
Ruzhdi Gole
NJË PEMË NË GJOKS
(cikël poetik)
1.
Përhera nga mëma
ne jemi vëllezër,
pas përcjelljes
së saj
vonë
u bëmë miq.
Ndoshta, fëmijtë tanë
do duken kushërinj
të njohur, t’afërm …
2.
Dita nuk paska retinë
ta shoh të vërtetën,
plot shenja
jetojnë zgjim
gjysma shenjtër.
Retinë paska
veç shigjeta
të ndrit para syve
plot shenja të verbërta…
3.
Vëllazërimi afrohet … duke ikur,
rrokur tek njeri-tjetri, kalimthi.
Në breg vëllai i madh
përhera i çiltër, hov
ndaj të voglit
mëditës.
Ciflat nuk kanë krye
dhe as kujtesë…
Vëllazërimi duke ikur
afrohet
valëve
veç…
4.
Pjesë – pjesë Jeta …
rron honet
pastaj
cingëron
nga thneglat.
Vëllai i vogëlth
i jep dorën të mbramit
jo ikur shpejt tej, as fjetur së gjalli…
5.
Mposhtemi
edhe
duke u ngjitur lart,
fitojmë edhe
duke u rrokullisur poshtë,
ndoshta
përpjetë na kanoset një grackë
në mes të një rrokullime
një pemë
na vë
duart në gjoks…
6.
Përtërihemi gjoja…
gjoja tani jemi të hirtë,
trupi i një trungu
nga kripa vdes
si veshka nga tepria
stomaku nga pabloja
si gishti pa rreze
rrezja fik…
Ne aty dukemi motakë
më të mëdhenjtë
largpamës,
hareshëm hutohemi
vetëm një çast
të kthjellët më pak
shumohemi vranët…
7.
Dikush, ngahera
çalon pa ecur,
dikush të sheh
me sytë mbyllur,
hilen të çalit
ia zbulon era,
loti ia zbulon hilen
syrit të qirinjtë
qiririt të strukur.
Ndonjëherë çalon
edhe ngashërimi
loton sytë e tij
asnjëherë dinakë,
pastaj shkund urnat
tej kërcinjve të hirit
me tjetër natyrë
nga bota vrap…
8.
Çuditë krehin flokët
merakosen çuditë,
njera prej tyre
në moshën e fluturës
e njomësht
karficë sa ka vënë tjetra
e rreshkura rri mënjanë
tymos kujtese marrëzitë.
O vajza, o gra grunjare …
prej motesh u kam ik’
fluturave të çudive
jo puthjeve
plot farëra
në moshën
nikotinë
tespije
ngasje…
9.
Jeta … e shpejtë, duket e cungët,
me hapin atlet jeta e plumbtë.
S’e zë mugëtira…
mjafton një bela
bela nga ato që jetojnë
ende të d’lira
zgjuar në gjoks
fluturim në krahë.
Jeta … e shpejtë, jeta e plumbtë…
e çojmë ku ne duam
na çon humba humb…
10.
Lodhja ime e parë
udhëtimi im
i fundit…
Gjer atëhere
ndjek cakun, çdo thep,
Deti tjetër kund
do t’i hedh degët e reja
të të pagjumit
farërat e tij të kaltra
do të më bien mbi gjithçka
ndoshta
prej Reke një shkamb
do të më avitet
do të më çukis ndonjë sqep.
Lodhja ime e parë
asht
udhëtimi im i fundit…
Qe besa, pabesisht do t’ki
shkuma e një vale dikun’
thepi i një cingërime
prej zjarrmi
jo pluhuri…