Zyba Hysa:Me cilin flamurë të festojmë!?


Zyba Hysa

Mbetëm si fëmijët,
Që duan të ngazëllejnë pa motive,
Apo siç tregojnë për një park n’Angli,
Ku njerëzit ishin të errët,
Si qielli buzëvarë e si toka n’mjegull,
Vendosën të qeshnin si papagaj
E me të qeshurën e tyre,
Qeshën me qindra paskëtaj…
Ashtu kemi qeshur n’kohën e “qoftëlargut”,
Kur shkolla e jetës ishte mbyllur qysh n’lindje,
Që ferrin e saj t’mos mësoje,
Por të mbeteshe gjithmonë n’pritje,
Kur “Kështjellën e komunizmit” të fitoje…!
Eh, ç’kështjellë magjike tregohej,
Sikur varfërinë më s’do njihje,
Secili të punojë sipas fuqisë
E të fitojë sipas dëshire…!
E ne i kënduam kështjellës aq shumë,
Me imagjinatë e shijuam si një ëndërr,
Por që porta e saj për ne s’u hap kurrë,
Gardianët e “qoftëlargut”,
Të cilët ditën të mashtronin bukur,
Se populli është i lumtur,
Ruanin pllakat e floririt të satanait,
Tek bankat e Zvicrës,
E ne hanim bukë për derra,
Me misër hibrit;
Gjallë e pa shpirt!

Mësoi pjella e “qoftëlargut”
Që kurrë s’u largua nga pasardhësit,
Tash “rrëzuan” kështjellën e komunizmit,
Na ngritën një tjetër kështjellë,
Bashkimin Europian,
E cila së fundmi ka pjellë,
“OPËM BALLKAN”!

Po si kështjella që ëndërruam,
E kurrë s’e trashëguam,
“Opën Ballkan”,
Përsëri një ferr më i egër,
Për popullin mjeran!

Më thoni,
Me çfarë flamuri do festojmë më 28 nëntor?
Të kombit me shqiponjë,
Të yjeve n’qiellin e errët, çfaqur blu,
Të Kosovës martire,
Të bashkimit Europian,
Apo “Opën Ballkan”!?
………………………………….
Ejani të festojmë si fëmijë,
Të tundim të gjithë flamurët e botës,
Kur bota tund secili të vetët,
Dhe tonin flamurë,
E djegin dhe e shkelin!
A do të bëhemi ndonjëherë,
Të vërtetët!?

/ZYBA HYSA/
TIRANË, MË 26 NËNTOR 2021

About Post Author