Zymer Mehani-Iku në amshim profesori dhe miku ynë, Bislim Aliu,piktor e shkrimtar


Zymer Mehani
Iku në amshim profesori dhe miku ynë, BISLIM ALIU, piktor e shkrimtar

Sot, më 3 shtator 2023, ndërroi jetë prof. Bislim Aliu
Prof. Bislim Aliu u lind në Besianë, në vitin 1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në vitin 1960, të mesmen, sjkollën normale e kreu në Prishtinë, në vitin 1965, ndërsa Akademinë e Arteve Figurative e kreu në Prishtinë, në vitin 1979. Studimet pasuniversitare i kreu në Beograd, në vitin 1983.
Një kohë të gjatë ka punuar në arsim mësues, arsimtar, profesor dhe si inspektor i arsimit në DKA të arsimit në komunën e Besianës gjer në vitin 2011, kur doli në pension.
Prof. Bislimi ishte bashkëthemelues i shoqërisë kulturo-artistike “Josip Rela” në Besianë, në vitin 1965. Që nga viti 1965 e deri në vitin 1975 ishte anëtar i rregullt i kësaj shoqërie, i cili për aktivitetin e mirëfilltë, mori shumë shpërblime e mirënjohje.
Prof. Bislim Aliu që nga viti 1970, ishte shumë i angazhuar në lëmin e pikturës, ku pati më se 18 ekspozita individuale e më se 100 sosh kolektive, në vend e jashtë vendit, ku për punën e frytshme mori shumë shpërblime e mirënjohje në këtë lëmi, që tregojnë dendur për kreativitetin tejet të lartë në këtë lëmi pamore.
Në vitin 1972 organizoi ekspozitën e parë individuale të tij në Besianë, e që ishte ekspozita e parë individuale e organizuar ne këtë komunë. Përndryshe në këtë komunë ekspozita individuale ai pati edhe në vitet: 1973, 1975, 1980, 1990, 1995, 1996 dhe në vitin 2003.
Ekspozita individuale organizoi edhe në vitet:
1983 – Beograd, në Galerinë e fakultetit të arteve
1985 – Prishtinë, në galerinë “Koha”
1996 – Grozhnjan, galeria ekspozuese
1996 – Prizren, galeria “Rada”
1997 – Prishtinë, galeria “Koha”
2001 – Prishtinë, galeria e ministrisë së kulturës
2005 – Prishtinë, galeria e ministrisë së kulturës
2009 – Prishtinë, galeria e ministrisë së kulturës
2011 – Prishtinë, galeria e ministrisë së kulturës
2015 – Prishtinë, Restorant “Koleksion”.
Prof. Aliu që një kohë të gjatë, mbase qe 45 vjet merret me shkrime së pari me poezi për fëmijë, e më vonë edhe për të rritur. Njëherit me botimin edhe shumë vizatimeve e pikturave nëpër gazetat e përditshme. Përndryshe është njohës shumë i mirë i rrjedhave të arteve pamore, ku për shumë vjet ka shkruar nëpër të gjitha gazetat kritikë për pikturë dhe për ekspozita të shumta të organizuara në Kosovë por edhe më gjerë. Merret edhe me publicistikë.
Disa nga veprat që ka botuar janë:
“Peizazh i humbur” – poezi në vitin 1998
“Miramar o Miramar” – poezi në vitin 2001
“Refleksionet estetike” – kritika arti në vitin 2005
“Drithërima” – poezi në vitin 2007
“Tingëllimë dashurie” – poezi në vitin 2010
“Vetmia” (roman), 2019
“Rruga e vështirë e Fatlum selishtës” (roman), 2021
“Shi në pikturë” – poezi dhe “Opinione”, dy romane etj.
Qe 45 vjet është aktiv me shkrime dhe me publicistikë nëpër të gjitha gazetat si në: “Pionieri”, “Gep”, “Bota e re”, “Rilindja”, Zëri i rinisë”, “Bota sot”, “Koha Ditore”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Jeta e re”, “Kosova Sot” në të cilat ka botuar: vjersha për fëmijë, vjersha për të rritur, vizatime e piktura, kritikë arti për piktorët dhe ekspozita të shumta, shkrime pedagogjike dhe opinione për rrjedhat politike në Kosovë.
Bislim Aliu njihet edhe si sportist i dalluar, si futbollist i KF “Llapi” më se 15 vjet, mandej si refer i futbollit më se 22 vjet dhe si vëzhgues dhe kontrollor i referimit më se 10 vjet.
Ishte anëtar i Shoqatës së Piktorëve të Kosovës (SHPK) – 1979
dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) – 2000