Zyba Hysa: “Nuk Jam Zonja Bovary”


Zyba Hysa: “Nuk Jam Zonja Bovary”

@@@
Orët bëheshin muaj e vite, ditët shekuj, netët ishin kthyer në rrëfime të pavullnetëshme, biles dy herë kishte përfunduar në spital. E shoqja shpesh e ngacmonte me shpoti, sa që ai ishte gati ta vriste, por ai mendoi ta vriste duke i thënë që do shkonte ta takonte të nesërmen. Ajo i buzëqeshi hidhur dhe s’foli. Sapo ra në gjumë, i mori të gjitha rrobat dhe i futi në ujë e më pas i nxori në tel. Si vjeshte e ftohtë që ishte, ato s’do i thaheshin gjer të nesërmen…
Kur u ngrit herët dhe kërkoi rrobat në dollapin e zbrazur i shkoi së shoqes në shtrat dhe e lëkundi fort. Ajo i tha, se i kishte larë. Vrapoi në ballkon dhe të gjitha ishi të lagura. Mori pantallona, këmishe e triko, si dhe pardesynë e vetme që kishte dhe i veshi ashtu siç ishin dhe doli suferinë nga shtëpia…
Si e etur që ish për dije, ajo u lumturua në një farë mënyre që shkoi në shkollë dhe kur të gjithë merreshin me argëtime të ndryshme, ajo argëtohej vetëm me librat. Nuk zuri shoqe, as shokë, kishte shokët e saj, librat, por kishte vënë re një djalë nga bregdeti që nuk i ndante sytë, bile edhe e ndiqte pas si hije, por ajo mendoi si çdo djalë që e pëlqen dhe filloi ta shmangte. Ajo qe e shqetësonte ishte, se kur uleshin në stolat që hanin, ai përherë e çonte këdo që ishte aty dhe ulej pranë saj, kjo e bëri të dyshonte dhe me vete tha: “Nuk u ndanë spiunët”!
– Dorisën e kërkojnë tek porta… – U dëgjua zëri i studentes dezhurne.
– Çfarë? – Mundui të pyesë ajo dhe i ra piruni nga dora.
– Ç’ke, Dorisa? – I tha djali që rrinte në krah. – Ti je zverdhur në fytyrë, mos do të ndihmoj?
– Oh, jo, jo… – Tha ajo dhe u ngrit si të çohej nga varri…
Ajo mendoi që largimi do krijonte mundësi të mos shiheshin dhe pak nga pak të harronin njëri – tjetrin dhe këto ditë ajo e kishte dalë mbanë e rrethuar nga shokët e saj që s’i lëshonte nga dora. Tani ajo po shikonte fundin e saj. Këtu çdo gjë kontrollohej dhe ishte çuditur si e kishin sjellë në këtë shkollë që vinin të besuarit e Partisë.
Kur u afrua disa metra nga porta, dalloi pardesynë e tij dhe u drodh. Për herë të parë ajo ndjeu frikë nga dashuria e tij. Ç’të bënte? Të shkonte atje, apo të kthehej? Ku mund të shkonte? Ai do vraponte si i marrë e do bëhej skandal, ndaj u nis drejt tij. Sapo kaloi portën, as vetë nuk e kuptoi si përfundoi në krahët e tij të fuqishëm që e rrotulloi si i marrë.
– Të lutem lëshomë, se më more në qafë!
– Le të shikojnë të gjithë, ti je imja dhe mos guxojë njeri të prekë me dorë…
– Eja ikim që këtu, të lutem! – Tha ajo dhe kur u shkëput prej tij, pa që ishte i njomur. – Ku
ke rënë kështu që je bërë ujë?
– Eja ikim që këtu se të tregoj më pas, – tha dhe u nisën tutje nga një pyll i madh me
pisha kur në cdo 50 metra ngriheshin qendrat e zajrrit që të jepnin idenë që nga çasti në cast mund të sulmonte dikush.
– Ulemi aty ku ka diell që të thashë rrobat, – tha ajo.
