Zyba Hysa:Ç’ndodh në një dashuri, kur njeri tradhëton….


Çndodh në një dashuri, kur njeri tradhëton….
(FRAGMENT NGA ROMANI “NUK JAM ZONJA BOVARY)

Sapo u ul ajo nuk e përmbajti dot veten, po u shkreh në lot.
– Të lutem, mos më bëj të ndjehem edhe më keq…
– Kush mendon për të keqen time? – u përgjigj ajo dhe lotët shtuan vrapin.
– Unë… Mendon ti se unë nuk kam vuajtur këto ditë? Mendon ti se unë s’kam menduar për gjendjen tënde? Nuk kam bërë gjumë, Do, e kam ndjerë deri në palcë dhimbjen tënde!
– Jam shumë e fyer për të besuar çfarë thua…
– E di, meritoj çdo gjë nga ty, por vetëm mos më braktis. Mendo që të dua shumë dhe kjo dashuri më bëri të gaboj, se Mirinda bëri shantazh deri ia arriti qëllimit, por unë kurrë se kam dashur dhe as e dua. Nuk di të kuptoj veten, Do, mbase nje pjesë e qenies sime vepron pa më pyetur, mbase mishi im, por shpirti ka qenë përherë me ty, Do, – tha me sy të përlotur dhe u ngrit që ta puthte, por ajo u shmang, ndaj ai u ngrit dhe i shkoi pranë, mbështeti duart në tavolinë dhe i tha:
– Do të më qëllosh, qëllomë, do të më thuash fjalët më të poshtra, thuami, por vetëm mos më braktis…
– Si mos të braktis, kur më ktheve krahët e shkove në krahët e një tjetre?
– Të lutem, le t’i japim një mundësi njëri – tjetrit për të vazhduar se ngandonjëherë duhet të gabojmë që të kuptomë se kemi gabuar dhe të mbrojmë ato që i kemi të shenjta. Që të nesërmen, Mirinda u transferua në shkollë tjetër. Të lutem besomë, ajo vetë më shtynte…
– Të lutem mos e përmend më atë emër… – tha dhe fshiu lotët e u kthye nga Ladioni. – Ulu dhe dëgjomë, unë nuk lyp dashuri, se dashuria nuk është lypsare, as pasuri, ajo ushqehet me përkushtim, por kam të drejtë të kërkoj besnikëri, gjë që ti nuk e ke.
– Të thashë edhe më parë, ajo pjesë e qenies sime që të përket ty, ka qenë, është e do të jetë besnike, shpirtin nuk ia kam falur njeriu tjetër, atë ta fala ty…
– Nuk mjafton për një dashuri vetëm shpirti… Janë shumë elemente që e bëjnë dashurinë funksionale dhe të qëndrueshme.
– Jepmë një mundësi dhe do të shikosh që nuk do t’i mungojë asnjë element dashurisë sonë…
– Ti e di që unë nuk kam njeri këtu që të flas e t’i besoj…
– Lërmë të qëndroj afër si shok, derisa ti të bindesh që unë të dua vetëm ty, që kurrë nuk do mund të gabojë as dhe ajo pjesë imja që nuk e komandoj dot.
– Për këtë ke të drejtë, vërtet duhet të japim një mundësi njëri – tjetrit, por pa gënjeshtra, pa të fshehta…
– Do, nuk mund të jetoj pa imazhin tënd, pa fjalën tënde të sinqertë, pa atë të qeshurën tënde të ngrohtë, pa këto orë që na kanë rrëzuar vitet dhe na kanë bërë të rinohemi dhe të pushtohemi me një dashuri rinore.
– Po kjo nuk do të thotë që të sillemi si adolishentë…
– Duhet të mos e kujtojmë më atë gabim, po të mësojmë për të forcuar dashurinë tonë, nuk do kemi mundësi të gjejmë njeri tjetër që të duhemi kaq ciltërsisht…
– Mos më fol për ciltërsi, kur me mua nuk qëndrove i sinqertë…
– Të lutem, nëse do më kujtosh këtë gjë, do bësh që të largohem më shumë nga ty, gjë që nuk e dëshiroj.
– Nuk do e përmend më, por bëmë të besoj, që të mund të kthehem sërish aty ku e lamë…
– Do, të dua… ndryshe nuk do isha kaq i cmendur… – tha dhe i mori duar në pëllëmbë e filloi t’ia ledhatonte me dashuri.
Dorisa i lëshoi duart nën ledhet e tij dhe u ndeshën me përlotjen e njëri – tjetrit. As vetë nuk e kuptuan se si u afruan dhe u puthën me një puthje që nuk digjte, por fliste shumë.
