Zyba Hysen Hysa: Fragment nga romani :”Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”


ZYBA HYSEN HYSA: FRAGMENT NGA ROMANI :”GJERGJ KASTRIOTI, SKËNDERBEU”, BOTUAR 2021 DHE RIBOTUAR NË 2022…

“Forcat kryengritëse në Azinë e Vogël, po bëheshin kërcënim për Perandorinë Osmane, ndaj qetësimi i tyre, mund të bëhej vetëm me anë të veprimeve konkrete, më shumë për qartësim, sesa për kundërshtim. Kur një pjesë e Perandorisë ngrihet në revoltë popullore, ka arësye të forta për mbijetesën e popullit. Këto lloj revoltash qetësohen duke mësuar, se ku qëndron problemi i acarimit të gjendjes, ndaj Skënderbeu, me intuitën dhe zgjuarësinë e tij, por më shumë i ndikuar nga besimi i tij i krishterë, besim që u përhap përmes misionarëve të Jezu Krishtit, pa vrarë njeri e pse shpesh u ndeshën me kundërshtarë, të cilët as i detyruan të besonin dhe ta përqafonin krishterizmin. Kjo mënyrë e zgjidhjes së problemeve me urtësi dhe bisedime, kishte të keqen e vet, se mund të cënonte interesat e dikujt, të atyre që kryesonin revoltat, të cilët pretendonin për poste dhe zotërime më të mëdha, rreziqe, që Skënderbeu i dinte mirë, se kishte kuptuar që osmanët, prisnin të mbillnin tjerët, për të rrëmbyer të korrurat, se ata ishin njerës që e pse trumpetonin Shkrimet e Shenjta, të përmbledhur në Kuran, kur vinte puna tek interesat, i harronin ato dhe me një të shkuar në Haxhë, lanin gjynahet, ashtu sic edhe vepronte Papati me indugjencat e kishës, apo me pjesëmarrjen e të krishterëve në kryqëzata për të pastruar veten nga mëkatet e pse në këto kryqëzata bënin mëkatet më të mëdha duke vjedhur e plackitur, vrarë e shkatërruar…

Azia ishte hapi i parë drejt realitetit, por Skënderbeu, me oratorinë dhe mirësinë e tij, do të mund të dinte si të qetësonte, por edhe si të mbrohej në rast rreziku, për të cilën kishte dhënë prova konkrete, gjer kishte marrë dhe titullin Kryegjeneral, pa u sprovuar në luftë.

Përherë titujt kanë vlerë duke i parë në këndvështrimin se cili t’i jep e ta marrësh nga vetë Sulltani, do të thoshte shumë, por në të njëjtën kohë, ky titull, do vulosej me suksesin e Skënderbeut në hapin e parë të tij drejt Azisë.

Udhëtimi ishte i gjatë, i lodhshëm, por Gjergji, i dehur nga misioni që kishte marrë dhe nga hovi djaloshar për të treguar se çfarë ishte i aftë të bënte, lodhjen se ndjente, por herë – herë rrëmbehej nga emocione mbytëse, kur mendonte se mund të takonte vëllezërit e tij, apo mbase mund të merrte ndonjë lajm…

Ishte dita e pestë e udhëtimit, pasi ngritën çadrat dhe ra heshtja e gjumit, Gjergji, u shtri, futi dorën në xhepin e brendshëm, pranë zemrës dhe nxori letrat e Zylejkës, u mori erë, si të kishte në dorë një lule dhe i futi përsëri në xhep dhe u shtri për të mos fjetur.

