Zyba Hysa:
Të divorcohesh është ndershmëri…
(Tregim, bazuar në ngjarje të vërtetë)
Ishin vitet e para të rrëzimit të komunizmit dhe vendi ishte përfshirë në amullinë e kohës pa kohë të mirë për shqiptarët, ndaj njerzit ishin shpërfytyruar, ca nga mungesat ekonomike, ca nga ankthi, se çfarë i priste pas një sistemi kaq të mbyllur, thua se kishin qenë në një burg gjigand, aqsa kufijtë e Shqipërisë, se vetëm burgjet rrethohen me tela me gjemba e më keq akoma, me klon korenti…
Kështu, unë kisha fatin të prekja Amerikën, i ngarkuar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për të dërguar disa dekorata, dhënë nga Presidenti Berisha dhe ai kontakt me tokën përtej oqeanit më kishte mrekulluar, mbresat e ditëve ishin vërtet të jashtëzakonëshme, por ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte dita që më shpunë tek lodrat relaksuese, ku shoqëruesi im, pasi më dërgoi tek të gjitha, në fund më tha:
– Po deshe të flesh si qingj në darkë, futu tek ajo rrjeta e madhe, ku janë ato njerzit që hidhen pupthi.
– Po tallesh me mua, më duket, – i thashë e pse aty vërtet kishte të rritur që loznin, por prapë se prapë s’më besohej.
– Po futem unë i pari, – tha dhe sapo hyri filloi të hidhej përpjetë si ndonjë fëmijë harrakat.
E pashë pak çaste dhe pse u duk idiotizëm, për të mos e dhënë veten, hyra dhe unë e sapo u futa, u hodha përpjetë me sa munda dhe pashë që të gjithë ç’qenë aty u rrëzuan dhe bashkë me ta, u rashë edhe unë mbi një grua, e cila mundohej të shpëtonte trupit tim të bëshën (unë jam shumë i gjatë dhe muskuloz), por kur e pa të pamundur, e lëshoi veten plotësisht.
Për disa çaste e humba fare toruan, u ndjeva shumë në siklet dhe ç’ishte më e keqja, si të bëja me gruan që kisha nën vete, ndaj i dhashë trupit të ngrihesha, por rrjeta më hidhte përsëri mbi të, derisa erdhi shoqëruesi im dhe më ngriti duke më tërhequr prej duarsh dhe gjëja e parë, i kërkova ndjesë gruas, e cila tashmë qëndronte para meje e bërë lulëkuqe në fytyrë.
– Asgjë, ishte kënaqësi… u argëtuam…
– Po s’duhej të ndodhte…
– Gjërat ndodhin zotëri, ne thjesht i përjetojmë, unë e përjetova këndshëm, – tha ajo dhe buzëqeshi aq ëmbël, saqë më paralizoi gjuhën…
– Lozim përsëri? – Tha ajo dhe më kapi për duarsh, ashtu siç kapim fëmijët dhe filloi të hidhej përpjetë me një të qeshur si gurgullimat e burimeve në viseve të mia…
– Boll! Do iki tani! – Thashë unë në formë urdhëri, ashtu siç e kemi ne shqiptarët, se druhesha se mos rrëzohesha përsëri, por ajo bënte sikur s’dëgjonte dhe hidhej si pupël e aqsa herë kalonte para meje, sytë e mi pushtoheshin me vetëtima.
Ndjeva një turbullim drithërues, saqë s’po e përballoja dot, ose duhet të ikja, ose duhet të rrëzohesha me dashje sipër saj e të mos shikoja në ka njeri aty.
– Dëgjo! – I thashë, – më duhet të largohem patjetër…
– Mishel, më quajnë… jam angleze… cili është emri juaj?
– Agim! – I thashë.
Ajo u hodh përsëri dhe më lëshoi duart dhe kur ra poshtë m’i rrethoi për qafe…
– Çfarë kuptimi ka emri juaj?
– Mëngjes, momenti kur lindë dielli…
– Uau! Ç’emër i bukur! Eja dalim… edhe mua më pret im shoq…
Përnjëherë i largova duart nga qafa dhe u përpoqa të dal, por sapo hodha 2 hapa rashë, por jo mbi të, ajo erdhi pranë meje dhe unë tani kisha mbi kokë një hënë të plotë e të bukur si në një natë maji.
