Bashkim Saliasi

Kur të kollitet daja tre here, do ia thuash këngës!
Zakoni e donte që dhëndëri te njerëzit e nuses të shkonte pas dasme për të marrë të shoqen nga të parët. Nusja sillej te djali me fytyrë të mbuluar me duvak pa parë burrin e saj. Pasi kalonte një farë kohe njerëzit e nuses vinin për herë të parë të krushku dhe priteshin me gjithë të mirat jo vetëm nga i zoti i shtëpisë, por edhe nga gjithë të afrëmit e dhëndërit.
Pasi mbaronin vizitat te njerëzit e afërt të dhëndërrit, i pari i miqve të vajzës i merrte leje krushkut për ta kthyer nusen në të parë. I jati djalit pasi e bisedonte veçmas me të shoqen binin dakortë, që nusja të nisej bashkë me njerëzit e saj në derë të babait për kohën që u caktonin prindërit e djalit.
Për të marrë nusen nga të parët, i zoti i shtëpisë i zgjidhte miqtë më të mirë për të formuar grupin që do të shoqëronin atë për te krushku. Detyrat e anëtarëve të grupit ishin të ndara se kush do bënte dollinë, kush do t’ja thoshte këngës dhe kush do t’ja priste e kush do të merrte vallen etj. Kryetari i grupit i porosiste anëtarët që të kishin kujdes se mos binin pre e savitjes së njerëzve të nuses.
Grupi këtë radhë kryesohej nga daja i djalit pasi ishte më i vjetri në moshë nga gjithë antarët e tjerë të grupit, të tjerët ishin i jati djalit dhe vllazëria.
Pasi ecën nja tre orë rrugë me kuaj anëtarët e grupit që po shkonin te krushku u ulën në hijen e një lisi për të çlodhur kuajt dhe për të ngrënë drekën. Daja i djalit ndau detyrat për secilin anëtarë për muhabetin që do zhvillonin në darkë dhe ditët në vazhdim.
Daja i tregoi atyre një histori të ndodhur vite më parë, kur kishte qënë krushk në një fshat tjetër… Njerëzit e nuses kur shohin dhëndërin me kollaro, zakon që në fshat nuk përdorej, sa hyjnë brenda në shtëpi njëri nga pritësit u thotë krushqeve.
– Mos takuat gjë rrugës një qenë që kishte këputur zinxhirin…
– Krushku, që ishte shumë i zgjuar, ja priti aty për aty.
– Mos ka dal të kërkojë ndonjë buçe… Të gjithë qeshën me batutën e kryetarit të grupit.
Radha i erdhi dhëndërrit. Dëgjo nipshe, -iu drejtua dajua dhëndërit, -ti do ia thuash këngës kur unë të kollitem tre herë. Dakort, -aprovoi dhëndëri. Vuria veshin dajos, – e porositi i jati që këtë radhë ishte i dyti nga anëtarët.
Dhëndërri na kishte shumë emocione dhe ndiqte me vëmendje çdo lëvizje të dajës.
Kur po ngjisnin shkallët, daja u lodh dhe filloj të kollitej… Pa arritur te shkallë e parafundit e zuri përsëri kolla dhe kur arriti në fund të shkallëve u kollit për herë të tretë. Dhëndëri pasi dëgjoj dhe i numëroj tre kollitjet e dajës, dhe sipas porosisë ia mori këngës…
Vjerri që kishte dalë për të pritur miqtë, i drejtohet dhëndërrit me fjalë të ëmbla.
– Po prit mor dhëndër të hyjmë brenda dhe pastaj do këndojmë e do kërcejmë deri nesër në mëngjes.
– Dhëndëri ia priti: -Po ç’fajë kam unë, kur dajua u kollitë tre herë ,… unë ia mora këngës…
Ç’hoqa unë, që u bëra me një mendje!
Vite më parë kur mungonte energjia elektrike shtëpitë e fshatarve ndriçoheshin me bishtuk, kandil apo llampë me vajguri. Ishte pasdite, një e shtune me kohë të bukur. Sapo kishte perënduar dielli, në portën e Qazimit trokiti një udhëtar i veshur xhele-xhele.
Dy qen, njëri më i madh se tjetri, ishin ulur në bishtë dhe ruanin të zotin, që po trokiste në çdo derë. Qazimi që nuk duronte dot as mizën që të fluturonte në oborrin e tij i bërtiti që nga ballkoni shtëpisë .
– Largohu, ç’ kërkon ti aty?
– Afrohu, afrohu se unë që trokita në derën tënde e kam një hall.
– Largohu mos të marrë një dru dhe të fus një dajak të mirë, vazhdoj përsëri në të tijën i zoti shtëpisë.
– Afrohu mor burr se kam një lajm të mirë për ty, nguli këmbë mysafiri.
– Më në fund, kur pa këmbënguljen e mysafirit Qazimi zbriti shkallët dhe hapi portën.
– U përshëndet me mysafirin ftohtë dhe e pyeti se ç’farë kërkonte nga ai.
– Unë dua të më japësh një dele, foli mysafiri.
– Kush je ti, që vjen e më kërkon dele, unë kujt ti marrë dhe jo të të jap ty dele, largohu se do hash një dru dhe shkoi të shkul një hu nga gardhi.