– Mos u shqetëso, nuk kam rënë diku, po… – Thad he i tregoi të vërtetën dhe filloi të hiqte
rrobat. Hoqi pardesynë, trikon i vari në një degë pishe.
– Nuk di ç’mund të bëj për ty, kur e shikoj që asnjë mundësi s’kemi të jetojmë bashkë…
– Përqafomë, vetëm përqafomë të ndjej praninë tënde, kaq dua derisa unë të mësohem me
largësinë…
Mund të drejtojmë një institucion, mund të drejtojmë një shtet, po, edhe botën mund ta drejtosh, por të drejtosh zemrën, se nga duhet të shkojë s’mundesh dot. Ata ishin të dy të ndërgjegjshëm për pamundësinë e të qënit bashkë, mijëra herë bënin plane, se si të largohen nga njëri – tjetri për të mirë të njëri – tjetrit, po aq herë përfundonin në krahët e njëri – tjetrit. Putheshin me mall, pa e dalluar epshin… ai digjej nga flakët e mallit. Puthjet epshore, zgjasin aq sa mbaron epshi, ndërsa puthjet e tyre zgjasnin deri në largimin nga njëri – tjetri e kënaqësia ishte përtej epshit, përtej seksit. Ai kurrë s’e kishte zhveshur atë, se mendonte mos do t’i zhvishej veli hyjnor i dashurisë, apo mbase atë akt e quante përdhosje të femrës, apo si një poshtërim ndaj saj, apo si hakmarrje, gjë që kështu mbase e konceptonte, kur kryente marrëdhënie me gruan që e detyroi Partia të martohej…
Rrobat e trupit u thanë, ca nga zjarri i dashurisë, ca nga rrobat dhe trupi i vajzës që rrinte shtërnguar pas tij.
– Më duhet të kthehem…
– Sot nuk keni mësim, rri me mua…
– Ku? Si? Mos kërkon të më përjashtojnë nga shkolla?
– Ju nuk jeni nxënës, jeni studentë dhe keni të drejtë të shkoni ku të doni në kohën e lire…
– Po ti nuk do ikësh…?
– Nuk kam me çfarë të iki, treni ka kohë që kaloi, makina s’ka…
– Shko në hotel atëherë dhe unë shkoj në konvikt.
Nuk di çfarë bëhet nesër, mbase më arrestojnë, mbase më vrasin, mbase… rri me mua sonte, ja, aty në atë qendër zjarri të të mbaj kështu në krahët e mi gjithë natën. Mos ki frikë nga unë, të kam të shenjtë e të shtrenjtë! – Tha duke e shtërnguar fort me lot në sy.
Mbi gjethet e thata, nën tavanin e betontë të kupolës, dy gjallesa shtërnguar pas njëri – tjetrit dridheshin, sa nga të ftohtit, po aq nga angthi i së nesërmes. Ashtu e mbështjellë nga krahët e tij dhe me pardesynë që tashmë ishte tharë shtërngonin njëri – tjetrin deri, kur dielli doli e pushtoi gjithësinë, po asnjë rreze nuk ra mbi ta. Të ftohtit kishte pushtuar shpirtrat e marrë flakë nga dashuria.
– Ris, – foli ai pasi pa orën dhe duhej të ikte të kapte trenin… – Të lutem bëj kujdes, mos
beso asnjërit…
– Mos ki merak…
– Ti nuk e di si ngrysen ditët dhe gdhihen netët pa ty! Me duket se po çmëndem!
– Të lutem, kujdesu për vete, mbase fati do na ndihmojë…
– Sa mirë që ti nuk i koncepton dot gjërat se si janë në të vërtetë, po më thuaj mua që i kam
mbi shpinë…
E mbyllën takimin me puthje e me lot e lotët i vunë zjarrim sërish mallit. Ai vrapoi për nga stacioni, ajo për në konvikt…”

About Post Author