Kronikë e trishtë-Flora Gjondedaj Dervishi

Kronikë e trishtë

Në përkujtim të dy poetëve : Genc Leka e Vilson Blloshmi , pushkatuar nga diktatura në 17 korrik 1977. Vargjet e tyre u përkthyen si agjitacion e propogandë kundër sistemit socialist

….E ndala frymën buzërruge
ku qyteti i vogël flet me valë ,

Dy koka të prera më dalin përpara
Dy koka poetesh pa piedestalë …

poetë gaztrishtë,Genc e Vilson
As kafen s’e vë dot në buzë
Vështrimi dhimbje pikon .

Nuk ndalet vala e Shkumbinit
Nën urë shushurin e flet

Diçka e pathënë ka mbetur
Çfarë u shkrua në amanet ?

(Ma vratë poezinë , ma morët jetën,
Po vajzën mos të guxojë kush t’a prek !)

Genci mori lajmin, se u bë baba
kur flatëroi një zog në qeli….

….pastaj nata i mbështolli me vdekje
Syhapur mbetën poetët, qyteti nuk mbylli sy ..

E korbtë ishte ajo natë korriku
Yje verbuar nga krimi a krisma ?

Kur nëna lehonë u vesh me të zeza
Vonoi të zbardhte dita .

Ndodhi të shoh Saharanë afrikane
Gjer atje më erdhën vargjet si veri ,

E më dogji më shumë “Saharaja” e Blloshmit
Poezia që i ndolli zi …

Librazhd , Mars 2011.