Zyba Hysen Hysa: Sjellja e eshtrave të Fan S Nolit në Shqipëri…


Zyba Hysen Hysa: Sjellja e eshtrave të Fan S Nolit në Shqipëri, do ishte dhuratë e çmuar në këtë përvjetor pavarësie.(Botuar ne gazeten “Dielli” dhe “Republika”)

Nëse duhet t’i lutemi ndonjë profeti, ne, shqiptarët, duhet t’i lutemi profetit tonë, Fan S Noli, se ai na mësoi t’i lutemi Zotit në gjuhën tonë, në gjuhën shqipe, me atë gjuhë, që vetë Zoti na pagëzoi shqiptarë.

Nuk marr përsipër të bëj biografinë e një njeriu që edhe pasi ndërron jetë, mbetet udhëheqës shpirtëror për popullin e vet, sepse biografia e njerëzve të tillë nuk mund të kufizohet me vite – jete dhe nuk mund të përshkruhet me fjalë, ajo në këto raste ka vetëm një emër: pafundësi, një pafundësi si drejt horizontit se sa më shumë shkojmë drejt saj, aq më shumë i shtohen përmasat.

“Gjuha është mëndesha jonë mendore, – thotë De Amichis, – e marrjes frymë, e mendjes dhe e shpirtit tonë, përjashtimi i çdo gjëje që ka përbrenda vetëm natyrën tonë kombëtare, shllimi më i gjallë e më i fortë i bashkimit tonë si popull, kumbim i kohës së shkuar, zëri i pritmit tonë, jo vetëm fjala, por dhe qëndisja e shpirtit të Atdheut…” Duke marrë shkas nga kjo thënie e mençur, dua të nis udhën e pafundësisë së Të Madhit, Fan S Noli, i cili e pse i lindur në një vend larg atdheut (më 6 janar 1882, në Ibrik-Tepi (Turqi), një fshat banuar nga shqiptarët), më shumë se kushdo do ta kuptonte rëndësinë që ka gjuha e një kombi për t’u identifikuar dhe për t’u zhvilluar përkrah kombeve tjerë të botës, se çdo komb në botë përfaqësohet me gjuhën e tij dhe ne kemi fatin ta kemi zonjë gjuhën tonë, gjuhë që Fan S Noli përktheu mrekullisht Gëte, Shekspiri, Hygo, Ibsen, Servantes e përmes një pune kolosale duke shqipëruar përpos tjerash dhe 6 libra fetarë me rreth 1357 faqe që në kishë meshat fetare të këndoheshin në gjuhën shqipe si dhe, për të mbajtur ndezur në zemrat dhe mendjet e gjithë shqiptarëve që jetonin në Amerikë, botoi gazetën “Kombi” e më vonë “Dielli”. Këtu filloi për të mos përfunduar kurrë veprimtaria e tij patriotike për ta shtrirë më pas në fushën e letërsisë, kulturës, historisë, politikës dhe fesë. Kjo mjafton për të dalë në përfundim: nëse duhet t’i lutemi ndonjë profeti, ne, shqiptarët, kemi profetin tonë, Fan S Nolin, se ai na mësoi t’i lutemi Zotit në gjuhën tonë, me atë gjuhë që vetë Zoti na pagëzoi shqiptarë.

Nuk dua të bëj histori duke u kthyer pas, por duke parë vetëm një çast pasqyrën e historisë, arrij të dalloj fytyrën e drobitur të kombit tim, ndjej vështrimet qortuese të dëshmorëve dhe heronjve të vërtetë që për t’i sjellë buzëqeshjen Atdheut dhanë jetën në lulen e rinisë, prek konturet e copëtuara prej hanxharit të kasapëve të Evropës dhe ndjej kambanat e kishave greke përgjatë Vorio Epirit, ku në ballë duhet të ishte fotoja e profetit tonë, Fan S Nolit, nxin Anastas Janullatos duke shkruar me germa greke pllakatet e varreve të stërgjyshërve tanë duke i kthyer ushtarë grekë, shoh pllakatin e Nënë Terezës në një lulishte të Shkupit me duar të zgjatura , duket sikur lutet: “Hiqmini këto germa maqedonase mbi emrin tim, qëndismëni me shkronjat tona të arta, shoh fëmijët shqiptarë në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë të prekin librin e Abetares formuluar nga maqedonas, malazez, të mësojnë historinë, letërsinë dhe traditën e tyre sipas gatimit të serbe, malazezve, maqedonasve, shoh fëmijët dhe emigrantët shqiptarë që nuk mbajnë më emrat dhe fenë e tyre, por u ndalohet edhe të flasin shqip, shoh… eh, sa shoh e çfarë shoh…

