Artisti kurbinas Kurt Lika-Ymer Hysa

Portret artisti

rapsodi që e ktheu dashurinë për Kurbini​n në këngë dhe këngën në kujtesë.

Ymer Hysa, gazetar.

Emri i këngëtarit dhe rapsodit Kurt Lika në historinë e kulturës popullore të Kurbinit zë një vend të veçantë. Ai është një prej artistëve që e ka lidhur jetën dhe pasionin me këngën popullore, duke e parë atë jo thjesht si një formë interpretimi artistik, por si një mënyrë për të ruajtur kujtesën, historinë dhe shpirtin e vendlindjes.

Me një veprimtari artistike të shtrirë në disa dekada, Kurt Lika është një nga zërat më të njohur të këngës popullore dhe të traditës rapsodike të Kurbinit apo e thënë shkurt; rapsodi që e ktheu dashurinë për Kurbini​n në këngë dhe këngën në kujtesë.

Këngët e tij me motive historike, patriotike, lirike kushtuar trevës së tij e kanë bërë të njohur jo vetëm në Kurbin e Shqipëri, por kudo nëpër trevat shqiptare dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Që me shfaqen e tij të parë në skenën shqiptare në vitin 1988, në Festivalin Folklorik në Gjirokastër, me këngën “Gjallë a dek nusen t’ma bini”, të interpretuar së bashku me motrën e tij Sherife pati një prezantim artistik dinjitoz, ndërsa kënga u nderua me çmimin e parë në shkallë republike rapsodi Kurt Lika u vlerësua me titullin “Laureat i Festivalit”. Mbase do ishte pikërisht ky vlerësim që shënoi momentin më kulmor për të vazhduar karrierën artistike.

Kurt Lika ka një veprimtari të larmishme. Ai është angazhuar në koncerte, veprimtari kulturore, festivale dhe gëzime familjare, duke ruajtur në repertorin e tij elemente të muzikës tradicionale të krahinës së Kurbinit e të mbarë Shqipërisë së Veriut. Ai është i lidhur veçanërisht me Kurbinin, ku jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike.

Përmes këngës, Kurt Lika ka përcjellë bukurinë e kësaj treve, kujtesën historike dhe krenarinë e banorëve të saj.

Kënga hit e tij, dhe që është bërë pjesë e identitetit të tij artistik apo nga këngët më të njohura është “Lulja e Kurbinit”, teksti Fran Laska, muzika Mark Gjoka, këngë kjo që i kushtohet drejtpërdrejt trevës kurbinase duke sjell në vargje peizazhin, bukurinë, dashurinë dhe krenarinë për Kurbini​n dhe duke e paraqitur vendlindjen si një hapësirë të pasur me tradita, zakone dhe ndjenja të forta atdhetare.

Veprimtaria e tij nuk është kufizuar vetëm në interpretimin e këngëve të dashurisë apo të repertorit tradicional. Repertori i tij tashmë i larmishëm përmban shumë këngë që trajtojnë historinë, figurat dhe identitetin kulturor të Kurbinit.

Kënga e Skënderbeut me tekst Fran Laska, muzikë Kol Susaj dhe orkestrim Edmond Zhulali, që i kushtohet heroit tonë kombëtar, Kënga “Jam Gjin Pjetri i Kurbinit”, teksi: Fran Laska, muzika Mark Gjoka, kushtuar figurës së Gjin Pjetrit të Skurajt, si një personalitet i lidhur me historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare apo “Kënga e Kishës Shnanout”, teksti Gjok Beci, muzika Mark Gjoka e cila i kushtohet historisë dhe simbolikës së Shna Ndoit të Laçit, një prej vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të Kurbinit flasin qartë për këtë.

Por veç këngës emri i rapsodit Kurt Lika është i lidhur edhe me promovimin e veshjes tradicionale kurbinase. Vlen të përmendim një botim kushtuar veshjeve tradicionale të trevave të Qarkut Lezhë, ku modeli i veshjes së burrit kurbinas është shënuar me emrin Kurt Lika, duke dëshmuar për përfshirjen e tij në ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë etnografike të zonës.

Veprimtaria e tij artistike vazhdon nëpër vite ku ndër të tjera në vitin 2025 Kurt Lika publikon këngën “Rapsodët e Kurbinit” me ekst Fran Laska dhe muzikë Driton Fazliu dhe Muhamet Selimi nga Prishtina.

Por jo vetëm kaq, repertori i tij përfshin edhe këngët “Dasma e Shqiptare” me teksti Fran Laska dhe muzikë Mark Gjoka, “Vallja e Shpirtit”, Teksti Fran Laska, muzika Kol Susaj, orkestrimi Edmond Zhulali si dhe shumë këngë të tjera të muzikës popullore.

Ndaj me bindje të plotë mund të shprehem se kengetari kurbinas Kurt Lika mbetet një nga përfaqësuesit më të spikatur të traditës së këngës dhe rapsodisë kurbinase. Përmes zërit, repertorit dhe veprimtarisë së tij artistike, ai ka kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e historisë, kujtesës, zakoneve dhe krenarisë së trevës së Kurbinit te brezat e rinj dhe në përgjithësi te publiku shqiptar brënda e jashtë vendit.

Kurt Lika jo vetëm vetë e ka ruajtur dhe përcjellë folklorin kurbinas, por ua ka lënë trashëgim edhe dy djemve të tij, të cilët janë pjesë e Gurrës së Kurbinit dhe këtë më së miri ai e përcjell me vargjet e këngës së poetit Gjovalin Dushaj “Amanet këngën ta lá” të kënduar me djemtë e tij.

Për ta portretizuar figurën e tij, për të gjithë dashamirësit e këngës në Kurbin, Kurt Lika nuk është vetëm një këngëtar, por edhe një përcjellës i kujtesës dhe identitetit kulturor, që e ka kthyer këngën popullore në një mënyrë për të treguar historinë dhe shpirtin e vendlindjes