Zyba Hysen Hysa:Fragment nga romani “Fati i pa fat”


Zyba Hysen Hysa

Fragment nga Romani “Fati i pa fat”

“Nëna moli lopën, vuri qumështin në zjarr dhe u ul bri Kelmendit, për të ngrohur duart e mardhura nga të ftohtit.
– Nёnё, – theu heshtjen ai.
– Ç’ ёshtё bir?! – U kthye ajo e tronditur nga mënyra e tingëllimit të zërit.
– Do të nisem për Greqi! S`mund ta duroj mjerimin! Punuam tokën, mbollëm gjithë këto vite, por dielli i zhuriti dhe asgjë veç kashtës s’kemi fitim, tufën e kemi shtuar, por qumështi shkon dëm, qyteti ёshtё larg…
Ajo e dinte, se çfarë do të thoshte të ikje malit, rrugë e pa rrugë, natën, me shi e borë…

Shumë rrëfime kishte dëgjuar ajo për emigrantët shqiptarë, për vuajtjet, poshtërimet e policisë dhe ushtrisë greke. Kurrë nuk i hiqej nga mendja rrëfimi i kunatës për djalin e hallës, ku ushtarët grekë e kishin kapur bashkë me një grup shokësh, i kishin detyruar të hipnin mbi pemë, pastaj kishin sharruar pemën dhe kishin rёnё mbi tokë të sakatuar…
Ushtarët argëtoheshin nga plagët dhe rёnkima e tyre gjer i detyruan të hanin edhe jashtëqitjen e tyre… Kjo nuk i shkitej nga mendja, por s`kishin së numëruari histori për vrasjeve, plagosjeve dhe burgosjeve të shqiptareve dhe kurrë qeveria shqiptare s’kishte dalë nё mbrojtje, ose të kundërshtonte dhunën e pamëshirshme.

Ajo kishte dëgjuar lloj – lloj rrëfimesh e tani duhej të përgatitej, se do të rrëfehej edhe për të birin, ndaj vështrimi i saj e gozhdoi Kelmendin, ashtu siç bёjnё pritë ujit, ia ktheu fjalët prapë dhe ai provoi mbytje brenda shpirtit.

Që para pesë vjetësh, pas vdekjes së të shoqit, ai qe bёrё shtylla e shtёpisё. Për të punuar më shumë, ish detyruar të ndërpriste studimet dhe këtë, ajo e kishte plagë për zemër, por ikjen do ta kishte të papërballueshme, ndaj i foli duke e pёrkёdhelur, si dikur që e mbante mbi prehër. “I miri nёnёs! I bukuri im! Balluku im!” Fliste dhe i ledhatonte kaçurrelat e zinj, fliste, ledhatonte, i puthte flokët, ballë e sy, si për t`u lutur që të mos e zinte me gojë ikjen për Greqi. Atë e tmerronte largimi i Kelmendit, se me të kishte krijuar një lidhje veçan fёmijёve tjerë, fliste jo vetëm për halle, por bënte dhe projekte e bisedonte si vëlla. Prania e tij ia kishte larguar disi vetminë.

Ndodh që me fёmijёt s’mund të krijosh të njëjta marrdhёnie, kështu dashje pa dashje, këto lloj marrdhёnie krijojnë xhelozi deri tek konflikt familjar, por qe fat për të, se fёmijёt e tjerë e respektonin dhe ia dëgjonin fjalën si baba. Me gjithë praninë dhe komunikimin dashamirës me tre fёmijёt, ajo shpesh mbyllej me vetvete, kur i shihte ata që rriteshin dhe ёndёrrat e tyre s`dinin tek cili qiell t`i vendosnin e ajo s`kishte asnjë mundësi për t`i ndihmuar.

Dhembja dhe lumturia përjetohen njëlloj nga çdo njeri, por si përballimi i dhembjes dhe arritja e lumturisë, s`janë njëlloj për të gjithë. Humbja e të shoqit ishte një dhembje që sillte dhembje, për shkak të varfёrinё së tejskajshme dhe shtimit të kërkesave të fёmijёve që vinin me rritje, duke mos llogaritur faktin e të qenit femër. Ajo, sapo kishte mbushur të pesëdhjetat e dashje pa dashje ishte kthyer “burrneshë” për të mbajtur familjen, por mundi dhe djersa i shkonte dëm. Këto pesë vjet vejushë, kurrë s`i qeshi buza. Kelmendi, që tashmë qe bёrё burrë, e shihte të ardhmen vetëm të ikte jashtë shtetit për të provuar fatin. Nëse nëna udhëhiqej nga mynxyrat e dëgjuara, ai nxitej nga suksesi i dikujt që kishte dalë nga skamja dhe mjerimi…”

About Post Author