– Do, sot jam më i sigurt se ditën që të putha për herë të parë. Atë ditë as unë e as ti nuk e kuptonim se cfarë na ndillte drejt njëri – tjetrit, sot jemi të vetëdijshëm për cka bëjmë e pse përsëri u puthëm pa vetëdije. Ne kuptojmë që i kemi munguar njëri – tjetrit. Të jap fjalën që kurrë nuk do e kthej kokën asnjë gruaje tjetër, cdo ditë këtu, cdo fundjavë do dalim jashtë qytetit e kur të kemi mundësi, do shkojmë të pushojmë disa ditë larg që këtej. Nuk t’i them këto që të bind ty, por qëtë them se në c’përfundim kam dalë. Unë jam yti.
– Shumë gjëra i kemi ne në dorë, por koha është ajo që na ndihmon, apo na pengon për të realizuar ato. Në cdo kohë duhet të pyesim veten mos kemi ngatërruar rrugën për të shkuar atje ku duam.
– Ja ku po të them; nëse ti divorcohesh, unë do të martohem me ty dhe do vdes me ty…
– Nuk do kishte gjë më të dëshirueshme edhe për mua, por se si rrjedhin ngjarjet, as unë e as ti nuk e di, e rëndësishme është që ne të jemi të sinqertë me njëri – tjetrin dhe të duam njëri – tjetrin. Nëse nuk vij me vrap për këtu, unë nuk mund të nisem për këtu. Sot isha me hap dyshues, por tani, as vetë nuk e di, por paskam humbur gjithë këto ditë pa të parë e takuar. Të lutem, edhe nëse do të duash dikë tjetër, më thuaj e unë do të gjej forca të përballoj…
– Të thashë , do të vdes me ty…
– Më duhet të iki… – tha ajo në vend që të përgjigjej.
– Mirë, Do, mos harro të më telefonosh nesër…
– Jo, nuk harroj… – tha ajo dhe u ngrit e përqafoi duke qëndruar pak caste në krahët e tij dhe dolën të dy duke ikur në kahe të ndryshme.
Ladioni nuk shkoi më në shkollë, por u nis drejt shtëpisë me hap të lehtë. Hapi derën dhe u ndesh me foton e Iseldës dhe për cudi iu duk sikur i buzëqeshi. Shkoi në kuzhinë dhe hëngri mirë. Hapi televizorin dhe po dëgjonte muzikë. Ishte disi i qetë, por jo i lumtur. Mbase ndërgjegja nuk i fal lehtë gabimet tona, gjithsesi ai brenda vetes kishte bërë një betim; gjithë kohën e tij do ia përkushtonte lidhjes me Dorisën. Edhe pse ai kishte kaluar orë dëfryese me Mirindën, asgjë nuk kujtonte, sikur një dorë i fshinte sapo ndahej prej saj. Ndryshonte me Dorisën, ai e kujtonte lidhjen me të me ëndje dhe pa shkëputur, sikur ditët shtonin kënaqësinë dhe dëshirën për ta parë sërish, dëshirën për të folur, për të ndenjur gjatë bashkë…
Rrugën, Dorisa e bëri me hap dembel. Nuk po i bindeshin këmbët për të shkuar në shtëpi. Deti e thërriste. Mbase në zemrën e saj kishte lindur një dashuri e re, dashuria për natyrën, dashuri që kurrë nuk e tradhëtonte. Që sa mbante mend, shpesh veçohej nga grupi i fëmijëve dhe shkonte diku mes pemësh, apo mbi një gur dhe përhumbte gjatë. Kjo i bëri prindërit të shqetësoheshin, saqë filluan të dyshonin për ndonjë sëmundje psiqike. Ajo pushtohej brenda bukurisë së natyrës dhe dukej sikur fliste me të, sikur ushqehej prej saj me një lloj kënaqësie që nuk dinte se si ta emërtonte. Shkurt ndjehej mirë, më mirë se kur ishte në shoqërinë e njerëzve. Kjo tërheqje drejt detit e trembi, thua se edhe ajo e kishte tradhëtuar Ladionin, ndaj nxitoi hapat drejt shtëpisë.
Ndodh cudi me jetën njerëzore, marrim vendime duke i menduar mirë, por kryejmë veprime pa menduar gjatë, të cilët rrëzojnë vendimet e marra më parë, si të ishin kështjella me rërë. Të falësh tradhëtinë duke e menduar e duke vendosur se e ke falur është njëra anë, po ana tjetër është se në do ta pranonte ndërgjegja jote këtë gjë. Shpesh ndjenja dhe arësyeja janë në kundërshim edhe kur duken se bijen dakord. Këtë gjë po ndjente brenda vetes Dorisa dhe ishte hera e parë që pas takimit me Ladionin nuk e kishte atë ngazëllim fëminor që e bënte më të fortë se dragoin e të ndjehej mbretëreshë. Në kohën që njeriu fillon e numuron pluset dhe minuset e një lidhjeje, dashuria ka mbaruar, ajo lidhje qëndron vetëm për interesa të ndërsjellta. Po në jetën njerëzore, lidhje të tilla mbisundojnë, ato veprojnë dhe qëndrojnë për të përballuar jetën e përditëshme.

About Post Author