Zyba Hysa:Fragment nga romani: “Nuk jam zonja Bovary”


Fragment nga romani: “Nuk jam zonja Bovary”

– Të mbeten vetëm dy rrugë; – e preu shkurt kryetari i Komitetit Egzekutiv, – ose të marrësh për grua vajzën me të cilën bëre dashuri, ose do pushohesh nga puna dhe mund të shkojë edhe më keq… Ti e di se si vepron Partia me njerëzit që nuk i binden…
– Të thashë që unë nuk e dua atë vajzë, ajo është dhe e fejuar…
– Kur ishte e fejuar, pse bëre dashuri me të?
– Shoku…
– S’ka “shoku” këtu, ti kurrë nuk mund të jesh shoku im, – foli rrepte ai.
– Po ç’faj kisha unë kur ajo vetë më erdhi në dhomë, natën… isha i dehur, pas festës… të betohem për ideal të Partisë që nuk mbaj mend gjë!
– Ajo është komuniste dhe e besuar e Partisë, ajo vepron siç i thotë Partia…
– Do me thënë ka qenë e organizuar kjo? Më paskeni ngritur kurth?
– Djalosh, mos harro se je me njollë në biografi…
Në këtë moment atij i shkuan të rrënqethura në trup e shqetësimi i mpiu dhe palcën. Në vitet e shkollës, sa herë që kontrolloheshin dokumentat, ai mbetej pa frymë, se dikur babai i tij kishte qenë disa muaj kulak, pa shkak, vetëm se ishte i pasur. Në të mijtën e sekondës mendoi tmerrin që kishin provuar njerzit me biografi “të keqe” dhe ngriu në këmbë, thua se dha shpirt, por qëndrimi para kryetarit si statujë e bronxtë provonte vetëm gjallësinë e trupit.
Komunizmi ishte kuçedër që hantë shpirtrat njerzorë e aq më keq në njerzit e fismë u bluante edhe kockat. Atij iu duk sikur u shpla si qenëje njerzore e ndjeu një fre ashtu siç i fusin ariut për hunde dhe nuk ish më i zoti të hidhte këmbët, po priste ta tërhiqte ndonjë. Ai vdiq, por duhet të mbijetonte i vdekur për hir të prindërve, vëllezërve, fisit të tij… ndaj pa e menduar gjatë foli duke ndjerë dhembjen e frerit por pa praninë e trurit:
– Do ta marr për grua…
– Kështu pra të do Partia… Të lumtë! Tani më dëgjo me vëmendje; Njerzit që i binden Partisë, janë më të besuarit dhe tek ti do besojmë ashtu siç kemi besuar tek ajo vajzë që ju do kaloni jetën bashkë…
– Ju lutem, unë dua veç punën që kam të mbaj familjen…
– Puna do mbajtur, që të mbash familjen dhe ajo mbahet duke i shërbyer Partisë për ta ruajtur nga armiqtë e brendshëm që i kemi në familje, në shoqëri, në punë … kudo që jetojmë… Ti do jesh krahu i djathtë i Partisë!
– Ju më thoni të bëhem spiun?
– Jo spiun, shërbëtor i Partisë! Nuk do kesh ndonjë gjë të madhe, do të transferojmë në një fshat, ku do t’i marrësh detyrat në vazhdim nga persona të besuar… Shko tani dhe tëtrashëgoheni! –përfundoi bisedë duke i shtërnguar fort dorën.
Ndjeu “frerin” që e tërhoqi dhe u kthye.. Si një robot zgjati dorën dhe hapi derën. Ftohtësia e dorezëz i solli ndjesinë e gjarpërit. Ai tashmë ishte pickuar nga ky gjarpër për të marrë vetitë e gjarpërit, që helmin e tij t’ua transmetonte të tjerëve. Kështu ishte komunizmi, ai ishte një lloi elektroshoti që të shtrydhte trurin dhe të vriste shpirtin për t’u kthyer “në njeriun e ri komunist”. Tash ai ishte veshur me kostumin e Njeriut të Ri komunist e pse nuk kishte përmasat e tij e një ditë sigurisht do shqyhej e do të rifitonte sërish kostumin e fisnikërisë së trashëguar ndër breza prej fisi i tij…. Mbase…
Kaloi nga Seksioni i Arsimit për të marrë emërimin e ri dhe pa se ishte caktuar në një fshat të vogël si përgjegjës i Vatrës së Kulturës, për të cilën as shkollën për të nuk e kishte. Mori emrimin dhe mori rrugën për nga ai fshat ku do varroste shpirtin që i vdiq disa minuta më parë në zyrën e komitetit egzekutiv.
Për cudi, kur arriti tek puna e re, gjeti vajzën që do martohej bashkë me sekretarin e Partisë që e pritën buzagaz.
– Të trashëgohesh, – tha ai e në vend që t’i jepte dorën përqafoi fort vajzën që do bëhej gruaja e tij.
– Ne do jetojmë këtu disa ditë sa të qetësohet dhe familja ime, se u ndava nga i fejuari për ty…
– Jo, ne do të shkojmë në shtëpinë time…
– Pse nxitohesh o çun, – ndërhyri seksetari, – dhomën ua kemi gjetur dhe ne do na keni pranë për çdo gjë.
Ai e kuptoi që nuk mund të kundërshtonte, ndaj freri e tërhoqi të shkonte pas tyre. Në tavolinë ishin dy filxhanë kafe dhe dy gota raki. Nuk kishte kohë të mendonte, se sekretari urdhëroi vajzën t’i sikllte shishen e rakisë.
– Ti do kesh gjithë zonën për aktivitetet kulturore, ku do kesh
të bësh me vajzat më të bukura të zonës nga të gjitha moshat, si t’i duash… – foli duke shkelur syrin dhe duke hedhur dorën në qafë vajzës që do bëhej gruaja e tij.
– Mua më mjafton një rrogë të mbaj familjen, shoku sekretar…
Dashje pa dashje ai u gjend i martuar në këtë fshat larg famijes dhe afër Partisë. Për të qenë një martesë e suksesshme e ndihmonte shishja e rakisë, ku për çdo darkë ishte pothuaj i dehur. Një ditë vjen sekretari dhe i thotë:
– Gruan duhet ta dërgoni në shtëpi se e keni shtatzënë dhe nuk
e përballon fshatin, atje i kemi gjetur një punë të rehatëshme, ju do rrini këtu dhe keni detyra të reja.
– Faleminderit, sekretar… – foli gruaja, ndërsa ai qëndroi sikur
ishte një spektator e jetës së tij.
Nuk kaluan dy ditë dhe një pasdite, tek rrinte i shtrirë në shtratin e drunjtë që i kishte falur këshilli fshatit, ashtu i dehur, dëgjoi të trokitura të forta në derë, thua se ishte policia.
– Kemi ardhur me porosi të Kryetarit të Komitetit Egzekutiv të
bisedojmë me ju… – foli njëri nga ata që hynë brenda.
– Urdhëroni foli ai i nxitur nga freri që komandonte jetën e tij.
– Kemi ardhur të ngarkojmë një detyrë shumë të rëndësishme,
por edhe të bukur…
– Për çfarë bëhet fjalë?
– Do të ndjekësh një vajzë të pabindur e cila mund të bëhet
rrezik për rininë e zonës.
Ajo ka ardhur nga shkolla me rreth të kuq, ju e dini çdo të thotë rreth i kuq, izolim ose ekzekutim, por ajo ka një të afërmin e saj në Komitet, ndaj do punojmë me zgjuarsi, duke diskredituar atë, kemi njollosur këtë që kemi në Komitet. Meqë është femër, duhet ta degjenerojmë deri në atë pikë saqë njerzit ta tregojnë me gisht… Kjo mjafton! Je i lirë të bësh çdo gjë me të, për këtë është njoftuar dhe gruaja jote e do kesh liri të plotë…
– Nuk po kuptoj se çfarë më duhet të bëj?
– Partia kërkon të dukesh sikur ke rënë në dashuri me të… Punë e bukur ëëëëë? Po duhet të kesh kujdes… ajo ka lexuar shumë, por është sa e zgjuar, po aq naive për realitetin. Ajo jeton me botën e librave, mundohu t’i shfaqesh si nëpër libra…

