Lushnja në baladën time-Spiro Kote

SPIRO KOTE



Që kur Zoti të bekoi, me të njejtin emër,
Brenda emrit tënd, shenjtëron një femër.
Bukuroshe e fjetur, me hire, me nure,
Demetra e fushave, ku ëndrrat i thure .

Brenda emrit, fshehur, rrije si hirushja,
Kur burimit shkoje, veshur, si Lulushja.
Mëngjesit të zbardhur, pa ardhur e diela,
Veje Margaritë , ktheheshe, Vaçe Zela.

Në mbrëmje dilje, pa dalë ende hëna,
Hiret myzeqare, shpirtin, kishin brenda.
Hirushe – lulushe, linde bijë dhe bija,
Herë si Vath Korreshi ,e herë si Pavlina .

Në ditët me diell , me diell Myzeqeje,
Kur shtëpitë i mbushje, me halle dhe brerje,
Mes dhimbjeve të tua, lind Faslli Haliti,
Emrin ,me bekimin tënd , merr Visar Zhiti.

N’ janar të njëzetës, nxore bijtë në ballë,
Shqipërisë t’i dilje zot , me djem të rrallë.
Me të tjerë burra, bashkë, ç’ia bëre fora:
“Këngën e Kongresit thur ,Ferit Vokopola”

Nënë e bijve të njëzetës, firmë për qeverinë,
Qeverinë me vulë t’besës,besë për historinë.
Lushnja e Kongresit, grua-zonjë e rëndë.
Lavdinë e Kongresit shkroi,me t’artën pëndë.

Ujë te “Çezmë e sherrit”, çezmë te Kalifaja
Nallanet e rënda ,mbaje ,nallanet e mëdhaja.
Trak e truk sokakut: çmendur nga sevdaja
me hiret e tua:”shsht!”, se ndien dynjaja.

Sevdaja ç’iu ra n’kokë, Beratit dhe Fierit:
“Bëmë derman,se plasa,bëmë mua të mjerit”
Te sokaku i Stanit, te sheshi i Haxhinjve,
Mbrëmjet e qershorit digjnin,saze t’arixhijnve

Rrugëzat e mbrëmjeve ndrijnë te Instituti,
Ve në gjumë përrallat, gjysh, Ilia Shyti
Bleruar si limonat , djemtë, te xha Nebiu*
Flakën ndez “Traktori” te ” Roza Haxhiu”.

Viteve të rinisë, mbolle, shpresa… ëndrra,
Ditën, shok me diellin, natën, shoqe – hëna
Skifterët t’i hanin fushat, kusarë te hambari,
Ti – tollonat në dorë , radhën te pazari.

Bijtë e tu përcolle , larg , udhës së fatit,
Netëve me yj’ t’zbehtë, ngricave të janarit.
Strehë t’reja ngrinin, syt’ i kthenin prapa,
Me mall t’vendlindjes thurin, këngë e balada

—————
* Te busti, Nebi Sefa
* sheshi para Shtëpisë së Kongresit,
* Nebi Sefa ,
* firmëtar,
* nënëshkrues i Shpalljes së Pavarësisë ,
* në Vlorë 28 Nëntor 1912,
* mblidhen djemtë pas fitores ,me uniformën e blertë e të limontë të ekipit të futbollit ” Traktori “

20 Janar 2025