për të siguruar masën e lirisë sime, afroj njerzit, u besoj për të dhënë mundësi vetes për t’i njohur, se dëshirat e individit, vërtet janë personale, por ato realizohet në bashkëveprim me shoqërinë, në marrdhëniet e lidhura mes tij dhe tjerëve, po këto marrëdhënie s’lidhen nga sytë e bukur, as nga flokët e gjata, por nga njohja e thellë rracionale, jo thjesht empirike. Njohja e thellë e atyre që do jenë pjesë e realizimit tënd (se edhe ti je pjesë e realizimit tjetrit) bën të mundur që përmes kësaj njohje realizon veten dhe tjerët realizojnë veten pa cënuar lirinë e njëri – tjetrit.
Kështu vepron individi, kështu vepron edhe shteti si një individ, ndryshe s’ka as shtet, as shoqëri të zhvilluar.
Shteti amerikan pajis me vizë, njerzit që kanë luftuar në jetë për të realizuar veten, për t’u bërë dikushi dhe u krijon mundësi për të përsosur këtë realizim në shtetin amerikan. Dhënia e vizës është thjesh afrim për ta njohur derisa ta pranojë në gjirin e saj, se është përgjegjëse për shtetasit e vet, se kë po pranon, se vërtet ai do përfitojë duke dhënë, sikur thjesht eksperiencë, por pa cënuar shtetasit e vet. Këtë e pashë në kontrollet e imtësishme që bëheshin nëpër portet, pa menduar se ky njeri ka marrë një vizë amerikane, përkundrazi, të tillë individësh kontrollojeshin dhe pyeteshin më imtësisht.
Të kalosh pa probleme të gjitha këto proceduara, do të thotë se e njeh mirë veten, do të thotë që e njeh lirinë tënde, por njeh edhe cakun e lirisë së tjetrit.

Fjala liri, përkthehet aftësi! Nëse s’je i aftë, s’mund të kesh as liri, liri do të thotë sakrificë për të realizuar vetvetën.

Ardhja në Amerikë sigurisht që ka vlerë për mua, por varet sa do jem në gjendje të prek këto vlera, se madhështia e Amerikës, vërtet duket hyjnore, por të tillë e kanë bërë fuqitë njerzore.
E them përsëri, kurrë s’e kam pasur ëndërr Amerikën, por ëndrrat e mia janë si të isha amerikane e për këtë jam ndëshkuar egër, por kurrë s’hoqa dorë prej tyre, vërtet s’i realizova në kohën e tyre, por kurrë s’u dorëzova, kurrë s’mendova të jap dorëheqjen nga ëndrrat e mia, gjer të vinte momenti të më krijoheshin mundësitë për t’i realizuar ato e shumë kam realizuar. “Më mirë vonë sesa kurrë” – thotë populli ynë i mençur, se kurrë s’ka qënë i lirë për të realizuar veten, se një vend është i robëruar, atëherë kur njeriu s’ndjen lirinë e mjaftueshme për të realizuar veten dhe kjo gjë është matës për të kuptuar në je i robëruar, apo i lirë. Të jesh i lirë s’do të thotë, të jesh pa ushtri të huaja (sot kanë ndryshuar mënyrat e pushtimit) të jesh i lirë, do të thotë sa ndjehesh i lirë!
Kur vetë shteti më cënon masën e lirisë së domazdoshme që të duhet të realizosh veten duhet të kuptosh, se në këtë vend mungon liria e kur mungon liria, ka shumë arësye, ku e para është se nuk e njeh lirine e kur populli nuk e njeh lirinë, inteligjenca që di ta dallojë atë, është shitur dhe në një farë mënyre është vetë robëruar për të mbijetuar si gjallesë. Kur njerzit kanë lindur në robëri, janë rritur në robëri, nuk e njohin lirinë, ata janë mësuar me robërinë, ashtu siç mësohet një njeri me një sëmundje kronike.
Në një vend që mungon liria për individin, mbisundon liri pa limit për krimin, vjedhjen, vagabondazhin, prostitucionin dhe rrëmbimin e trafikimin e qenieve njerzore për organe.
Ideja që s’jemi të lirë se kemi pushtues dhe jemi të lirë se kemi një qeveri tonën, por që të kufizon veprimin e realizimit të vetvetes, është krejtësisht i gabuar.
Për mua pushtuesi im është ai që më cënon masën e lirisë që më duhet për të realizuar veten, e ky është vetë shteti diktatorial, i cili e ushtron diktatin e tij, jo vetëm përmes institucioneve, por duke lënë fushë të lirë këtij diktati edhe brenda vetë familjes dhe shoqërisë qysh tek babai, nëna, vëllai, motra, fëmija, bashkëshorti… ndaj në kuptimin e ngushtë, ne duhet të protestojnë ndaj “dhunuesve” të lirisë, i cili s’përfill individin e aq më pak t’i krijojë hapësira këtij individi të realizojë veten.
Shteti amerikan ka ligje e ajo që është më e rëndësishme, ka zbatim ligji për cilindo shtetas, pavarësisht pozicionit, apo postit që ka në shoqëri, ndërsa në Shqipëri, ligjet janë si të Amerikës, por nën ligjet në mënyrë mafioze rrëzojnë ligjet.
Për mua, koncepti “Liri” s’ka të bëjë më pushtim ushtarak, apo virtual të vendit, por me sa gëzoj unë liri për të realizuar veten e kjo kuptohet vetëm nga njerës të kulturuar dhe të ditur, të cilët rrëzojnë “prangat” e errësirës shekullore për të njohur veten q’më pas të dimë çfarë kemi humbur e çfarë kërkojmë… për të sqarojnë popullin e më pas ta drejtojnë duke u bërë udhëheqësit shpirtror të tij për të shkëputur prangat e robërisë shtetrore, apo njerzore (“prangat” q’na vënë prindërit, farë e fisi, miqtë, apo bashkëpunëtorët tanë në realizimin e vetes) e kështu dalëngadalë shkrihen mistershëm edhe prangat që i vemë vetvetes nga pamundësia… se njeriu i qartë se çfarë kërkon, edhe përmes pamundësisë, gjen një mundësi…
New York,
E mërkurë, 10 Janar 2018 

About Post Author