Fuqia e vargut për mua-Sonja Petro

Sonja Petro



Kam mbledhur fjalët një nga një
nga plagët që s’i pa njeri
i ktheva dhimbjet në këngë
i dhashë shpirtit jetë përsëri.

Nuk më tremb më nata e gjatë
as rruga që vetëm më le
se çdo varg që shkruaj sot
më ngre më lart se dje.

Kam humbur, por nuk jam rrëzuar
kam qarë, por përsëri kam qeshur
jeta më provoi shumë herë
por shpirtin s’ma ka thyer asnjëherë.

E nëse bota më harron
vargu im do të më kujtojë
se atë që mbajta brenda zemrës
kënga ime do ta tregojë.

Dhe nëse më pyesni një ditë:
“Ç’të mbajti gjallë në këtë jetë?”
me bindje do t’ju them: Vargu im
sepse aty lashë zemrën time përjetë !