Vetëm kur mendonte Zylejkën, nuk kishin forcë mendime tjera të depërtonin në të, ai ishte tashmë atje, duke pritur të dalë ajo nga sarajet, duke shëtitur nëpër kopësht, duke ndjerë mbi duart e tij qysh kur ishte foshnjë e deri në ditën e fundit të ndarjes dhe me këto mendime dhe ëndërrime, e kapliti gjumi…

E nesërmja erdhi me mendime të qarta e sapo hëngrën mëngjes, thirri pranë, dy besnikët e tij, të cilët i kishte pasur edhe shokë shkolle, nëri prej të cilëve, ishte arabi që mundi dhe u tha:

– Merreni këtë letër dhe do shkoni të takoni drejtuesit e revoltës dhe prisni përgjigjen me shkrim dhe kthehuni më pas këtu. Ne nuk do të hedhim edhe një hap, pa kontaktuar me kryengritësit.

– Skënderbe, – Ju jeni ai që urdhëroni, por kjo gjë po më habit, – ndërhyri arabi, ish shoku i tij i duelit, – si mund të kontaktojmë me ata që kemi ardhur t’i shtypim…

– Ne s’kemi ardhur t’i shtypim, por t’i qetësojmë duke dëgjuar ankesat e tyre dhe duke thënë zgjidhjet tona të mundëshme, më pas, nëse nuk biem dakord, shpatat me vete i kemi…

– Si të urdhëroni ju, unë jam ushtari juaj…

– Edhe unë jam ushtari juaj, të gjithë jemi ushtarë të së drejtës dhe po nuk pyete për ankesat, si mund të bëhet drejtësi? – Tha ai dhe i la letrën në dorë.

Ai mori letrën dhe doli nga çadra e Gjergjit, pas tij u nis dhe Arbnori nga Dibra por, Gjergji e ndaloi duke i thënë:

– Vëlla, ndalo pak, me ju s’kam mbrauar punë…

– Nën urdhërt tuaja Gjergj!

– Kam kuptuar një gjë, këtu, askush nuk e mban fjalën e dhënë, për hir të fjalës, por ne, arbnorët kemi një gjë, po dhamë fjalën, edhe kur është kundër nesh, e mbajmë, kjo në dukje duket sikur ne jemi naivë, jo, ne jemi të krishterë, që për të drejtën luftojmë deri në vdekje! Kemi marrë një mision, të qetësojmë revoltën, jo të shtypim revoltën, se në çdo shtypje revolte, lind një revoltë tjetër, paqja nuk fitohet me dhunë, por ajo mbrohet me gjak, ne do të kuptojmë, cfarë kërkojnë kryengritësit, paqe, apo shkak për gjakderdhje…

U kam besuar ju, si më të besuarit e siç u besoj ju, dyve, u besoj treqind kalorësve të mi, por brenda çdo besimi, fle mosbesimi për të qënë përherë syçelë nga ata që na rrethojnë, ndaj besoi arabit, por më shumë besoi vetes… Tani nisuni dhe ardhshi shëndoshë e mirë! – Tha ai duke e përqafuar si vëlla.

Dibrani doli nga çadra, hipi kalit dhe u nisën erë drejt vendit ku ishin drejtuesit e revoltës.

Sapo dy kalorësit morën udhën, Gjergji, veshi një palë rroba siç vishen vendasit dhe pa marrë as kalin e tij bardhosh, doli nga çadra fshehtas dhe shkoi në qytetin më të afërt, për të biseduar me njerës të thjeshtë që të dinte konkretisht ankesat e popullit dhe shkakun real të revoltës.

Në fillim shkoi në një treg të madh, ku kishin ardhur mjaft njerës, të cilët tregtonin mallrat e tyre dhe duke prekur me dorë një nga copat e kadifejta, pasi i tha disa fjalë vlerësuese për mallin e pyeti për çmimin.

Tregtari u habit me gjuhën e tij, të cilën e fliste në mënyrë të përsosur, por më shumë u habit, sesi një i bardhë siç ishte Gjergji, të mundte të fliste kaq mirë, si të kishte lindur në Azi.

– Ju flini shumë mirë gjuhën tonë…

– Jam rritur në Amasia…

– Dukeni fisnik, por ç’e mirë të ka sjellë këtej…

– Dua të bashkohem revoltës, po s’di nga të shkoj. Kam dëgjuar, se kanë nevojë për forca…

– Është bërë kërdia, shumë spahinj u vranë, zotërimet e tyre, ua shpërndanë atyre që i kishin…

– Pse ndodhi kjo?

