Zyba Hysen Hysa: Në kohën e skllavërisë …


ZYBA HYSEN HYSA: NË KOHËN E SKLLAVËRISË KOMUNISTE…

(Tregim; bazuar në ngjarje të vërtetë)

Kur isha e vogël, shkoja t’i ndihmoja nënës në kooperativë, por kur më shikonte brigadieri, më dëbonte, se isha e mitur. Një herë u luta aq shumë, saqë ai më vuri kusht të këndoj 2 këngë para brigadës. Pa u menduar gjatë, dola dhe këndova. Të gjithë filluan të qeshnin me mua, por aq më bënte, vetëm të ndihmoja nënën!Ndërsa ajo që më ka mbetur në mend dhe shpesh e kujtoj, ka qenë një ditë pranvere, kur brigada do të shkonte në malin e Shebenikut për të marrë patare, të cilat i kishin groposur qysh në vjeshtë. Me dëshirën e mirë, nga thesi që do të mbante nëna, të merrja diçka dhe, sipas mendjes sime, nëna s’do të lodhej shumë…Luftën këtë radhë s’e kisha me brigadierin, por me prindërit, të cilët e dinin që ishte gati katër orë larg e unë atëherë mund të isha 13 – 14 vjeç, por me një trup të brishtë si bisk bime e çelur pranverës. Me gjithë këmbënguljen e tyre, unë s’ktheva mendje, gjer më lejuan…Pa ndarë nata prej ditës, ndjeva nënën tek u ngrit dhe brofa në këmbë. U vesha shpejt e shpejt, mora thesin dhe një litarë që i kisha bërë gati qysh në mbrëmje dhe dola para. Kur më pa, ajo u lut përsëri të kthehesha, por unë në vend të përgjigjesha, vrapova para saj.Kush ka provuar të ecë në mugëtirën e mëngjesit, ndjen cicërimat e para të zogjve, sikur thërresin njëri – tjetrin për të braktisur çerdhet të dalin për ushqim. Mëngjeset seç kamë një magji të veçantë, por ky mëngjes ishte edhe më i veçantë për mua, se do shkoja me nënën në mal. Ashtu si zogjtë, nëna ime për çdo ditë dilte në agim e kthehej pasi nata bëhej e pushtetëshme. Mbase kjo ishte arësyeja më e madhe që shkoja pas nënës, për të qënë sa më gjatë pranë saj. Çdo fëmijë ka lidhje shpirtërore me nënën, por unë kisha lidhje më të fortë, nuk e duroja dot largësinë, mungesa e saj më sillte asfiksi. Aty ku ishte nëna, ishte paqja dhe kënaqësia ime!Kështu, vajtjen në mal, as e llogarisja fare, përderisa kisha nënën me vete! Sapo dolëm tek “Taksimi” (ishte vendi, ku ndahej uji për të vaditur) me ne u bashkuan edhe gra tjera. Sa më lart ngjiteshim, aq më shumë shtohej vargu i grave. Siç ishte atëherë, fisnin e qeshnin me të madhe, ndërsa unë me imagjinatën time, përfytyroja malin, se më kishte thënë baba që ishte shumë i bukur e fillova të ndjej së mbrendëshmi çuçuritje burimesh dhe freski hijesh… Pak nga pak mbërritëm në lagjen rrëzë malit, Katund, ku fillonte rruga drejt Shebenikut. Fillova të ndjej pak lodhje, se ishte e përpjetë, por s’nxirrja zë. Më kujtohen si nëpër ëndërr sot disa emra si: Gropa e Koçit, Lugu i bukur… Mandej u futëm në një ahishte të madhe, ku drurët mund të ishin mbi 30 metro, mendoj, se kurrë s’kisha parë drurë aq të gjatë, ku degët e pleksura mes tyre nuk e lindin diellin të depërtojë. Hej Zot, çfarë natyre! Kanë kaluar gati 50 vjet dhe ajo bukuri e virgjër më ka mbetur e skalitur jovetëm në mendje, por edhe në shpirt, se jam gati të shkoj edhe sot për të prekur madhështinë e atyre viseve të vendlindjes sime.U ndje një çuçurimë burimi dhe e gjithë brigada, si me komandë shkoi pranë tij. Dikush lante duart, sytë, apo pinte ujë, ndërsa unë, si e vogël që isha, si një flutur eca nëpër pyll dhe u ula mbi një gurë, nga ku depërtonte një rreze e hollë dielli…. A mund ta kuptoni se çfarë peizazhesh çfaqte para meje natyra? Gjithë ai pyll i madh, kishte vend për