Zyba Hysa:Romani “Gjergj Kastrioti, Skenderbeu”, ku shpaloset respekti dhe dashuria e sinqerte mes bashkeshorteve Gjon dhe Vojsava Kastrioti…


Zyba Hysa: romani “Gjergj Kastrioti, Skenderbeu”, ku shpaloset respekti dhe dashuria e sinqerte mes bashkeshorteve Gjon dhe Vojsava Kastrioti…

“Vojzës s’i shpëtonte asgjë nga veprimet e të shoqit, ajo ia ndjente shqetësimin edhe nga largësia, jo më siç e kishte tani përballë, por nuk e zgjoi nga mendimet, se në të tilla çastesh, ai merrte vendime, ose analizonte vendimet e marra, por kur ai mbaroi dhe u ngrit, ajo me një zë kanarine i tha:

– Im Zot, më ka marrë malli për “Luginën tonë”…

– Edhe mua, – tha ai pa u menduar gjatë, se kurrë nuk e bënte fjalën dyshë së shoqes, ndaj urdhëroi të shalonin kuajtë dhe shkuan të veshin rrobat e kalërimit.

Hapësira është si një oqean i pafundëm mbushur me ajër dhe ajri është i vlefshëm për jetën tonë, por kur ecim, kur vallëzojmë, sidomos kur kalërojmë, ia ndjejmë praninë përmes prekjes në lëkurën tonë dhe krijohen ndiesi të paemërta, por që na bëjnë të ndjehemi mirë e s’kishte sesi të mos ndjeheshin mirë në fluturimin galopant të kuajve, se pak nga pak, fresku i vjeshtës së parë u shpërlau mendimet, u fiku trishtimin, dilemat u spostuan në një skutë të shpirtit dhe u ndjenë mirë..

Në çeltirat e pyllit, Gjoni zgjaste dorën dhe i merrte të sajën dhe ia përkëdhelte me dashuri, gjë që donte të thoshte: “Sa fatlum jam që të kam!

Stinët ndryshojnë, ndryshon ajri, ndryshon qielli, ndryshon fustanin toka dhe në këtë ditë vjeshte, kombinacionet e ngjyrave, shpalosnin mijëra nuance, ku dominonte e florinjta, i japin natyrës veti magjike dhe një sy i dashuruar me natyrën, çmendet dhe çmend njerinë nga kënaqësia, por ajo që vërehej në këtë pyll, ishte se në çeltira, bari jeshilonte si në pranverë dhe po të mos ngrije kokën lart të shikoje ngjyrën e gjetheve, prania dhe e disa luleve nëpër barë, të jepte përshtypjen se ishte pranverë… Vjeshta mbart në gjirin e saj të gjitha stinët; pranverën, verën, dimrin dhe veten e saj, vjeshta është një përzierje stinësh, ashtu siç dhe përzihen ngjyrat e krijojnë të florinjtën e saj, ndaj ajo është kaq e veçantë, saqë s’ka fjalë ta përshkruajnë atë me vërtetësi, s’ka pene ta pikturojë atë me gjithë këtë magji, vjeshta edhe më barbarin e shndërron poet, jo më Gjonin e Vojzën, të cilët shkruanin vargje dhe lexoni poezitë më të bukura të kohës…

– Vojzë, faleminderit që na solle këtu, – i tha Gjoni, kur e priti mbi krahë, tek u hodh prej kalit, – është mëkat për njerinë të mos shijojë këtë bukuri përrallore të natyrës e sidomos të “Luginës Sonë”, e cila sot i paska të gjitha bukuritë bashkë; barin, lulet, gurrat e ftohta, të gjitha ngyrat hedhur mbi pemë, kjo ngan me ty e shtremnjta ime, se ato gjurmë trishtimi që të enden në sy të bëjnë më magjike dhe unë zhytem në misterin e tyre për të notuar në pafundësinë e shpirtit tënd, i cili më ka bërë skllavin më të lumtur.

– Im Zot, çdo grua është krijuar kështu, për sytë e një mashkulli, por jo, çdo mashkull di të zhytet thellësive të syve, ndaj unë ndjehem me fat që kam në krah një burrë që di të lexojë sytë…

Ai e shtërngoi në krahë dhe ashtu me duart e saj harkuar për qafe, kaluan rrugicën e ngushte rrëzë shkëmbit gjigand dhe u gjendën në lëndinën e virgjër të mes pyllit, nën gurgullimën e ujit të gurrës që buronte diku në lartësi dhe zhurmonte më shumë se në pranverë…

– O Perëndi, ç’ke krijuar për njerinë; kur toka kërkon diell, diell i jep, kur kërkon shi, shi i jep, kur kërkon borë, borë i jep e të gjitha këto, i bën për të ushqyer bimët dhe gjallesat e të gjitha këto, i ke krijuar për njerinë, pse vallë njëriu s’e di mirësinë e tij, por kërkon të marrë mirësitë e tjerëve duke vrarë e plaçkitur, pse duhet të jem i shtërnguar unë të bërë gjëra që s’dua t’i bëj!? O Perëndi, jepu sy njerëzve që të kenë aftësi të dallojnë dhuratat tua… – tha Gjoni me zë dhe u ul mbi barë pa e lëshuar Vojzën nga krahët…

– Im Zot, sapo e thashë, jo, të gjithë kanë sy të depërtojnë në sytë e tjetrit, aq më shumë në shpirtin magjik të natyrës…

– E shtrenjta ime! – Tha ai dhe e shtrëngoi fort në krahëror.

Pasi ndjeu lirimin e krahëve të Gjonit, Vojza rrëshqiti si ngjalë prej tij dhe krahëhapur vrapoi nëpër lëndinë dhe Gjoni s’ngopej duke parë fluturën e tij të bardhë, gjer ajo ra mbi tapetin e blertë, si të ishte penguar diku, atëherë Gjoni u ngrit me vërtik dhe kur mbërriti atje, pa se sytë e saj kishin pirë gjithë qiellin dhe u duk, siku gjithë bukuritë e tij ishin në sytë e saj. U përkul të shikojë se mos ishte vrarë, por ajo e tërhoqi përdore dhe ai ra si pemë e prerë mbi të, ashtu si një trup i vetëm ndjenin një zemër, një frymë, një rënkimë…

– Oh, shpirti im! – Thirri ai i lumtur dhe në këtë çast ajo shkau pak në barë dhe Gjoni ra bri saj dhe tashmë ai shikonte sytë e saj tek i kishte pirë qielli…”