Zyba Hysa:Në mundsh të më duash…


Zyba Hysa

Në mundsh të më duash…

Në mundsh të më duash

Edhe kur Ti për diçka ke nevojë,

Por unë s’kam mundësi të ndihmoj,

Por jam gati të bëhem me fletë,

Të t’gjendem të paktën pranë…

Dije, së më do vërtet!

Në mundsh të më duash,

Edhe kur tjerët të mbulojnë me lavde

Dhe me tërë të mirat e kësaj bote të gostitin,

Darkë pas darke…

Por vetja të duket përsëri i shkretë…

Dije, se më do vërtet!

Në mundsh të më duash,

Kur ke harruar edhe veten

Për hir të dikujt që në shpirt të dhemb,

Se brenda nesh kemi njërës tjerë,

Që i mbështjellim me dashuri njerëzore,

Dhe prapë të duket sikur një zë të thërret…

Dije, se më do vërtet!

Në mundsh të më duash,

Edhe kur mundësi s’kam të vij pranë,

Të derdhem në krahë për të dhënë krahë,

E Ti të ndjesh veten,

Duke fluturuar drejt meje si shpend…

Dije, se me do vërtet!

Nëse për asnjë arsye të arsyeshme,

Edhe për ndonjë arsye të pa arsyeshme…

Nga mendja s’të hiqem,

E më ndjen sikur vij pranë e çdo çast të prek,

Dije, se më do vërtet!

…………………………………………

T’i them këto të gjitha,

Se për të gjitha këto kam dëshmitare veten,

Se nga agu, gjer në agun tjetër,

Në të gjitha situatat e dëshiruara e të padëshiruara;

Kur jam në humor… dyfish jam e gëzuar,

Kur kam dhimbje…

I harroj duke folur me veten time,

Aty ku strukur rri Ti,

Duke m’gudulisur ëmbël,

Largohem nga realja me shqetësime,

Jetoj… si në ëndërr!!!

About Post Author