Zyba Hysa-Grimca Lirie…


GRIMCA LIRE…
TREGIM
(Bazuar në ngjarje të vërtetë)

Ishte viti i dytë i punës si mësuese dhe mezi e prisja fillimin e vitit të ri shkollor.
Si e re në profesion, më kishin dërguan në një fshat gati dy orë larg nga shtëpia, por isha me fat, se kisha edhe një shoqe nga fshati im dhe rrugën e bënim bashkë.
Shtëpinë e kishim pak larg njëra me tjetrën, por takoheshim sapo fillonte kanali vaditës; ose e prisja, ose më priste dhe ecnim përgjatë kanalit, i cili gjarpëronte faqes së një përroi të zhurshëm, ku vende – vende, po të shikoje poshtë, të zinte tmerri nga humnerat.
Edhe sot ndjej ftohjen e trupit nga gjarpërinjtë dhe nepërkat që na prisnin rrugën, ndërsa ketrit dhe lepujt i kishim të përhershëm me të cilët kalonim çaste të gëzuara.

Kurrë s’kam për t’i harruar ecjen përgjatë asaj lugine, ku rriteshin qysh tek bushi, i cili të çmendte me kundërmimin e luleve në pranverë, apo frashti me lulet e bardha, panja, lisi, qarri, shkoza, mulleza e lloj – lloj shkurresh tjera që formonin një dekor mahnitës, si dhe aromat e luleve, të cilat krijonin nëpër çeltira qilima shumëngjyrësh, shoqëruar me zhaurimën e përroit e sinfoninë e zogjve, më dërgonin përtej reales, si nëpër legjenda e vetja më dukej herë Zanë mali e herë ndjehesha pjesë e këtij peisazhi marramendës e shndërrohesha herë lule, herë pemë, herë zog.

Dimri ishte më fantastik, sidomos kur binte dëborë. Mendoni, në një grykë përroi dy vajza të reja, ku këmbë njeriu s’kalonte, bënim që gryka të oshëtinte. Alegria jonë ishte çmendurakë. Oh, sa ngazëlleja kur ngrija kokën lart dhe shikoja flokët e borës që vinin duke u rrokullisur si zogj të vrarë e shkrinin mbi buzët e mia të ndezuara… Unë s’isha mësuese në ditët e borës, isha më e vogël se nxënësit e mi!
Si ka mundësi që njerzit s’përfshihen në magjinë e natyrës? Sikur të na filmonte njeri, se çfarë bënim rrugës, sigurisht do mendonin se janë dy të çmendura e pse shoqja ishte më e frenuar në lojrat e borës, por pak nga pak, u çmendëm të dyja. Herë këndonim, herë qëllonim njëra – tjerën me topa bore, nëpër çeltira, binim përmbys dhe linin shenjat e trupit mbi dëborë, apo dhe me sy nga qielli e fluturonim me imagjinatë, ashtu si flokët e borës krijonin lloj – lloj pështjellimesh magjike, herë thërrisnin njëra – tjetrën me zë të lartë dhe qeshnim me kakarimë prej jehonës së zërit tonë që kthehej si nëpër legjendë nga gryka e përroit…
Kur arrinim tek shkolla, ose kishin ardhur pak nxënës, ose fare, atëherë shkonim tek furra e bukës, thaheshim dhe ktheheshim përsëri poshtë, për në shtëpi.

