


Sot unë isha në protestë si bashkëqytetar i Vlorës.
Në vitet 1998 deri në vitet 2004 un kam qënë bashkëpuntor i Muzeumeve të Vlorës me Drejtor Novruz Barjamaj(RIP), Historian- Arkeolog Ilia Çano(RIP), Specialiste dhe Etnografe Krupskaja Veizi. Atë godinë që nga ato vite e njoha mirë. Jo vetëm pjesën e Muzeut Etnografik por edhe pjesën veriore të godinës ku në katë të dytë banonte familja Korabi dhe kati i parë ishte ambjente shërbimi dhe riparimi.
Godina është një e pandarë, është historike, është guri i themelit të Identitetit tonë Kombëtar. Klubi Atdhetar Patriotik Labëria 1908 është pararendësi i Pavarësisë së Shqipërisë i barasvlefshëm me Lidhjen e Prizrenit. Ajo ka qënë dhe është në juridiksionin si pronë dhe Muze të Bashkisë Vlorë. Miratimi nga Këshilli Bashkiak i Vlorës unanim në Mars të vitit 2023 si PS dhe PD i dha të drejtën Ministrisë së Kulturës për ta bërë Muze Hebraik. Pra vendimi ka mbi dy vjet që është marrë, për heqjen nga pronësia e Bashkisë Vlorë dhe dhënies Ministrisë së Kulturës. Nuk ka tymnajë. Specifikimet teknike të projektit duhet të jenë në Tiranë, aty është bërë vendimi përfundimtar.
Hebrejtë e Vlorës historikisht nuk arritën të bëhen komunitet në qytet sepse numri i tyre nuk ishte më i madh se 10-15 familje. Familjet e tyre kanë jetuar me ne sëbashku shekuj me radhë. Në studimet e mija për Luftën Kombëtare të Vlorës në 1920 del vlonjatohebreu Josef Kantos lindur në Vlorë në 1885-1960, një ndër protagonistët e luftës me financa dhe me armë në dorë. Në krahë të Abdurahman Çirakut, të Tol Arapit e Qazim Kokoshit. Qytetarët e Vlorës nuk i kanë haruar familjet hebreje edhe në vitet e socializmit ku kanë jetuar, punuar së bashku me ne. Ata kanë pasur edhe varrezat e tyre më kujtohet që i kanë patur diku mbas teatrit “Petro Marko.”
Gjykoj se nuk po kërkohet të ngrihet një Muze Hebraik dhe duhet një godinë sepse sot në Vlorë pranë Xhamisë së Vlorës në qëndër, pranë Sheshit të Flamurit është një shtëpi dy katëshe mjaft e plotë për muze, e hebreut Pepe Levi dhe shumë mirë mund të ishte vendosur ajo, por duhet me patjetër godina e Klubit Labëria ! Përse ?!
Mos dhënia e asnjë informacioni publikut të gjërë tregon se e vërteta fshihet.
Përpara oborit të godinës së Klubit Labëria dhe Muzeut Etnografik po kryen punime të cilat zenë të gjithë pamjen ballore të saj si dhe ngushtëson hapësirën e sheshit funksional të saj. Nga sa është shpjeguar nga Arkitekti Elis Babe edhe brenda mureve të pjesës veriore të godinës ngrihet ndërtesë me lartësi mbi dy kate të Muzeut Etnografik.
Sot ne qytetarët të pa mbështetur nga Shoqata Labëria e cila në çdo reklamë që i bën vetes nuk harron të thotë “Nderi Kombit.” !!!!!!, as shoqata ” Ismail Qemal Vlora”, meqënëse ishte Presidenti i Nderit të Klubit Labëria, as shoqata atdhetare “Vlora” protestuam për mos tjetërsimin e godinës së Klubit Labëria me parullën:
” Muze Hebraik JO !
Muze Labëria PO !
Godina e Klubit Labëria është Identiteti ynë Kombëtarë, nuk është “karakatinë e degraduar”. Përpos të tjerave na fyejnë edhe arsimimin, formimin, traditën e trashëgiminë me fjalën rijetëzim. Jam i bindur se ata që e kanë përdorur nuk ja dinë fare kuptimin.
Eduard Demo.