Zyba Hysen Hysa: Në hanin e Mirakës…


Zyba Hysen Hysa

Në hanin e Mirakës…

Unë jam nga një fshat i vogël, i cili quhet Kokrevë, por rrjedh nga një familje e madhe e fisit Hysa. Në atë kohë, pra para shpronësimit dhe genoçidit komunist, “Familje të Mëdha” quheshin ato që shtëpitë i kishin me oxhak (Ishin me mure guri dhe dy katëshe), ku jetonin në bashkësi disa kurorë për të organizuar punët e përditëshme…

Në fshatin tonë ishin vetëm dy familje të tilla: familja jonë dhe e kushëririt të gjyshit, Xhafë Hysa. Nuk dua ta ngre mbi atë që ishte gjyshi im, por me aqsa mbaj mend, ishte vërtet njeri i qeshur dhe shumë human. Nuk ka shumë ditë, një banor i atyre nëve, Zeqir Alliu, më shkroi diçka për gjyshin në facebook: “Xha Maliqi e pse pa shkollë, kishte shumë kulturë dhe nga dija e respektonin shumë…”

Në shtëpinë tonë, çdo natë kishte miq dhe kur mungonin miqtë e largët, mblidheshin burrat e lagjes pas darke dhe konaku merrte flakë nga të qeshurat e anektodave dhe dënimet nga lojrat që loznin…

Xhafa dhe Maliqi ishin jovetëm kushërinj, por edhe shokë të mirë. Kafenë e pinin një mëngjes tek gjyshi, një mëngjes tek Xhafa e për çdo gjë konsultoheshin me njëri – tjetrin. Me aqsa mbaj mend, aqsa ishin të ngjashëm në mendime për organizimin e familjes, por aq ishin kundërshtarë në trajtimin e grave dhe respektimin e shkollës.

Gjyshi kishte një kalë me lëkurë si në vishnje të errët, ku përftohej nga qimet e kuqe me të zeza, të cilin e kishte shumë merak; vetë e ushqente, vetë e krihte… Asnjë s’kishte si kali i tij! Kur shkonte Maliqi mbi kalë, ashtu elegant, me kostum kadife bezhë, ose kafe, me këmishë blu, apo ngjyrë qielli të hapur, këpuçë që përherë i shkëlqenin, me qostek sahati të florinjtë që i varej mbi jelek, të gjithë qëndronin dhe e përshëndetnin me respekt.

Ai s’bënte dallime klasore, miqtë e tij ishin nga shtresa të ndryshme, kishte miq të rangut të tij, por kishte miq edhe të varfër, të cilët kishin mbetur të tillë, ngaqë u gjendej në ditë të vështira. Ai ka strehuar në shtëpi edhe romë dhe kishte miq mes tyre, sidomos një që quhej Bezat, nga Elbasani…

Gjyshi ishte kryeplak i zonës dhe për tu konsultuar vinin nga ana e anës, të cilët i priste si të ishin miqtë e tij dhe ku shkonte Maliqi, çdo gjë zgjidhej pa gjyq. Aq besim kishin tek gjyshi, saqë edhe për problemet mes bashkëshortëve vinin shpesh njerës dhe sipas këshillave të tij, ruhej martesa, por për këto do të rrëfej herë tjetër, sot do të shkruaj një ndodhi të dëgjuar nga ai, teksa rrëfente disa mysafirëve që kishin ardhur për darkë, të cilën unë do e shkruaj ashtu siç e mbaj mend:

Sigurisht atëherë s’kishte qarkullim me automjete, kështu bëheshin bashkë, hipnin kuajve dhe shkonin në Elbasan për të blerë gjërat e domozdoshme për familjet.

Një herë, me disa miq, të cilët ishin edhe nga fshatrat përrreth, bëhen bashkë dhe nisen për Elbasan. Nata i zuri në hanin e Mirakës. (Këtë s’e mbaj mend mirë, i Mirakës, apo i Xibrrakës) Zbritën kuajve dhe i dorzuan për t’u dhënë ushqim dhe vetë u shtruan me të ngrënë e të pirë në han.

Papritur hapet dera me një shqel të fortë dhe u duken tre hajdutë të armatosur, ku njëri prej tyre foli me zë të lartë: “Nxirrni paratë dhe njëri t’I sjellë këtu, ndryshe të gjithë jeni të vdekur!”

Harrova të them, njëri nga miqtë e gjyshit, ishte shumë i gjatë dhe i shëndoshë, ndërsa gjyshi ishte elegant dhe tjerët gjithashtu elegantë, ndaj gjithë rrugës, në kuadrin e shakasë e ngaçmonin: ” E këpute në mes kalin”, apo kushedi ç’heq gruaja prej teje”… Ai bënte edhe shaka të rënda, por përveçse të qeshurës, s’kishte hadërmbetje. Ndër të gjithë ata, ai ishte më frikacaku dhe sapo i pa hajdutët në derë, vështroi Maliqin dhe dhe ngriu. Gjyshi kurrë s’mbante armë, as në shtëpi, biles kur vinin miq të armatosur, në fillim dorëzonin armët, i mbyllte në një arkëz. Qysh kur kishte ndodhur një inçident në shtëpi me armën e tij, ai ishte betuar dhe s’mbante më armë. Gjithsesi, edhe armë të kishin, ata tani s’kishin asnjë mundësi t’i merrnin ato. Gjyshi e pa që s’kishte rrugëdalje dhe në çast i erdhi një mendim dhe thirri fort, mikut tij që ishte i gjatë dhe i shëndoshë: “Çfarë pret o Selman, 99 i ke vrarë, bëji 100 sonte” dhe e zuri për krahu Selmanin dhe u ngrit në këmbë me gjithë atë.

Kur hajdutët panë gjithë atë gjigand në këmbë, ikën nga sytë këmbët dhe hanxhiu që rrinte si pa frymë në një qoshe, filloi të qeshë me të madhe dhe shkoi e mbylli derën.

– Dëgjo o Maliq Hysa, burrë më të mençur se ti, nuk më kanë zënë sytë! Se do shpëtonin sonte, s’e besova, por si të shkoi mendja tek Selmani, i cili, më falni, por duhet t’i ketë lagur brekët!

– Çdo njeri ka vlerat e veta, o Haki, vërtet Selmani, as një pulë s’mund ta therë, por sonte ai thjesht me paraqitjen e pak guxim, për Zotin, i vrau jo tre hajdutë, por 100! Në rrethana të tilla, njeriu duhet të gjejë një rrugëzgjidhje, s’kishte rrugë tjetër dhe hajdutët, pavarësisht se kishin armë, gjithmonë janë të frikësuar…

– Sonte, hani dhe pini gjer në mëngjes… asgjë s’keni për të paguar! – Tha hanxhiu dhe u ul këmbëkryq në sofrën e tyre.

E qeshura i shoqëroi gjithë natën dhe në mëngjes, hipën kuajve dhe shkuan në Elbasan!

Mbase unë s’di ta rrëfej si gjyshi, se më kujtohet, që kur e tregoi si, ata qeshën me lot, saqë qeshura e tyre më vjen edhe sot si jehonë…

About Post Author