Kishte gati një muaj që kishte filluar mësimi dhe pamja e grykës së përroit ishte shndërruar tashmë në një pikturë gjigande, ku gjethet e panjës në atë limoninë e lehtë, shkonin mrekullisht me nuancat kafe dhe si të kuqërremta të drurëve tjerë e aty – këtu mund të dalloje lloj – lloj nuanca ngjyrash, sa të merreshin mentë nga bukuria…
Dhe ishte vërtet piku i shpërthimit të vjeshtës. Ne ishim bërë tashmë pjesë e përhershme e këtij mjedisi që ashtu siç ndryshonte ai nëpër stinë, ndryshonim edhe ne masën e kënaqësisë, saqë e kam të vështirë të them, se kur ndjehesha më e lumtur, por sivjet, një djalin i xhaxhait tim, e caktoi brigadieri për të furnizuar fshatin me bukë, kështu i dhanë një kalë dhe dy mushka dhe një ditë, teksa u nisa, e takoj kushëririn tim dhe më tha të hipi mbi kalë.
Kur isha e vogël, gjyshi im kishte kalë me shalë dhe isha e mësuar, por shqetësimin e kisha tek shoqja, se do të vinte vetëm, ndaj s’pranova, por kur takuam shoqen time, ajo më tha që s’ishte problem, se do të shkoja më shpejt dhe do të rreshtoja nxënesit e të bëja gjimnastikën e mëngjesit. E kështu ramë dakord, hipja kalit dhe përgjatë kanalit të ujit, mes pyjesh të përflakur nga vjeshta, më dukej vetja si në përralla…