– E more bir, spahijtë, përveç timareve që u takojnë, vrisnin fshehtësisht fisnikët dhe u merrnin zotërimet dhe përveç taksave të detyrueshme, kërkonin më shumë, saqë populli u varfërua shumë, se vec kësaj, ka dy vjet që edhe Zoti është kundër, s’ka rënë një pikë shi…

– Po çfarë kërkojnë të fitojnë tjetër nga lufta që i kanë shpallur sulltanit?

– Pse të vijnë spahij të huaj, por të jenë vendas, jo se nuk paguajmë taksa, por na morën frymën këta të huajt… – Tha ai dhe filloi të fliste me një blerës tjetër, ndërsa Gjergji, kaloi në një tjetër tregtar dhe hyri në bisedë, ashtu siç veproi edhe me të parin edhe me disa tjerë dhe doli në përfundim, se e gjithë revolta ka arësye ekonomike dhe u kthye në çadër, për të pritur dy besnikët e tij.

Çadra ku ishin ata, ruhej me dy radhë ushtarësh, kjo, se ishte përhapur lajmi i ardhjes së Skënderbeut, për të ndërhyrë në territoret e Azisë, ndaj ardhja e dy kalorësve, i vuri në lëvizje dhe si me komandë, u afruan pranë njëri – tjerit dhe formuan një murë të pa kalueshëm. Të dy kalorësit qëndruan përpara këtij muri, gjer u shkëput njëri prej tyre dhe u afrua, duke pyetur se çfarë këtkonin. Arabi i dha letrën dhe qëndroi përsëri si një kërcu zjarri mbi kalë, në pritje të përgjigjes.

– Sapo i dhanë letrën, udhëheqësi i revoltës, paksa i habitur, e hapi me një frymë dhe lexoi:

“Në emër të sulltanit dhe timit, si Kryegjeneral i ushtrisë së tij, kërkoj bashkëbisedim për të njohur nga afër shqetësimet e popullit dhe tuajat, të përpiqemi të qetësojmë gjendjen, pa qënë nevoja të derdhim gjak… Pres përgjigjen tuaj!”

E lexoi, e rilexoi e më në fund, mori letër dhe shkroi:

“Në emër të të gjithë të lënduarve dhe në emër të drejtësisë, po u kthej përgjigje:

Kurrë nuk e mendoja se do më vinte një letër e tillë, këto pak rreshta më befasuan dhe më futën në mendime e për të dalë nga kjo befasi, ju lutem, prisni ftesën time, të vini këtu për të biseduar si vëllezër.”

E mbështolli letrën dhe e lidhi me fill të mëndafshtë dhe ia dha atij që solli letrën, i cili doli me hap të shpejtë dhe ia dha arabit që rrinte mbi kalë.

Të dy kthyen kuajtë dhe fluturuan drejt çadrave të tyre, shoqëruar nga nderimi që u bënë të gjithë sa ç’qenë aty duke u përkulur me nderim e respekt.

Para se të vinin besnikët e tij, Gjergji e kishte bërë planin e veprimit. Ajo që do bënte në fillim, ishte takimi me krerët e revoltës e më pas duke u bërë partnerë të tyre, të shkonte në çdo krahinë e qytet për të folur për mundësinë e vendosjes së paqes dhe qetësisë e kthimit në jetën normale, ndaj edhe nuk u befasua me ftesën që i bënte drejtuesi i revoltës.