Armiqtë e kombit tonë, historikisht, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për të zhdukur gjuhën shqipe duke përdorur lloj – lloj mënyrash, deri në mallkimin e saj, por populli ynë e ka ruajtur atë si gjënë më të shtrenjtë që ka trashëguar brez pas brezi. Nuk dua të përmend format dhe mënyrat kriminale të atyre që e kanë sulmuar gjuhën tonë, por përmes veprës së Të Madhit, Fan S Noli, dua të ngre zërin në këtë jubile të 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që krahas monumenteve tjera, të bëhet edhe një monument madhështor për Fan S Nolin në Shqipëri, të sillen eshtrat e tij në Atdhe, si një ndër dhuratat më të vyera që i bëhet Shqipërisë në këtë jubile të 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe në kishat ortodokse shqiptare të vendoset portreti i Fan S Nolit, se kështu i kemi bërë nder vetes, nder kulturës dhe kombit tonë, se kështu ai do të jetë më pranë nesh për t’u thënë shqiptarëve se të flasësh me gjuhën e nënës dhe t’ua trashëgosh bijve, nipërve e mbesave është detyra e parë patriotike në shërbim të Identitetit tonë Kombëtar, se pa identitetin tënd edhe yll të jesh nuk do të ketë sy bota të dallojë dhe të vlerësojë, se çdo njeri, para se të jetë një qytetar i botës, duhet të ketë identitetin e tij e me këtë pasaportë të identitetit të bëhesh pjesë e botës. “Një popull i robëruar, në mund të ruajë gjuhën e tij, ka mundur të ruajë çelësin e burgut të vet.” – thotë Canty. Përsëri i referohem figurës së Fan S Nolit, i cili e pse dinte mbi 12 gjuhë dhe shkollimin nuk e bëri në gjuhën shqipe, ai është shqiptari që foli një shqipe të pastër dhe të fuqishme, si një mjeshtër i madh i përpunimit të fjalës shqipe. Ai bëri, siç thotë Z. Arben Llalla në një shkrim për Nolin: “Ai bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip, Bëri Otellon të zemërohet shqip, bëri Hamletin të pikëllohet shqip.”, ndaj sjellja e eshtrave të tij për t’u prehur përgjithmonë në tokën tonë dhe vendosja e një përmendoreje gjigante në Shqipëri të Nolit do të kujtonte politikanët tanë që të flasin shqip nëpër instancat ndërkombëtare, të kujtojë qeverinë shqiptare e kosovare që ashtu siç u arrit një abetare për dy shtetet tona shqiptare, të bëhet e mundur edhe për shkollat në gjithë trojet tona etnike ku jetojnë e mësojnë shqiptarë e jo vetëm, por të përafrohen tekstet e tjera deri në unifikim, të çelë sytë gjithë shqiptarëve që të ndjehen vërtet krenare që janë shqiptarë, se kanë një ndër 10 gjuhët më të vjetra evropiane, gjuhë që sa më shumë ta përdorim, aq më shumë na rrit karatin tonë njerëzor. Ashtu siç bëjnë të huajt, kur vijnë në Shqipëri, pra nuk e ndryshojnë gjuhën, flasin dhe përshëndesin me gjuhën e nënës së tyre dhe ne të presim përshëndetje me gjuhën e tyre, por t’ua kthejmë përshëndetjen shqip: Goodmorning – Mirëmëngjesi, Hi – Përshëndetje, buongiorno – ditën e mirë, Come stai? – Si jeni? Goodbay –Mirë u pafshim… derisa popujt e botës të mendojnë se paska një gjuhë që e oërdor një komb i lashtë që quhen shqiptarë.