Grafi,ecejake-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

   GRAFI, ECEJAKE
                         (tregim)  
                              
Nata sonte është hamendja jonë. Me ecejake të pafundme. Pafundësisht retë me mbaresat e tyre herë të kthjellëta, herë mendjelehta na afrohen, na ikin tej. 
Dilo, i ngrysur, afrohet pranë meje.                             
-Mos u mërzit për pakogjë, o mik, mos u mërzit.          
-Si ? Nuk është pakogjë. Çdo ditë një i prapë qëllon njërin prej tyre. Më dhimbsen.
-Edhe mua më dhimbsen. Sidomos po të shoh ndonjërin të çaloj, të mos fluturoj më.
-Katër kanë mbetur. Edhe ata jetojnë me frikë.


Dilo u skuq. Një rremb gjaku nisi t’i rrihte në fytyrë. Fryma e njeriut jeton edhe në pemë – përsiata. 
Jeton në kraharor e ndër gishta. 


Përreth nuk tingëllon asgjë. Asgjëja sonte mban krahëve një pelerinë të grisur resh, mbathur këpucë të shqepura e t’rrjepura hijesh, kollitet. Përtyp farëra yjesh. Pëllumbat, si njëherë e njëherë, të pastër. Në të vërtetë asgjëja qenka rrëmujë e daullshme, pijetorja e peshkatarëve afër nesh me një dritë të zbehtë syri, ca guacka plot leshterikë, të cilat duke i lënë shëndetin valëve kërcejnë në breg.     


-Një i prapë qëllon gjithandej dhe askush nuk ia shkul veshin.              
A mund të jetojmë ne pa një të prapë ? – e ngacmova Dilon.         
-Mbrëmë u ça prita lumore. Ia mbathën njerëzit, qentë, macet afër saj.           
-Po shtëpitë s’ia mbathin dot.Ca shtëpi u përmbytën. 
-Prita nuk çahet vet. E çajmë ne të prapët, o Luar.


Pa prit’ e pa kujtu’, kjo përmbytje marramendase, mua m’u duk se na e  grykosi keqas sonte hamendjen, praj, natën bardhoshe e të errët, të purpurt. E paskemi mbytur vetvetiu vet natën tonë duke heshtur!!!


Po a jeton njeriu pa natë natën?


-Ngadalë do t’i ndijmë rënkimet, ngadalë, Luar.            
-Ndonjëherë rrëmbyeshëm. 
-Shumë rrëmbyeshëm. Po atëhere do të jetë vonë.


Grafitë e reve i duhen tokës. Pëllumbat i duhen qiellit. Në tokë retë lexohen shpejt, ngathëti, pjesë – pjesë, të tëra.Toka u duhet këmbësorëve për t’u mbajtur. Ndonjë frymor hedh shputat mbi shpinë, teksa nxiton, kërrusur nga torbat e ca reve që për veten e tyre s’i çajnë kryt se i rënden shpesh e shumë njeriut. -Pëllumbat kërkojnë fluturimin sa më lart, o Luar.
-E di, e di, por ti i mban në kafaz. 
-Nuk i le mbyllur. Pëllumbat dalin nga kafazi, fluturojnë në kopsht. Pastaj kthehet tek strehëza.


-Pellumbi vdes pa fluturimin. Aty-aty si njeriu. A ke parë ti ndonjë njeri në gulçet e fundit, o Dilo ?
Sa thashë këto fjalë kafshova gjuhën. M’u kujtua djali i tij.
-E shoh përditë një çehre njeriu. Aty mavijoset, aty sikur ngjallet. Si pëllumbat e mi.


Shihja mjegullt, kësaj ndajnate, vinçat tek zgjasnin herë pas here, qafat e tyre poshtë në hambarët e anijeve, me ngarkesa hijerënda, ndonjëherë të fshehta e të rrezikshme. Rreziku çakërqejf livadhis mbi kuvertë. Parafytyroj peshqit tek shkundin luspat e tyre, luhasin bishtin, thithin ajër, u ikin rrjetave të peshkimit. Më braktisi deti mua apo unë nuk kam lindur për dallgë? 