Femrat shqiptare janë të bukura, por puna dhe dielli i fortë u japin pak hije të vrazhdë, ndërsa ajo ishte si petale trëndafili, e brishtë, e bardhë, sy kaltër e flokë verdhë… ndaj në këtë turbullim vorbullak m’u duk sikur hëna shkaktoi eklips dhe sytë u errësuan.
– Të ndihmoj unë! – Tha ajo dhe më zgjati duart e saj delikate, të bardha, të buta…
Qielli më ra përsipër dhe hëna më rrëshqiti në gji, isha dhe s’isha unë, isha dhe s’isha në realitet, por zëri i saj tingull qelqi më përmendi dhe i dhashë trupit e përfundova në krahët e saj…
– Më falni…
– S’ka gjë mbahuni, si duket s’keni lozur ndonjëherë… nga jeni ju?
– Nga Shqipëria!
– Albania?
– Po!
Në këtë kohë erdhi shoqëruesi dhe më futi krahun, siç e kemi ne shqiptarët dhe më tërhoqi drejt daljes dhe unë s’guxova të ktheja kokën pas, por pasi bëmë disa hapa, dëgjova zërin e saj tingëllues që më thirri:
– Agim!
– Mishel!
– Merre këtë numur telefoni dhe dalim ndonjë ditë…
– Jo, Mishel, unë pas disa ditësh do të nisem për Shqipëri, por ajo pa e mbaruar unë fjalën, më la kartvizitën në dorë dhe iku me vrap, si duket tek bashkëshorti i saj.
Ne hipëm makinës dhe shkuam në banesën, ku kisha disa ditë që isha akomoduar dhe as ai nuk më pyeti, as unë nuk i thashë asgjë, mbase këtu në Amerikë nuk u bëjnë përshtypje gjërat, mbase edhe këtu s’e kanë problem, ndaj mund të përjetoj disa ditë romantike me anglo – amerikanen e bukur dhe gjithë natën e kalova pa gjumë, kurrë s’më kishte ndodhur kjo, se në Shqipëri, vetëm t’i vësh syrin një femre dhe s’diskutohet që e ke në dorë, aq më shumë, kur je i veshur me pushtet, siç kam qënë unë… por dihet, të gjitha në fshehtësi, apo punë e madhe se flasin njerzit, boll të mos të kapin mat, se si do të justifikohesh tek familja…
Me thënë të drejtën, qysh kur zbrita në Amerikë, si me magji u fshi jeta që kisha lënë pas dhe sonte më dukej sikur për herë të parë kisha njohur një femër, në Shqipëri, boll të ishe i zoti të kaloje aqsa më shumë femra, se këtu tregohet zotësia e mashkullit dhe si do të shtynin kafenë me shokët, ja, ashtu duke treguar “qyfyret” e femrave…
Kaloi ajo natë me afshin e prekjes së saj dhe kushedi sa e sa takime mendova gjithë natën, era e parfumit, butësia e lëkurës, vështrimi i syve, fresku i flokëve, kur ulej e ngrihej para fytyrës sime, më lanë pa mend e pa gjumë deri në mëngjes.
U ngrita dhe hyra në dush, s’më kishte ndodhur më parë, prekja trupin, në mend kisha atë dhe më dukej sikur më prekte ajo, aq shumë e ndjeja praninë e saj, saqë bëra “dashuri”.
Dola, u vesha dhe zbrita me hap pupul në dhomën e ngrënies, ku mëngjesi ishte gati, u ula dhe filluam të hanim. Kisha oreks!
– Sot do të shkojmë tek muzeu…
– Ok, – thashë, – dhe futa dorën në zhep e nxora kuletën, ku kisha vendosur kartvizitën e Mishelit.
– Duhet të bësh kujdes me femrat këtu në Amerikë, ka lloj – lloj… – Më këshilloi shoqëruesi im.