Kishte kaluar muaji dhe s’ishte dukur askush nga drejtoria e shkollës për kontroll, se vitin e kaluar kishim një drejtor nga Korça dhe kur erdhi për kontroll e pa kushtet tona të punës, si në internim (një shkollë e shkatërruar në një grykë që vetëm një pash qiell dukej dhe dielli s’kishte mundësi të depërtonte, ndaj as na kërkoi ditar, as kontrolloi dhe duke qeshur tha: “Jeni heroina!” dhe doli. Duke menduar se u tregua miqësor dhe i arësyeshëm me ne, i thashë me atë sinqeritetin tim të pastër.
– Drejtor, kësaj arrës nuk mund t’i hipim dot, ka rrush shumë të mirë, po munde na i merr…
Ai qëndroi, më vështroi ngultas për të dalluar ndonjë shaka, por kur vërtetoi sinqeritetin tim u ngjit, voli rrushtë dhe ne i mbushëm një qeshkë plot dhe iku e s’erdhi më kurrë, se nga shkolla e mesme gjer aty, mund të ishte pa frikë 3 – 4 orë.
Kështu, ne e dinim si vitin e kaluar, ndaj e filluam vitin shkollor sipas rregullave tona. Mësimin e fillonim herë në 9, herë në 10, por kurdo që fillonim lëndët bazë i zhvillonim shumë mire, ndërsa lëndën e vizatimit, punë dores ua jepnim si detyra shtëpie, përjashto fizkulturën që e përshtatnim me gjimnastikën e mëngjesit.
Kishim dëgjuar që ishte ndërruar drejtori, por s’e kishim parë ndonjëherë.
Ishte e hënë. Gjithë natën kishte rënë shi dhe kur shkova unë me kushëririn me kalë, pashë që shkolla ishte mbushur plot me ujë. Rreshtova nxënësit, por s’bëra gjimnastikë si zakonisht, por filluam të nxirrnim ujin me fshesa bushi. Disa nxënës i dergova të mblidhnin shkarpa dhe kur erdhi shoqja ime, dy nxënës po ndiznin zjarrin nëpër soba e tjerët po loznin jashtë.
Ora po skonte 9 e 30, kur ia behu para shkollës një burrë i gjatë, rreth të dyzetave, me kostum të hekurosur, zeshkan, me flokë të drejta dhe të ashpra e pse i kishte krehur në anë, ata rrinin më shumë të ngrtura, që krijonin një fytyrë të egër. As na përshëndeti, as ne nuk e përshëndetëm, se më dha përshtypjen e ndonjë punonjës sigurimi, por kur dalloi indiferentizmin tonë tha:
– Cilat janë mësueset e kësaj shkolle?
– Ç’të duhet ty? – I thashë unë dhe i ktheva kurrizin.
– Po u pyes edhe një herë, – ngriti zërin si një hetues, – cilat janë mësueset?
– Ne jemi! – Tha shoqja ime.
– Pse nuk keni filluar mësimin? Ora po shkon 10!
– Ç’të duhet ty! – I thashë unë duke ngritur zërin, – shiko punën tënde!
– Unë punën e kam këtu, jam drejtori i ri i shkollës, ndaj kam ardhur për kontroll…
– Ashtu!!! – Folëm të dyja në një gojë, por doli si tallje më shumë sesa frikë.
– Na falni shoku drejtor, se s’të njihnim, – i thashë unë, por eja e shiko një herë shkollën si është, pastaj flasim për orarin dhe u nisa të hyj brenda, por ai qëndroi në këmbë dhe thirri:
– Cila je ti që më thua çfarë të bëj?
– Po… shiko si është shkolla, kemi dy orë e mezi nxorrëm ujin, tani po ndezim zjarrin dhe do fillojmë…
Ishte i zeshkët, u shndërrua krejt i zi nga inati dhe urdhëroi:
– Sillni ditaret!
– Unë s’e kam bërë, – i thashë, – se ne asnjëherë s’e këmi bërë. Drejtori që kishim na thoshte vetëm bëni mësimin se keni vështirësi…
– Ditarin, po u them!
– Nuk e kam shoku drejtor…
– Po ti tjera?
– Unë e kam harruar në shtëpi, – gënjeu ajo.
Unë u futa në shkollë, se nuk po e mbaja të qeshurën. Shoqja ime erdhi pas meje dhe filloi të qajë.
– Mos qaj, – i thashë, – çfarë do na bëjë?
– Mirë ti, por unë pse gënjeva?
– Atë e di ti, unë s’di të gënjej…
Drejtori rrinte pështetur për arrën, e cila kuqëlonte nga rrushi i pavjelur dhe për drteq m’u kujtua drejtori i vjetshëm që i voli dhe mendova (me atë mendjen time të pa djallëzuar t’i them të marrë rrushtë se mbase ikte e na linte rehat), ndaj dola jashtë dhe i thashë.
Drejtor, sa të thahen pak klasat, ke mundësi të marrësh ca rrush tek arra, se vjet i voli drejtori…
Nuk kam parë njeri më të zi se u bë ai në atë kohë! Flokët u ngritën përpjetë si qimet e derrit të egër dhe shpërtheu me inatë të patreguar.
– Mblidhni nxënësit shpejt dhe lërini të ikin në shtëpi… ju do të vini me mua në mbledhjen e këshillit pedagogjik….
Ishte e kotë të flisja më. Rashë ziles dhe nxënësit u mblodhën. U dhashë porosi për të nesërmen dhe u larguan.
– Ti, ec përpara, – i tha shoqes sime, – e më dërgo nga shtëpia jote e merr ditarin…
