Zyba Hysa-Rri e rri… e flas me ty!


RRI E RRI… E FLAS ME TY!
(Kushtuar I.Luzaj)

O ëngjëll… qofsh i bekuar,
Po të pyes edhe një herë!
Pse njerëzia rri zemëruar,
Edhe kur u bëj veç nderë!?

Cili na ka ngatërruar,
Me fjalë ëmbëla – helm?
Pse vallë kaq qorrolluar,
Bijtë gjallorë mbenë!?

Le të ishin edhe pa sy,
Dhe pa veshë le të ishin,
Më thuaj, po të pyes Ty,
Shpirt e mendje kishin!?

Përbindëshi q’të përndoqi,
Me hiena e me çakenj,
Bijtë e tu i trullosi,
Për tu dukur “të mëdhenj”!

O ëngjëll, që lëshon dritë,
Tej… e tej… për sydritët!
Po si vallë duan me ikë?
Dritës fshihen lakuriqët!

Kur e panë q’drita jote,
Po ndriçonte shpirtra tjerë,
Xhelozuan, me hu* shqope,
Më qëllojnë, derdhin vrerë!!

Mendjen q’e kanë për vete,
“Mediokre” – më thonë mua!
Pse shijova mjaltë blete,
Dhuratë nga hojëzat e tua!

Kush gjithë jetën çpon të tjerë,
Nuk ka kohë të krijojë mjaltë!
Si brumbull mbledh ç’të gjejë,
Topa – topa, pleh dhe baltë!

O ëngjëll, kam shumë frikë!
Mjaltin tënd që ke gatuar,
Nga hojëzat ashtu me nxitë,
Ta përziejnë për ta shijuar!!

Me mjaltë hojesh, jam mësuar,
S’mund të “ha” kur ta përzjejnë!
Ndaj Unë shpesh kam kundërshtuar,
Nga kjo gjë, brumbujt, m’urrejnë!

Kjo urrejtje më bën nderë,
Më ushqen me zjarr dëshire!
Helmi i tyre kthehet verë,
Shkrinë tek Unë, ego – cmire!

O ëngjëll, q’rri pranë Zotit,
Foli Zotit, dorën t’u mbajë,
Unë e di… dhe më të fortit,
Ja thyen dorën dhe pa fjalë!

Veç atëherë Unë Dhe Ti,
Në parajsën e qetësisë,
Ti pranë Zotit si një hyjni,
Unë simbol i drejtësisë!!

O ëngjëll, qofsh i bekuar,
Mos u lodh më me mua!
Shko tek janë të qorrolluar,
Shtrydh mbi ta hojet e tua!!

About Post Author