Syhejl HAVOLLI Bajram QERIMI

Bajram QERIMI
Në këtë fillimgusht të vitit 2026, në këtë vapë të madhe të verës, mora një telefonatë të veçantë nga miku im Fehri Qerimi, vëllai i poetit dhe mikut tim të paharruar Bajram Qerimi.
Fehriu më njoftoi se biblioteka ime do të pasurohet me përmbledhjen poetike “DRITË DASHURIE” të autorit Bajram Qerimi.
Kur ma dhuroi librin Fehriut i thashë:
Të falem nderit nga zemra miku im Fehri për këtë dhuratë me vlerë të rrallë shpirtërore që më preku thellë.
NJË TAKIM I VONUAR ME POETIN BAJRAM QERIMI
Duke lexuar përmbledhjen poetike “Dritë Dashurie”, në secilin varg më shfaqej para syve miku im Bajram Qerimi, tashmë në amshim!
Në secilën poezi ndjeva njeriun fisnik, poetin e përkushtuar që dinte ta shndërronte dashurinë, jetën dhe dhembjen në dritë.
Kjo përmbledhje nuk është vetëm një libër me poezi, por një takim i vonuar me shpirtin e një poeti që vazhdon të jetojë nëpër vargjet e tij dhe në kujtesën e atyre që e deshën.
Poezia Si këngë për këngët është një himn për dijen, lirinë dhe përparimin. Me këtë poezi, poeti shpall besimin e tij te njeriu dhe te vlerat që e lartësojnë shpirtërisht.
Akrostik shkruar me zemër është një poezi dashurie e ndërtuar me mjeshtëri në formën e akrostikut. Germat e para të çdo vargu zbulojnë mesazhin e fshehur “Hajrije të dua deri në vdekje”, duke e bërë dashurinë jo vetëm temë të poezisë, por edhe vetë arkitekturën e saj artistike. Kjo është mjeshtria e poetit fisnik.
Të kam matur një lirikë perlë ku dashuria shprehet si masë e vetme e vlerës dhe e bukurisë.
Me një gjuhë të ndjerë e plot përkushtim, autori e ngre ndjenjën përtej kufijve të fjalës, duke e bërë atë të pafundme.
Mungesa jote është e ndërtuar mbi dhembjen e mungesës. Në këtë poezi shpërfaqen figura të thjeshta e prekëse, ku autori e shndërron vetminë në një përjetim të thellë shpirtëror, ku dashuria mbetet më e fortë se largësia.
Ditët e mallit, poeti pasqyron me ndjeshmëri ankthin dhe pritjen e dashurisë. Malli i bëhet forca që lëviz shpirtin, duke e kthyer mungesën në një përjetim të thellë e të pandërprerë.
Poezia Emri yt e shndërron emrin e të dashurës në simbol të dashurisë, shpresës dhe përjetësisë.
Me një ndjenjë të sinqertë, poeti Bajram Qerimi e ngre emrin në përmasë shpirtërore, si burim drite dhe frymëzimi.
Kjo lirikë Serenadë është e thjeshtë dhe e ngrohtë, ku dashuria shprehet përmes këngës, mallit dhe afërsisë shpirtërore. Poeti me një frymë popullore e paraqet dashurinë si bashkim të dy zemrave në të njëjtën këngë.
Ti të jesh mirë poezi e përshkuar nga përkushtimi dhe dashuria e pakushtëzuar. Lumturia e të dashurës bëhet edhe lumturia e vetë poetit lirik, duke e shndërruar dashurinë në mirësi, kujdes dhe bashkudhëtim.
Poezia Gjithnjë përcjell frymën e qëndresës, shpresës dhe ecjes përpara. Me një ton optimist, poeti e miku im Bajram e lidh idealin e lirisë me besimin për një të ardhme më të mirë, ku njeriu ecën në hap me kohën dhe jetën.
Jeta është një poezi meditative që e sheh jetën si një rrugëtim me sfida, rënie dhe ngritje. Me një vështrim realist e shpresëdhënës, poeti e pranon ndryshimin si pjesë të natyrshme të jetës dhe të pjekurisë njerëzore.
Poezia e titulluar Në Maratonë ka karakter simbolik, ku maratona paraqitet si metaforë e përpjekjes njerëzore. Sa bukur e lidh garën me idealin, këmbënguljen dhe dëshirën për të lënë gjurmë në jetë.
E gjithë kjo që u tha më lart, këtë vështrim timin të shkurtër, po e përfundoj me poezinë Feniksi, poezi simbolike që lartëson fuqinë e ringritjes pas vuajtjes. Përmes figurës së feniksit, shpreh besimin se njeriu gjen gjithmonë forcën për t’u rilindur dhe për të vazhduar rrugën me vendosmëri.
Libri i autorit mbyllet me këtë poezi:
VIZIONE PЁR VENDIN TIM
Natyrë e mahnitshme e vendit tim
ngado me bukuri të rralla,
male të shumta
fusha të gjalla
vitet e robërisë të kanë gjymtuar
me lënie pas dore
me varfëri mbuluar
rrugët pa shtruar
ngado dhiare
shtëpitë nga balta
dhomat pa mobilie
tavane të ulëta
ku edhe ëndrrave rrallë sheh njeriu
gjëra të bukura
2.
Bota ka ecur para me ndërtime
me fabrika
me punëtori
me makina
me begati
e ti vendi im në vend ke ngecur
e ke shumë etje para për të ecur
3.
Do të ecim sigurisht
duke ndërruar
mendjen duke përdorur
punë duke bërë
vepra duke shtuar
natyrën e bukur
duke e bërë madhështi
i ri do të jesh vendi im
në shekullin e ri
4.
Krejt i ri do jetë ky vend
në truallin e vjetër
e mira dhe e mbara do na vijnë
do vijë mbarësia patjetër
arat do punohen
do punohen livadhet
moderne do jenë dhe malet
edhe rrugët do të shtrohen
vlerat e këtij vendi ngado të madhështohen
5.
O sa shumë shkolla
do ketë në ty vendi im
biblioteka e libra
ngado përparim
se zemrën populli yt e ka të madhe
të madhe e ka etjen për përparim
Tërpezë, verë 1976
Shtrohet pyetja: Pse e zgjodha këtë të fundit Vizione për vendin tim, sepse e mbyll përmbledhjen me një mesazh shprese dhe besimi në të ardhmen, duke ndërthurur dashurinë për atdheun me idealin e përparimit. Bajram Qerimi e lë lexuesin me bindjen se dija, puna dhe përkushtimi janë rruga drejt një shoqërie më të zhvilluar e më të denjë, veçanërisht dy vargjet e fundit:
Se zemrën populli yt e ka të madhe
Të madhe e ka etjen për përparim.