S’më kishin zënë sytë njeri aq strikt dhe të egër. Ajo para, drejtori pas saj, unë pas drejtorit gurë më gurë, deri dolëm tek kanali dhe më pas ikëm drejt shtëpisë së shoqes sime. Kur u afruam tek shtëpia, ajo hyri brenda e unë qëndrova pak larg drejtorit, se nuk po e mbaja të qeshurën, ngaqë mendoja se çfarë gënjeshtre do sajonte ajo.
Nuk vonoi shumë dhe doli me sy përdhe.
– Hë, e gjete?
– Ma kishin grisur fëmijët! – tha ajo.
Në këtë kohë unë s’e mbajta dot të qeshurën, se ajo s’kishte fare fëmijë në shtëpi.
Acarimi i drejtorit kaloi çdo limit. Dukej qartë që do na pushonte nga puna.
Zbritëm “Bregun e Haxhiut” dhe dolëm në xhade e më pas në shkollën e mesme.
Mësimi s’kishte mbaruar ende. Ishte ora e gjashtë. Ai shkoi në zyrë dhe thirri mësuesin dezhurn që të pezullohej mësimi për një mbledhje të jashtëzakonëshme.
Unë dhe shoqja u ulëm në tavolinën e fundit dhe pak nga pak, salla e mësuesve u mbush plot. Ishin gati 50 mësues, se ishte shkollë e bashkuar, që nga klasa e parë e deri në vitin e dymbëdhjetë.
Salla s’pipëtinte. Dukej që ai kishte ushtruar terror tek të gjithë. Më në fund, u shfaq në derë, Ai, drejtori fashist që do jepte pretencën dy vajzave që më shumë ishin pjesë e dekorit të një peisazhi sesa mësuese fshati. Ato ishin në lulëzimin e pranverës së tyre dhe përvec kënaqësisë së peisazhit, asgjë s’trokiste në portat e shpirtit të tyre.
– E thirrëm këtë mbledhje sot, – mori fjalën drejtori, pa ia dhënë kush, – për një rast urgjent, për shkelje të rëndë të disiplinës shtetërore në punë të dy mësueseve të shkollës vartëse…
Qëndroi, vështroi më radhë mësuesit, sikur donte të maste efektin e fjalëve të tij dhe vazhdoi:
– Kurrë s’jam ndjerë në jetën time aq ngushtë sesa sot në shkollën e këtyre dy
mësueseve, saqë m’u duk vetja si gjyshi me mbesat…
Fjalën ia preu e qeshura e shumicës së mësuesve, se ai ende ishte beqar. Atëherë ai u rrevoltua edhe më shumë dhe tregoi fije për pe ngjarjen e rëndë…. duke rënë me grusht herë pas here tavolinës.
– Kërkoj nga ju të ngriheni dhe të jepni mendimin tuaj për pushim nga puna!
Heshtje varri. Të gjithë rrinin si në një vdekje të rëndë. Të pushoheshe nga puna atëherë, do të thoshte shumë më shumë se aq, do fillonin përndjekjet në familje e kurrë s’futeshe më në arsim.
– Flisni!
……
– Çohu shoku nëndrejtor!
– Shoku drejtor, unë mendoj… – dhe preu fjalën duke hedhur vështrimin nga kolegërt, – që kësaj radhe të mos i pushojmë nga puna, se e kanë rastin e parë, nëse e përsëritin, atëherë pacin më qafë veten.
– Ulu, të ishe ti atje, nuk do flisje kështu, ato kurrë s’kishin bërë ditar! Por ajo që duhet theksuar, ato s’kishin fare respect për epror…
– Unë kam vite këtu, shoku drejtor, dhe asnjëherë nuk është përmendur emri i tyre, përkunbdrazi, në testimet e vjetshme, unë konstatova cilësi të lartë…
Kaq u desh dhe i gjithë kolektivi mbështeti nëndrejtorin, i cili ishte dhe vendali.
– Shkruaj, – u drejtua sekretarit, – pasi u shqyrtua shkelja e rëndë e dy mësuesevet, u
vendos: paralajmërim për pushim nga puna dhe shënim në dokumenta.
Ne të dyja ulëm kokat, ajo qante me dënësë, ndërsa unë as qaja, por as qeshja.
Në atë kohë isha sekretare e komitetit të rinisë dhe në një buletin i nxora emrin për mos mbështetje të organizatës së rinisë dhe qysh atëherë s’erdhi më kontroll… si duket e kishte marrë vesh që njëri nga dajot e mi, në atë kohë ishte inspektor në Komitetin e Partisë së rrethit, i cili herë hiqej nga puna, herë fillonte sërish, nga lidhja fisnore që kishim me një personalitet që jetonte në Amerikë….

Kishin kaluar shumë vite nga ajo kohë dhe shkoj në Drejtorinë Arsimore për të marrë një vërtetim dhe në zyrë gjej ish drejtorin me dy kolegë tjerë. Sa më pa qeshi dhe u tregoi shokëve ndodhinë tonë dhe më tha: “Sa të vdes s’do të harroj momentin, kur unë isha në kulmin e inatit, ju më thatë të marr rrush në arrë…” Qeshëm me lot. Ai ishte bërë Drejtor i Seksionit të Arsimit të rrethit, por kohët kishin ndryshuar e për cudi ishte bërë kaq “miqësor”
Nuk di pse truri ma nxori para syshë sot këtë ngjarje të dyzet vjetësh para, atëherë kur hodha hapat e para në punë në një fshat të thellë malor, që kurrë s’respektova rregulla, por kurrë s’lashë mësim pa shpjeguar nxënësve… mbase për të kujtuar kënaqësinë e pakufishme me peisazhet marramendëse të Grykës së Përroit. Në një farë mënyre në atë fshat kam qënë vërtet e lirë…

/ZYBA HYSA/

About Post Author