Zyba Hysa:”Gjergj Kastrioti – Skenderbej”


ZYBA HYSA: NE KUADER TE 555 VJETORIT TE IKJES NGA KJO BOTE E GJERGJ KASTRIOTIT, PO PUBLIKOJ NJE FRAGMENT NGA ROMANI HISTORIK “GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEJ”
***
Këmbanat e kishës ranë fiks në orën 8 mëngjesit, atëherë, kur të gjithë të ftuarit kishin zënë vendet e tyre dhe prifti kishte dalë në foltore për të kënduar meshën në mbarësi të Kuvendit të Arbërit…
Pasi mbaroi së kënduari, prifti mori një enë të lyer me ar, ku kishte mbështjellë coprat e bukës së meshës, ku mes tyre vetëm njëra ishte mbështjellë me copë të kuqe, ndërsa tjerat me të bardhë, gjë që do të thoshte, se ajo i përkiste Kryezotit, Gjergj Kastriotit, ndaj i pari shkoi Gjergji dhe prifti hapi copën e purpurtë dhe i futi në gojë bukën “e bekuar”. Kështu bënë të gjithë princërit Arbnorë dhe pasi zunë vendet, prifti në vend të ulej, doli nga një derë e mbrendëshme dhe s’erdhi më.
Pa e vënë re ikjen e priftit, Gjergj Kastrioti doli në foltore, vështroi të gjithë me radhë dhe zemra u bë mal, kur dalloi, se të gjithë kishin ardhur dhe kisha s’kishte qënë ndonjëherë më e bardhë, sesa sot në këtë Kuvend madhështor, ku do të vendoseshin fatet e Krishtërimit, fatet e ardhmërisë së racës arbnore, si raca e përzgjedhur nga hyjtë për të përcjellë në njerëzimin Frymën Hyjnore të Shkrimeve të Shenjta, ndaj pa humbur kohë, ai e hapi Kuvendin me fjalët:
– Princër arbnorë, vëllezërit e mi të Gjakut dhe të Besimit, vëllezërit e mi të Mbrojtjes së Krishtërimit!
Kemi ardhur sot në këtë Kuvend, për të folur si vëllai me vëllanë, ashtu vetëm me gjuhën tonë, vetëm me shpirtin tonë, me Besa – Besë, ashtu siç na mëson besimi ynë Krishter, bazuar në Shkrimin e Shenjtë, me Besën mes nesh dhe Perëndisë dhe mes njëri – tjetrit!
Kam arritur në përfundim, se marrëdhëniet tona me barbarët janë si lumenjtë; ne jemi si lumenjtë mbitokësorë, ndërsa ata janë si lumenjtë nëntokësorë, por që ne nuk i kemi konceptuar dot si të tillë, i kemi quajtur si veten, njerëzorë, që sado thellësive të shpirtit tonë të shkosh, ne jemi po këta, ndërsa ata e pse tregohem më njerëzorë se ne, thellësive fshehin dinakërinë, mashtrimin, ligësinë, barbarizmin! Ne na dihet burimi, udhëtimi dhe grykëderdhja, ata, as shihen, as preken, as dihen se nga burojnë, nga shkojnë dhe ku derdhen, t’i njohësh e t’i dallosh ata, kërkohet intuitë e mprehtë, se që të kuptosh dhelprën, duhet të jesh dhelpër, por ne, arbnorët, as jemi dhe as kërkojmë të shëmbëllejmë me dhelprën, jo se s’jemi të zgjuar, por sepse tjetër lloj jemi gatuar nga Perëndia, ne jemi pasqyra, ku barbari shikon shëmtinë e tij dhe nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse prapaskenat dhe pabesitë, për të mbijetuar!
Përfundimisht, sot them para jush, se Shkrimet e Shenjta janë pushtuar nga djalli dhe përmes tyre, ne, që jemi burimi i tyre, na quajnë të pa Fe, por ata nuk e dinë, se na bëjnë nder, më mirë të pa Fe, se pa Besim!
Ne jemi rraca me Besim, ku në thelb të çdo gjëje kemi Besën, kemi Mëshirën, Mirësinë… ne, edhe në gërhamat e fundit të jemi, prapë atij që na ka bërë gropën, nuk i duam të keqen, i gjendemi ashtu siç u gjendemi vëllezërve tanë në nevojë, dhe kur ne jemi në mëshirë të fatit, i mëshirojmë!