@@@

Tek po shkruante një program pune për muajin, troket dera dhe pasi ish mësuar me njerëz sa hynin dilnin, pa e ngritur kokën tha “hyr” dhe vazhdoi punën.
Ajo u afrua me hap flladi dhe e përshëndeti me pëshpërimë gjethesh. Ai ngriti kokën dhe për herë të parë ndjeu gjallësi në atë pjesë të qënies së tij që kishte vdekur me kohë. Një fërgëllimë e lehtë ia përshkoi trupin dhe në vend të përgjigjej përshëndetjes së saj, humbi brenda kësaj krijese që nuk kishte takuar herë tjetër jo vetëm në këtë zonë të largët, por askund në jetën e tij.
– Më thanë që më keni kërkuar… – foli ajo kur dalloi shtangjen e tij.
– Po, po… ulu, – i tha dhe filloi të merrte veten dhe në të njëjtën kohë donte të vriste veten që do shkatërronte një vajzë të bukur e të brishtë, si një bime në fillim pranvere që ka nisur të lulëzojë…
– Unë jam…
– E di se më kanë folur shokët e Partisë… do të merremi me organizimin e koncertit që do të jepet nëpër brigada me rastin e festës së Çlirimit të Atdheut. Ju keni ardhur nga bankat e shkollës dhe sillni frymën e re… – filloi ai të bënte punën e ngarkuar dhe ai fërgëllim që i përshkoi trupin iu shndërrua në breshër kokërrmadh brenda tij.
Çfarë të ishte vallë? Ai kurrë nuk kishte pasur as gëzim e as dhembje që nga dita e bisedës me Kryetarin. Mos po përgatiste fundin e tij???
Që nga ajo ditë, ai nuk iu nda asaj, ajo në punë, ai i shkonte atje për ndonjë arësye pa arësye, ajo në aktivitete me rininë, ai atje, ajo nëpër mbledhje, ai e shoqëronte për atje dhe e priste për ta dërguar në shtëpi. Filloi një lloj gjendjeje që vërtet vajza nuk e duronte dot dhe shpesh ia thoshte që të mos vinte pranë saj, se njerzit do të pëshpërisnin dhe ju jeni edhe i martuar… Ai nuk po e kuptonte më se çfarë e nxiste të rrinte kaq gjatë me të, detyra, apo dëshira për të biseduar me të, për të ndjerë praninë e saj, zërin e saj, frymën e saj, magjinë e saj që shpërndante në mençurinë dhe sinqeritetin e saj… Brenda tij filloi dueli i detyrës dhe i ndjenjës. Punëdhënësit e qortonin që ai nuk e kishte “shtënë në dorë”. Kushedi sa herë kishin qënë vetëm, ditën apo natën e ai nuk kishte guxuar të zgjaste dorën. Se ç’kishte një mburojë ajo vajzë që bëhej barrikadë i epsheve mashkullore, ajo të nxiste gjëra më të magjishme se epshi, ajo pak nga pak ia solli në jetë shpirtin e tij të varrosur dhe nuk kishte më as më të voglën frikë se çfarë mund të bënin me trupin e tij…” (Zyba Hysa: romani ” Nuk jam zonja Bovary” Doreshkrim) 

About Post Author