Ndoshta, jo ndoshta-Ruzhdi Gole

  Ruzhdi Gole






1.


Vendi ynë përhera 
do të jetë i bukur…
Ndoshta…


Vendi ynë ka më pak heronj 
kur ne e teprojmë
lavdinë e tij.


Të mençurit e vendit tim 
rrojnë pak përhera 
nuk vdesin …




2.


Menjëherë 
pikëllohen pishat
kur këqyrin afër qiejt
ndarë gjysmë nga bota,


Mali asnjëherë nuk rrudhet
rrudhet ndonjëherë 
ndonjë qerpik 
përplot pak


…ndoshta…
 
3.


Po e ndaj përgjysmë 
moshën time
– tha njeriu,


diku vetja, 
diku huajtur veten, 
diku gjithçka, diku hiç,


ndaj përgjysmë veten nga vetja 
por tek e vërteta : pëllëmba 
s’është e plotë nëse 
fatkeqësisht 
unë – njeriu 
prej saj
këpus 
gisht.


Ndaj gjysmë pikëllimet e mia
po me veten…Diku mugëtira 
më afrohet


jetoj vdekshëm … 
pa vdekjen…


Përhera, 
nganjëherë ndoshta… –
tha njeriu duke ikur…pa ikur.
 
4.


Zemërimi i dikujt quhet Jetë, 
dikush qesh edhe zemëruar,
dikush me atdheun e tij
më gjatë zem’rohet 
duke e fshirë vite 
atdheun, 
pafund
kujtesë.


Mallkimi i dikujt ka atdhe,
mallkimi i askujt 
nuk ka atdhe 
të vërtetë!
 
5.


Çelur para syve të të gjithëve 
dhe fshehtas duke u rritur
një dritare për fëmijën 
ishte pemë përpara 
se të  bëhej pamje, 
kraharor i drunjtë 
për të mbyllur 
natën.


…  ndoshta, mundet….


Para syve të librave rritej fëmija
duke e lidhur shpejt fatin e tij
një kërthize tjetër.


…ndoshta, jo ndoshta..


Para syve të askujt
fëmija u afrohej lapidarëve
u besonte atyre, jo pasardhësve…


…ndoshta, asnjëherë ndoshta…
 
 6.


Askush nuk më urdhëron 
fjalën time t’ia blatoj 
ndonjëherë atdheut – 
tha këmbësori.


– As vet atdheu im…


Ndoshta 
kjo është e vërteta jote –
i tha frymori i dytë këmbësorit.


Sa të vërtetë jeni ! – u tha atyre 
frymori i tretë, kudo përhera 
më pararendës se ata
aq i (pa)dukshëm 
i gjithi para syve 
të ecejakeve
të tyre.




Ky është atdheu?-
u habitën frymorët.


Atdheu ynë është… jo ndoshta…
 
7.


Mure të tejdukshëm prej guri
Gurë të tejdukshëm 
plot erëra,


qivuret prej pluhuri,
hija tretur 
dherash.


Deti 
gjysma korb
dhe gjysm’ pëllumb,


Mali 
ende gjuan 
malin me plumb.


Tjetër kund humbsha,
mos humbsha 
tjetër kund…
 
8.


Ooo, ma ktheu mëndjen gjumi
Mos ngrys me mua – tha,
flatro tek majat e zulmit.


Ooo, ma nxiti hapin gjurma,
Me furtunat vrapo – më tha
mua më zenë urnat.


Rri me ne dhe ca
tutje është
e vona…


Oooo, ma zgjati krahun deti,
ndoshta deti … 
përgjithnjë 
Vlora…


9.


Përhera e kam dashur
pa iu lutur askujt
të më mbaj afër
veç prindërve…


Më pak e kam dashur
kur më ka zhgënjyer.


Kush më ka zhgjënjyer ?
Atdheu im???


Ooo, 
ç’psalm qënkam
pa bekim perëndish!!!


10.


Qeshin ngazëllimet
era ngashërehet
vala ngadhnjen


lumturon, trishton ende korriku…


ndër poetët e parë e të vonë
ndoshta shumë i ndezur
më i pafikur.


Kopshtet e yjeve përflakur
qershitë e plot yjeve
s’i vjel askush,


diku e diku … 
në Vlorë, 
ku tjetër 
kund?!


Lumturon, trishton ende korriku…