Ne, fjalën e kemi të shenjtë, se ajo është sinjal i shpirtit e prej shpirtit tonë, s’mund të dalin fjalë të ëmbla duke fshehur helmin, apo fjalë të helmëta duke shprehur mjaltin, ne jemi përhapësit e fjalës hyjnore, ashtu siç ajo ka kuptimin, pa fshehur nënkuptime!
Po, si thoni, vëllezër, të shndërrohemi edhe ne barbarë, jo, kurrë, ndaj kërkoj sot prej jush të lidhim Besën mes njëri – tjetrit, ashtu siç e lidhim mes vetes dhe Perëndisë, ashtu siç na mëson Besimi ynë i Krishter përmes Shkrimeve të Shenjta, ne jemi Mirësia dhe ata janë Ligësia, ndaj cili është për të vazhduar udhën tonë, të kuptoni se po shkojnë drejt vetflijimit, por ku ka më mirë sesa të flijohesh “Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë nga lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit” ndaj pa menduar për çfarë do të vendosim, të gjithë të betohemi me Besa – Besë, – tha dhe nxori shpatën nga mylli, e ngrit lart drejt qiellit, sikur kërkonte bekimin e Perëndisë.
Të gjithë arbnorët, u ngritët në këmbë, nxorën shpatat nga mylli, i ngritën lart dhe thirrën “Besa – Besë” aq fort, saqë u lëkund kisha dhe Gjergji në atë çast u pushtua me të rrënqethura në shtat, të cilat edhe pasi u betuan, s’po qetsoheshin.
– T’u flas për gjendjen e krijuar në Arbëri dhe më tej, s’besoj se ndonjëri nga ju, të mos e dijë, s’besoj që ndonjëri nga ju, të mos e kuptojë, se në ç’rrethana jemi, ndaj u mblodhëm sot, që të mos humbim kohë të vajtojmë gjendjen, por të vrasim mendjen, sesi do të dalim nga kjo gjendje!
Nganjëherë koha duket sikur nuk ecën, nganjëherë sikur sikur hedh hapa të përgjumura, por vjen një çast dhe koha s’pret, ajo ecën me hapa galopante, ndaj ne duhet ta dallojmë hapin e saj qysh në ajër, se ku do ta ngulë këmbën.
Deri më sot, koha s’ka punuar për ne, por ne nuk kemi qëndruar të presim të na sjellë koha atë që duam, jemi përpjekur, kemi luftuar, por ajo që na ka dëmtuar, ka qënë, se përherë kemi pritur urdhër nga tjerët, pra nuk e kemi hedhur hapin tonë, para kohës, që koha të vinte pas nesh, por ne përherë jemi gjendur jashtë kohës, ndaj e pse kemi fituar, kemi dalë të humbur! – Tha ai dhe qëndroi për tu bindur nëse po e kuptonin, se po shprehej ashtu si Jezusi, përmes shëmbëlltyrave, por kur dalloi, se të gjithë e kishin shkruar në sy kuptimin e fjalëve të tij, vazhdoi:
– Sipas llogaritjeve që kam bërë, ne kemi forca të përballojmë osmanët edhe pa mbështetjen e atyre që na bëjnë qejfin më shumë, sesa na ndihmojnë, se do të kemi mundësi të hedhim hapin, mbase tashmë është vonë ta hedhim para kohës, por të paktën njëherësh me kohën dhe jam i bindur, që forca dhe guximi ynë, i frymëzuar nga hyjtë, do të jetë më i shpejtë, sesa koha dhe do ta bindë kohën të vijë pas nesh, se kush luftoi për Paqen, Barazinë, Mirësinë, Dashurinë… ka me vetë Perëndinë! – Tha dhe përsëri qëndroi, se nuk po i kontrollonte dot ethet e pse ai mendonte se ishin nga emocionet, por kurrë s’kishte provuar këtë gjendje, ndaj nxitoi:
– Vëllezër, fitorja jonë qëndron në bashkimin tonë, fitorja jonë qëndron në forcën tonë, por edhe më shumë ajo qëndron në udhëheqjen tonë, si të barabartë mes të barabartëve, duke pasur besim vetëm tek njëri – tjetri, çdo ndihmë, çdo përkrahje dhe çdo titull e gradim, apo falënderim që na bëjnë tjerët, s’janë gjë tjetër veçse çoroditje, përçarje dhe pengim i Luftës së Shenjtë në dobi të Krishtërimit.