-Pra, si çehrja e njeriut, pak a shumë, është pëllumbi.  -Në të vërtetë, si njeriu. I kthjellët, i zymtë, qetë rrëmbyeshëm.  
-dhe i prapë ndonjëherë. I prapë po jo i lig, o Luar.        -mbrapshtitë e njeriut të qëllojnë, të lëndojnë. Ato të pëllumbit të gërvishin, të skuqin pak.    
-mbrapshtite e njeriut – përsëriti Dilo – të plagosin e shpesh edhe të vrasin.


Sa nisa të dalloj përreth, diku më qartë e diku zbehtë një sy të stërmadh, i cili po kërkonte jo njeriun e zakonshëm por atë të Neanderlandit. Ku e kërkon ky sy njeriun? Në një vend të rraskapitur e megjithatë përhera paqedashës. Një krah fluturues kërkon gishtat këputur nga plumbi. Ç’plumb, o njeri? Këtu, në këtë vend, gjithçka është e urtë, e paqtë, pellgaçe m…


Dilo po ai…I mbrami. E lëshon shpejt veten. Preket lehtë. Nuk duron asnjë të bërtitur. Jeton me pëllumbin, me plot pëllumba. Sa i afrohet ndonjë njeri ai tërhiqet lehtas mënjanë pa i rënë në sy. Dyshon shpesh e shpejt tek tjetri. Fati i tij është pagesa e një vetmie, vetmia e një burri, e një ati. M’u bë se foli.


-Luar, kam frikë…
-Ç’thua, o Dilo?! 
-Më vjen keq për …
-Për veten ? – ia ndërpreva fjalën unë.
-Paksa për veten, paksa…Më vjen keq për pëllumbat. S’kam me se t’i ushqej. Kujt t’ia lë nëse…
-Pakogjë, Dilo, pakogjë… Leri pëllumbat të fluturojnë, mos i mbaj më në kafaz. Le të ushqehen vet. Kudo do ta gjejmë pak ushqim.
-Oooo, ç’më the, o Luar, ç’më the…Më mbulon shpejt dheu po i lashë pëllumbat. Më bëhet sikur përlotet diku im bir.  Po unë me se do ta mbush shpirtin tim pastaj? Me glasat që ata do lënë pas ? Kafazet e braktisur kujt t’ia lë? Të paudhit, pijanikut Zylko t’i djeg e të ngroh shalët e palara?
-Më fal!
Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë Dilon të fliste gjatë. Kaq gjatë e më gjatë se kaq shumë më tepër mund të fliste e fliste vetëm fluturimi. Fluturimi i gjithçkaje mbi tokë e nën tokë. Thuhet se edhe nën tokë fluturojnë … Cilët fluturojnë ?
-Mbaj vetëm kanerinat. Ato kur janë femra jetojnë bashkë në një kafaz.
-E di, Luar, e di. Grindavecë janë meshkujt. Kanerinat nuk e duan të lartë kafazin. Ato fluturojnë horizontalisht, majtas-djathtas. Më humbën dy femra vjet. Pësuan infrakt.
-Tallesh? – shprehu habi Luari.- U bie infrakt  kanerinave? E padëgjuar kjo. Sot e dëgjova.
-Po, po, tremben shumë. Janë shumë të ndjeshme.  Në gusht, kur ti ishe në Bolzano,  i humba 2 kanerina. U ra infrakt nga shkrepja e fishekzjarreve.
– Ooo, përnatë mesnate, shkrepin fishekzjarre në Durrës. 
-Tremben kanerina, fëmijë e të moshuar.
– A ka rend ky qytet, ky qytet i tromaksur?.


Gjithandejmi, çuditërisht, nisi të cicërojë gjithçka. Asnjë brohoritje, asnjë e bërtitur. Asgjë nuk ulërinte, nuk shqyhej. Pëllumbat flinin një gjumë të bardhë. Kanerinat përqafuar me njeratjetrën. Me thonjtë e prerë dukeshin edhe më shpirtbuta. Një fetë limoni e shtrydhur në ujin e tyre përhapte përreth aromë. U pulsonin venat. Zogjtë flinin, po kush cicëronte ende? Hamendja mbante në gjirin e vet një bubullimë gjumashe, e cila e kishte braktisur herët qiellin. Moti i natës po përtërihej. Pemët të dashuruara.Njeriu i dhembshur i pëllumbave I kanerinave po ai ?… Tjetër?.