shumë bimësi tjera, të cilat formonin katet e pyllit që për fat të keq s’i mbaj mend emrat, se do i përmendja një për një e nën shkurret mori lulesh shumëngjyrëshe, të cilat të ndillnin t’i kundroje edhe symbyllur, se ajo bukuri, boll ta shikoje një herë e mbetej në telajot e shpirtit. Ashtu qëndrova mbi atë shkëmb, derisa më zgjoi nga përhumbja zëri i nënës.Vrapova për të arritur tjerët, bashkë me nënën, se ajo më priti te burimi që unë të pija ujë.Të ecësh mes madhështisë së natyrës, s’ndjen, as lodhjen, as veten, por pas gati një ore na del para një fushë e madhe, thua se kishte zbritur parajsa në tokë; Lule… Lule… Lule dhe barë, aty – këtu ndonjë shkëmb kokëbardhë që të jepnin përshtypjen, sikur ishin malësorë të ulur këmbëkryq. Nuk di se çfarë vepron tek ne, kur dalim përballë një bukurie të tillë, se pa vetëdije, u shkëputa nga të tjerët dhe vrapova si një dele që e mbajnë mbyllur e për të ngrënë sa më shumë, merr një gojë këtu, një gojë aty dhe i del në anë arës me hasëll. Ashtu isha unë, doja ta përpija gjithë atë bukuri! Mbase qysh atëherë ruaja muzën në gji, se veprimet e mia ishin marroke, por ngaqë isha e vogël, s’më merrnin për të çmendur! Kishin ecur besoj 4 orë e më shumë dhe kur dolëm në anë të kësaj fushëze, dallova disa burra që punonin me kazma dhe kur u afruam më shumë, kuptova se po hapnin kavaletat e patateve. Të gjitha gratë u ulën për të pushuar, ndërsa unë shkova afër tyre dhe shikoja me kuriozitet duke menduar, se patatet do të ishin kalbur nga gjithë ai dimër me dëborë, por kur dallova kokrat e para të patateve, u befasova, sikur ishin shkulur atë ditë! Atëherë ata filluan të punojnë me kujdes të mos i dëmtonin dhe dy nga dy erdhën gratë (vetëm gratë mbanin mbi shpinë) dhe mbushën thasët, erdhi dhe nëna ime, e cila e mbushi plot si gjithë të tjerat. Unë zbrita nga ku kisha qëndruar dhe i thashë nënës të zbrazte ca në thesin tim, por ajo s’pranoi, atëherë shkova dhe ngaqë më erdhi turp, e mbusha thesin mbi gjysmën.Ashtu pa fjalë, secila nga gratë vendosi litarët më dyshë në ndonjë vend pak të ngritur, vunë thasët lart dhe u ulën rrëzë thesit, duke futur lakun e litarit në kokë e mbi gjinjtë e tyre e kapën me dy anët e litarit dhe me një a dy të provuari, ngriheshin dhe niseshin për udhë. Të njëjtën gjë bëra edhe unë, por për ta lidhur litarin e bëri nëna. Në fillim nuk më ngjau se kisha rëndë, por kur zbrisje poshtë, pesha dyfishohej, ndaj desha s’desha, u ula, zgjidha thesin dhe i hodha disa patate duke u ruajtur se mos po më shikon njeri, se shpalleshe “Armik i popullit” dhe vazhdova udhën. Kisha mbetur pas. Nëna me idenë se më kishte mbrapa, ndiqte vargun e grave tjera, ndaj nxitova, por më rrëshqiti këmba dhe rashë rrokullimsi me gjithë thes, gjer qëndrova pas një peme. Mezi zgjidha litarin, i cili kishte shkuar në grykë dhe hoqa përsëri patate. Kur po mundohesha të lidh litarët, dëgjova zërin e nënës që po thërriste e shqetësuar. Të gjitha gratë kishin ndaluar, vetëm nëna po vinte me vrap e kur dalloi gjak në fytyrë, u tmerrua. Pasi më kontrolloi, se mos kisha pësuar ndonjë thyerje, vuri thesin në sup dhe mua më mori për dore. Arritëm tek gratë. Dy kushërirat e mia dhe nëna i ndanë patatet dhe i futën në thasët e tyre e kështu e turpëruar fillova të eci pas tyre…Edhe sot më duket sikur e ndjej peshën e atij thesi me patate dhe mendoj: Si vallë kanë duruar skllavërinë, aq gjatë nënat tona!?TIRANË, MË 18 PRILL 2022

About Post Author