Mund të jesh i zgjuar nga natyra, mund të kesh mjaft njohuri, mund të kesh një trashëgimi fisnike të herëshme, por s’mund t’i keshë aftësitë që kishte Gjergji, ai kishte një intuitë, e cila i vinte si mesazh hyjnor dhe e niste për veprim. Intuita për të ishte si shkrepja e armës për të dhënë sinjalin e nisjes së vrapuesve të bërë gati në stard, ai nuk e diskutonte dy herë, as merrte mendimin e tjerëve. Njerës të tillë janë të rrallë, ata janë të dërguarit e Zotit, për të treguar forcën e tij mbi tokë…

Sapo lexoi letrën, doli nga çadra dhe hipi bardhokut, u bëri me shenjë dy besnikëve që sapo erdhën, ta ndiqnin dhe u nisën si era dhe kur arritën para çadrës së drejtuesve të revoltës, panë se sheshi para saj, ishte mbushur me ushtarë të rreshtuar, që në vështrimin e parë bënte të mendoje, se ishin në formacion luftimi. Gjergji tërhoqi frerin kalit dhe kali e ktheu hapin prapë, ashtu bënë dhe dy besnikët e tij.

Asnjëri s’foli, por vetëm qëndruan për të vështruar atë mrekulli rreshtimi, aqsa për ta pasur zili, por rënia e trumpetave u prishi përqëndrimin dhe arabi tha i shqetësuar:

– Na ngritën kurth! – Por pa mbaruar fjalën ai, Gjergji lëshoi frerin dhe kali u nis.

– Skënderbe, të presim… – foli arabi.

– Mbase sot është dita e vdekjes sime, le të vdes në fushë betejë, por pa e çarë më dyshë pabesinë, nuk e jap jetën! Përpara vëllezër! – Dha urdhër ai, sikur të kishte një ushtri nga pas.

Sa më shumë ngushtohej largësia, aq më shumë nxitej dëshira për të treguar sesa dhemb pabesia, por kur ata ishin fare pranë, e gjithë ushtria u përul në shenjë nderimi dhe si me komandë u dëgjuan thirrje të fuqishme: “Skënderbe, Skënderbe, Skënderbe…..”

Tashmë dukej qartazi, se ushtria, ishte nën drejtimin e tij dhe kjo e burrëroi edhe më shumë.

Të dy besnikëve u mbushën sytë me lotë, ndërsa Gjergji u përul para tyre, aqsa balli i takoi mbi krifën e kalit dhe më pas me një hedhje atleti, u gjend në tokë, nxori shpatën nga mylli dhe e ngriti lart duke ecur me solnemitet drejt hyrjes së çadrës, ku e prisnin drejtuesit e revoltës.

Askush si ndaloi, askush si shoqëroi, vetëm qëndruan para hyrjes, ashtu siç presim mikun. Tek hyrja ja behu një djalë i gjatë, hapi “derën” dhe i ftoi me buzëqeshje dhe qëndrim gatitu, të hynin brenda.

Njerzit e veshur me hir hyjnor, të imponojnë respekt, pavarësisht nga mosha dhe gjendja sociale, ndaj Gjergji e pse ishte një djalosh, veshja, posti, por edhe shkëlqimi natyral i syve të impononte respekt, ndaj ç’qenë aty, u ngritën në këmbë dhe u përgjigjën përkuljes së tyre me respekt duke treguar vendin, se ku do të uleshin.

– Kisha dëgjuar për madhështinë tuaj, për cilësitë e jashtëzakonëshme tuajat, të cilat detyruan Sulltanin të jepte titullin më të lartë, Kryegjeneral të Ushtrisë Perandorake, si dhe emrin e merituar të Skënderbe, para ardhësit tuaj epiriot që ka qënë mbreti ynë, ndaj ne sot, presim një Skënderbe tjetër, ndaj, mire se erdhët në Azinë tuaj!

– Mirë se ju gjej, në vendin tuaj dhe të Perëndisë! – Tha Gjergji i prerë dhe serioz, me një seriozitet dashamirës e jo fodull.

Për një çast pllakosi heshtja, thua se biseda kishte përfunduar pa nisur, por në fakt ajo kish përfunduar qysh me thirrjet e ushtrisë: “Skënderbe… Skënderbe… Skënderbe…”

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, mjekër dhe teksti

About Post Author