ZYBA HYSA-Oh, populli im… Eh, populli im!


OH, POPULLI IM… EH, POPULLI IM!

(Kushtuar BE – së + Qeverive shqiptare)

Ne sulemi të trokasim në portë,

Ku asnjëherë nuk u hap një derë,

zgjatet një dorë e të thotë:

”Mirë se vjen!”

Ne… vrapojmë për andej…

Harrojmë kush vjen për këtej,

Ulur këmbëkryq në qoshe,

Si të kishte odën e vet,

Pranë oxhakut bubulak tallet e qesh me ne,

Ndanë djersën tonë me tanët,

Në qebap rrotullojnë ëndrrat tona,

Deri ato bëhen shkrumb,

Si kokoshka prej një misri hibrid,

Që kurrë s’plasin…

O popull trumcak!

Që mbete duke derdhur gjak

E gjakun ua jep në kupë për të marrë fuqi,

Të hipin në qafë,

Si zgjedhën që u vëmë qeve

Për të punuar arat tona,

Por qete, ju e dini…

Kashtën hanë.

Ku shkon gruri dhe misri??

O populli im… o shpirti im!

Ta ndjej dhembjen që ka shkuar gjer në palcë,

Ta ndjej ankthin prej zhgënjimit të bijve tanë,

Që flasin shqip e shqip s’mendojnë…

Ta ndjej aq shumë, sa me lot dua të laj…

Po… a lahet tradhtia te qajme!

Më thuaj ti, populli im,

Me çfarë ta lajmë?

Ja… po shaj me më të pistat fjalë,

Ja… po shkoj t’i puth dorën si babai i Hektorit, Akilin,

Ja… po shkoj t’i kërkoj arësyen,

Ja… po shkoj të derdh thesarin…

Po ujkut si vjen marre se i thua Ujk,

Akilit modern kur i puth dorën të bëhet “urë”

Por Ty Prapë të lë të futesh në lumë…

Po, ku ka arsye që t’i mbushë mendjen të çmendurve?

Ç’është thesari im,

Kur ata mbajnë çelësin e thesarit tënd???

O, populli im!

Oh, populli im!!

Eh, populli im!!!

Populli im i mirë,

Popullim im i fisëm,

Populli im i brishtë,

Shpirtin e ke të butë,

Si petale luleje në pranverë,

Zemrën e ke të madhe,

Më e madhe se e gjithë bota e gjerë,

Ndaj kanë hedhur e hedhin valle,

Lugetër, lakenj e luciferë…

E kur ke ndjerë dhembje të marrë,

Je ngritur…

Ke vrarë…

Por të kanë therë…!

Ooooo, populli im!

Oooooh, populli im!!

Eeeeeh, populli im!!!

About Post Author