Zyba Hysa-Përbindëshi i zi…


PERBINDESHI I ZI…

Shumë mendimtarë egzistencialistë,
Shkojnë deri tek mohimi i Zotit,
Pse njerzit besojnë ato që ndjejnë,
N’vend të asaj q’prekin dhe shohin…
Unë isha me ta dhe kundër tyre,
Pa e parë me sy, prekur me dorë,
Ç’mund të ndjejë njeriu i gjorë!

Po, ç’faj kanë shqiptarët e shkretë,
Si foshnjë jetuan të lidhur n’shpellë,
Ku shikonte vetëm hijet e djallit,
Dëgjonin oshëtimat e të marrit,
Dhe u dashuruan me këto hije,
Duke u nisur prej oshëtimës,
Pa e parë… pa e prekur jetën,
Po cili t’i thosh’ të vërtetën!

Të biesh n’dashuri me hijet,
Ashtu siç “dashurojnë” nga facebooku,
Pa u parë me sy, pa u prekur,
Krijuan shqiptarët mijëra poezi,
Mijëra këngë,
Gjer hyjnizuan, përbindëshin i zi!

Pas viteve nëntëdhjetë,
Doli nga shpella foshnja e shkretë,
Nga errësira, n’diellin modern,
Askush si tha një të vërtetë,
Vrapuan fushës si tufë me dhen,
Disa morën malet për një jetë të mirë,
Të tjerë i hynë detit me këmbë,
Shumë gra e vajza nga sytë këmbët,
S’dua ta them… Zotit i vjen rëndë,
Tutorët e shpellave, dobiçat barbarë,
I shitën tregut t’mishit të bardhë!

Gjithë mendjendriturit e ferrit të Dantes,
Q’dinin të shihnin edhe nga shpella,
U dhanë nga një vizë, pasaportë,
Dhe i degdisën nëpër botë…

Delet e shpellës më të errët të shekujve,
Të mbeteshin si tufë pa bari,
T’i hante ujku pa fare mundim,
Ndaj kur e pa keq populli martir,
Thirri aqsa mundi për shpëtim!

Ndërroi kastumin përbindëshi i zi,
Nga të kuq flakë, në blu dhe mavi…
Bari u shfaq përsëri!

Dhe shkuan vitet gati tridhjetë,
Bariu blu hëngri aqsa deshi,
Askush s’e shau,
Askush s’e përqeshi,
Kur i doli boja kostumit blu,
Shkoi e veshi kostumin mavi
E pse e vishnin njerës të tjerë,
Trup e shpirt është po Ai,
Përbindëshi i zi!

Ngazëllenin delet dilnin në shesh,
Ku dritat verbuese të fjalëve,
I kthyen si në shpellën diktatoriale,
Ku i thurnin këngë e poezi,
Përbindëshit të zi!

O populli im martir,
Edhe pse vuan “ndjehesh mirë”
Si se kupton përralla, “kësulëkuqja”
Ka ndërruar role,
Ujku mbush shportën me ushqime,
E tund e shkund nëpër podiume,
Më pas e merr shportën me vete,
Ha… aqsa ngopet
E prapë të shkund thërrime…

Dikush mundohet të çelë sytë,
Dobiçat e përbindëshave të gjithë kryetarë;
Dikush tek “Të drejtat e Njeriut”
Dikush “Ambasadorë Paqeje”
Dikush kryetarë shoqate,
Të gjithë u kthyen “Misionarë”
Syndriturit keqas i verbojnë,
Dhe prapë se prapë,
Delet e shkreta kryetarët dëgjojnë,
Aqsa po t’thuash një të vërtetë,
Kundër e ke dhe popullin vetë!

S’di çfarë të them,
Shpellarët e stepave,
Me ne ndërruan vend,
Duke u shpallur racë fisnike,
E ne fisnikët e vërtetë,
Na mbyllën në shpellë!

Po zgjohu o fisniku im i trembur,
Ti ke ngritur Perandori,
Po ngaqë ishe kaq bujarë,
Afrove në sofër barbarë,
Dhe barbari nëpër shekuj,
Të hengri bukën,
Përmbysi kupën,
Dhe tash beson ata prapë,
Oh, ç’mëkatë!
……………………………………….
Shumë mendimtarë egzistencialistë,
Shkojnë deri tek mohimi i Zotit,
Pse njerzit besojnë ato që ndjejnë,
N’vend të asaj q’prekin dhe shohin…
Tash edhe unë jam me ta,
Kur dua të them një të vërtetë,
E pse Zotin adhuroj,
Mohoj dhe Zotin vetë!

/ZYBA HYSA/

About Post Author