ME ÇFAQESH SI HORIZONT…
Edhe nje jetë tjetër të ishte,
Nëse do të kisha aftësi të shkruaja poezi,
Prapë se prapë s’do të reshtja,
Të shkruaja, për Ty,
Dashuri!
Do të shkruaja për Ty,
Se vetëm Ti, i sjell jetës blerim!
Edhe kur dimri ka shpallur pushtetin,
Gonxhet tua çelin lëndinës së shpirtit,
Kundërmimin e tyre e thith parfum,
Bukuria e jetës shtohet pa fund,
Marr guximin dhe rend përpara,
Pa përfillur pengesat,
Dhe pa i dashur kurrë ankesat!
Do të shkruaj për Ty,
Se Ti më çfaqesh si horizont…
Edhe kur jam mbyllur qelisë së jetës,
Vjen e m’i hap bravat një nga një,
Ashtu pa më pyetur, mistershëm,
Pa më të voglin zë,
Por që kërcitjet e portave i ndjej,
Si melodinë më të bukur,
Melodi, që s’dëgjojnë veshët tanë,
Por e ndjejnë vetëm ata,
Që ty, dashuri…
Të kanë pranë!
Do të shkruaja për Ty, dashuri,
Se praninë tënde, si praninë e Zotit ndjej,
E pse me sy s’të shikoj,
Vjen e më gudulis ëmbël… më deh,
Si një drogë eterike,
Më sjell çaste magjike…
Aqsa trembem,
Më duket sikur botën reale fik,
Dhe më dërgon në tjetër kohë,
Në tjetër hapësirë,
Atje ku jetohet përtej të mirës,
Përtej të ligësh,
Duke m’i dhënë vlerë,
Çastit… orës… ditës…
……………………………………….
Edhe një jetë tjetër të ishte,
Nëse do të kisha aftësi të shkruaja poezi,
Prapë se prapë s’do të reshtja,
Të shkruaja, për Ty,
Dashuri!
