Zyba Hysa:Cili dashuron, zotin njeh!


Zyba Hysa

Edhe largësia e gjatë të mban lidhur,
Përmes kujtimeve mbushemi me mall!
Unë jam një grua… që s’kam përfillur,
Pengesat e dashnisë, për t’qenë gjallë!

S’më largojnë largësitë, as koha e gjatë,
Brenda kohës dhe hapësirës jemi dhe ne!
Më largon harresa për të çuar një mesazh,
“Unë jam gjallë, vetëm, se Ti gjallë je”!

Atëherë hapësira mbushet me frymë,
Si pjesë e hapësirës edhe unë frymoj,
“I gjalli me të gjallët” – Thotë populli ynë!
Ndaj fshij pengesat… frymët bashkoj!

Frymë më frymë… shpirt më shpirt!
Vetë universi imiton të dashuruarit!!
Nga bashkimi ynë, fiton më shumë dritë,
Merr energjinë e të bashkëvepruarit!

Kur ne jemi bashkë, vetë Zoti qesh,
Bekon dashurinë, është fryma e tij!
Magjia që shpirtrat tanë i dredh…
Bën të besojmë; Zoti ësht’ NJI!

/ZYBA HYSA/
TIRANË, MË 30 NËNTOR 2021

 

 

 

 

About Post Author