Unë u rrita në sarajet e sulltanit dhe tashmë kuptoj, se barbari kurrë s’të mbështet për të mirën tënde dhe tjerëve e pse të ndihmon pa rezerva derisa nuk ta ka nevojën më, ndaj pasi fuqizohet, të kthehet për të asgjësuar, këtë e kam provuar, por ajo që më dhemb shumë, është se në krye të ushtrive osmane, kundës vendit tonë, vihen gjeneralë arbnorë të islaminizuar, gjë që unë kurrë nuk do ta bëja, por gjysma e së keqes, kemi një ushtri përballë dhe u dalim ballë, por ajo që dua të them sot, se armiku më i egër i Krishtërimit, janë Fetë e dala nga Krishtërimi, se deri më sot, ato Fe vishen me hirin e Shkrimeve të Shenjta për të mashtruar popujt, ndaj e shpall sot para jush, se Papati e mblodhi Koncillin e Firences në 1439 për të nënshkruar aktin e bashkimit të kishave, vetëm për të shkatërruar Luftën e Shenjtë në dobi të Krishtërimit dhe Luftën Tonë, ashtu siç e shpalli edhe në 1431, për të shkatërruar Lëvizjen Taborike në Bohemi dhe Çeki, pra më shumë sesa trupat osmane, e ka dëmtuar Papati, përmes misionarëve klerikë arbnorë, të cilët për fat të keq, unë i kam besuar si misionatë të përçimit të fjalës sime për të kryer bisedime me vendet tjera, por kanë luajtur rolin e “Kalit Trojës”, erdhën si njerës të Perëndisë dhe minonin Luftën Tonë, përmes urdhrave të Papës!
Ne, arbnorët, në kishat tona s’kemi pasur priftërinj, ato ishin shtëpi të Perëndisë, ku kryheshin lutje… priftërinjtë na i solli Papa dhe Konstandinopoja e pse ne me status të veçantë, lejoheshim të kryenim ritet tona të Krishterimit, ata kanë luajtur rolin e një taksidari dhe të një “Kali Troje”… Ruhuni nga hipokrizia e priftërinjve, ata për Papatin, bëjnë gjithëçka, se ju e dini, që Papa u fal çdo mëkat atyre që i shtojnë thesarin dhe i dëmtojnë kundërshtarin! – Tha ai dhe i vështroi përsëri një nga një, por tashmë filloi të mos i dallonte mirë, duart e tij të fuqishme, me të cilat kishte shkruar libra të tërë dhe që s’qenë dridhur kurrë para çdo ushtrie armike, tashmë s’ishin në gjendje të mbanin në këmbë edhe vetë atë, ndaj u mbështet mbi faltore të mos binte dhe u mundua prapë të filiste:
– Vëllezër… Vëllezër… Vëllezër… me Besa – Besë për Krishtërimin, se Krishtërimi është Besimi jonë, pa të cilin ne s’egzistojmë… Fetë drejtohen nga barbarët për të mbajtur nën sundim popujt e racës sonë hyjnore!
Që të mos zhdukemi, duhet të qëndrojmë, për të dëshmuar, se kjo botë nuk mbahet në këmbë nga luftat grabitqare, por nga paqja, kjo botë nuk shijohet nga pasuria, por nga puna e ndershme, kjo botë nuk gëzohet nga mashtrimi, por nga sinqeriteti, kjo botë nuk gëzohet nga ligësia, por nga dashuria, kjo botë nuk gëzohet nga urrejtja, por nga mëshira… – Tha ai dhe qëndroi për të marrë veten, por s’ishte kohë, ndaj përsëri foli:
– Kemi mbetur pak, por edhe një të mbetet, mjafton për të treguar njerëzimit, se bota egziston brenda botës së gjithësecilit, kush përqafon Mirësinë, Dashurinë, Mëshirën, Faljen… fiton paqen e tij e kur të gjithë njerëzit ta kërkojnë paqen brenda vetes, bota do të shijojë më në fund magjinë e Shkrimeve të Shenjta, të cilat sot mbahen mbyllur në darët e barbarizmit, për aq kohë sa Perëndia me veprat e saj, do i bindë, dhe do vijë një kohë, që në tokë do sundojë raca jonë e përzgjedhur nga Perëndia, se lufta e barbarizmit do e mundësojë atë të shpërndanet në gjithë botën dhe atëherë do të jenë shumë që do flasin me gjuhën e Perëndisë, aq shumë, saqë vetë Perëndia do ndjehet e kënaqur për krijesën e saj, Njerinë! – Tha dhe prapë qëndroi, por nxitoi.
– Besa – Besë për Krishtërimin! Lëvduar qoftë Jezu Krishti, biri i Perëndisë që dëshmoi forcën e Shkrimeve të Shenjta! 

About Post Author