– Ajo vetë ma dha kartvizitën…
– Të japësh kartvizitë, s’do të thotë asgjë, përkundrazi, është kulturë, por duhet të dishë me kë ke të bësh, se mos është e martuar dhe të piu e zeza, apo më mirë të them, duhet të kesh kujdes, se mbase të akuzon për përdhunim, apo ku ta dishë se çfarë qëllimi ka… Po deshe të bësh seks, ka vende të caktuara…
Më shkuan të dridhurat në trup, por s’po kuptoja, nga frika, apo nga emocionet që më ishin çmendur qysh dje dhe rrugës për në muze, as vetë s’e kuptova se si nxora katvizitën dhe formova numurin e Mishelit, por telefoni e kishte të zënë, fliste me dikë, ndaj menjëherë e mbylla telefonin dhe e futa në xhep, u pendova që e mora. Po sikur ta shikonte i shoqi numurin tim? U shqetësova shumë, por për çudi, aqsa më shumë shqetësohesha, aq më shumë ndizej dëshira për të folur me Mishelin…
Pasi mbaruam vizitën në muze, gjë që e kalova më shumë në ankth, u ulëm për të ngrënë në një restorant dhe pas pak ra telefoni, por e lashë pak çaste të bjerë me shpresë që të pushonte, por jo, ai vazhdonte të binte, ndaj e hapa.
– Agim!
– Alo!
– Ku jeni?
– Jam në një restorant pranë Kullave Binjake…
– Aty prit, se po vij, s’jam shumë larg…
Filluam të hanim dhe shoqëruesi im as pyeti, as më qortoi, as më këshilloi më dhe pas dhjetë minutash ia behu, ajo, Misheli, e veshur me një fustan rozë e hapur ishte shndërruar si një trëndafil erëmirë që mbillte nëna ime para derës së shtëpisë, e qeshur deri në thua, erdhi dhe u përshëndet me shoqëruesin në fillim dhe mua më puthi faqet.
– Agim… kam rënë në dashuri! – Tha ajo shkurt, prerë dhe serioze.
– Çfarë… si… je e martuar? – Më dolën disa pyetje të njëpasnjëshme, pa pritur përgjigjen e tyre, thjesht për të marrë veten.
– Problemi s’qëndron tek unë, por tek ju…
– Pse qëndroka tek unë?
– Se unë e ndaj burrin… po ti je i martuar?
– Po, jam i martuar, kam edhe fëmijë…
– Nëse ndjeve diçka për mua, ndaje gruan dhe unë të ndaj burrin dhe martohemi bashkë…
– Pse u dashka të divorcohemi vetëm se duhemi, mund të shkojmë bashkë edhe kështu…
– Çfarë!? Të tradhëtoj burrin dhe më pas të të rri prapë me të, kjo gjë kurrë s’ndodh me mua, unë të jap fjalën, se nëse ju ndaheni nga gruaja, unë do të kërkoj divorcin bashkëshortit, tradhëtia ndaj burrit është tradhëti ndaj vetes sime, ndaj Zotit, se kur jam martuar në kishë, jemi betuar para altarit.
– Mishel, qetësohu… pse qënka më mirë ta ndash burrin sesa ta tradhëtosh?
– Agim, e qetë jam, po flas me logjikë të pastër, por më shqetësoi mendimin juaj… të divorcohesh është ndershmëri, je i falur edhe para Zotit, të tradhëtosh është imoralitet dhe kjo më shkakton gjendje të pështirë dhe më bën të ndjehem keq. Po të isha pa martuar, s’kishte asnjë problen, do të shijonim këtë që na ka lindur dhe do të shikonim se si do shkonin gjërat… – Mendova se do ta vlerësoje këtë ndjenjë të bukur që erdhi nga qielli, por mënyra se si e konceptoni ju dashurinë, më lëndoi, unë s’jam grua rrugësh, jam femër serioze dhe me ndjenja… por mbi të gjitha jam me dinjitet! – Tha ajo dhe u ngrit pa përshëndetur, bëri disa hapa dhe u kthye përsëri:
– Numurin e telefonit e keni, nëse ndërroni mendim, më telefono… – Tha ajo e dëshpëruar.
Ne mbetëm si mumje egjypti; as folëm, as guxonim të shikonim njëri – tjetrin, as të shoqëronim me sy ikjen e saj, për herë të parë në jetën time, ula sytë i turpëruar…