– Qentë iu turrën të zotit të shtëpisë, por zotëria i qetësoi dhe i thotë Qazimit:
– Unë për të mirën tënde e kam, po ti si të duash… Me që erdha po të tregoj se nesër në ora dhjetë komshia me të cilin Qazimi nuk shkonte, mirë do të vdes…
– Ik ore mu hiq qafe, se më mërzite, -i foli Qazimi.
Endacaku u largua qetë-qetë, por Qazimit, i kujtoj, se nesër do shihemi përsëri…
Të nesrmen komshia në ora dhjetë dha shpirt. Qazimi veshët pipëz, por kur dëgjoi se e shoqja e komshis ia dha kujës u bind që endacaku kishte pasur të drejtë. Nuk kaloj shumë dhe endacaku së bashku me dy qentë që e ndiqnin pas dhe nuk i ndaheshin për asnjë moment trokiti përsëri në derën e Qazimit.
– Lepe, u përgjigj nga brenda oborrit i zoti shtëpisë.
– Kur e pa Qazimi, endacakun shqeu sytë i habitur, sesi mbiu para shtëpisë së tij fiks në ora dhjetë që ndërroi jetë komshija.
– Hajde…hajde bujrum!
– Jabanxhiu fërkoi sytë dhe me vete mendoj: – “ a është ky zotëria që më përzuri dje, apo ka ngatërruar shtëpi”?.
– Fillin e mendimit ia preu Qazimi.
– Bujrum mik, – mos qëndro jashtë porte, futi edhe qentë brenda në oborr
– Sa mirë që erdhe! – i tha Qazimi me ëmbëlsi endacakut.
– Hë, të thashë që komshia do vdesi në ora dhjetë. Qazimi, po e vështronte drejtë e në sy!
– Kush je ti që më thuaj dhe e ditke se kur do vdesin njerëzit!
– Unë jam Xhebraili dhe ti nëse je kurioz ta dish se kur do vdesësh më jep delen dhe unë do të tregoj.
– Qazimi pranoi me një kusht që ti mbante shënim, vitin, muajin dhe ditën.
Vitet kaluan shpejtë dhe Qazimi hera-herës shikonte shënimin. Gjumi i iku. Javën e fundit mori kopen e dhënëve, lopë, kal e mushkë dhe i nxorri në pazar. Pazari i eci mirë. Ç’bën mor burrë,- e pyeti gruaja në mëngjes kur po pinin kafe.
-Rri urtë grua, se do t’a tregoj kur të nisem se më shkon tersë.
Atë natë për orë të tëra nuk mbylli sy. Para tij qëndronte fytyra e Xhebrailit.
Hë, -i thoshë Qazimit Xhebrahili, si do të bësh, do qëndrosh, apo do të ikësh?!
Më në fund pasi shiti mall e gjënë, mori gruan e fëmijët dhe drejtë e në aeroport…
Preu biletat dhe me të mbërritur avioni nxitoj të hipte shpejtë e shpejtë.
Pasi u rehatua me gruan dhe fëmijët dhe avioni po fluturonte lartë mbi re. Qazimi po dremiste.
Një e trokitur e lehtë në xhamin e avionit zgjoi Qazimin nga gjumi. Hapi sytë dhe ç’të shohë, përballë qëndronte Xhebraili…
– Edhe këtu më gjete, foli gjithë frikë Qazimi?!
– Hëë …ç’hoqa unë që mezi ju bëra me një mendje dhe ju mblodha në këtë avion. Bëhuni gati se atje në parajsë do të shkoni…
Nga do t’a kthesh kokën, nesër ke radhën!
Ishte dimër, acar. Era e marrë fërshëllente mbi trupin e fukarait. Maleve kishte rënë dëborë dhe degët e pishave ishin mbulluar nga qylymin i bardhë. Fukarai doli anës lumit mos zinte ndonjë peshkë, por i gjithë lumi kishte ngrirë.
Peshqit ishin futur nëpër guva dhe asnjë gjë e gjallë nuk peptinte. Ecte anës lumit dhe i lutej Zotit. O Zot më merrë, përse më lë në këtë jetë, i sëmurë po, fukara po,- e ç’e dua jetën!?
Fliste me vete dhe hidhte sytë rreth e qark se mos e shihte njeri.
– Oh!- tha fukaraja me vehte, -gjersa të shkrijë lumi, fëmijët e mi do vdesin urije. Ecte anës lumit dhe vazhdonte të fliste me vete. Dikur qëndroi dhe ngriti sytë lartë drejtë qiellit. Tej në horizont ju shfaq një fytyrë njeriu me flokë të bardha, që po vinte në drejtim e tij.
– Ç’të jetë, vallë, ky njeri në këtë ditë të keqe, me erë e suferinë?
– Tungjatjeta, – përshëndeti plaku me mjekërr të bardhë.
– Tungjatjeta, – i ktheu përgjigje fukaraja.
Sa të hapësh e mbyllësh sytë moti ndryshoj. Koha u hap dhe dielli ngrohu kurrizin e fukarasë, por stomaku po i grryente nga urija.
– Ç’ hall të ka nxjerrë në këtë qamet, o i biri i Perëndisë, foli plaku me mjekërrë të bardhë.
– E keqja, o lum miku, kam fëmijët pa bukë dhe në magje nuk kisha asnjë grusht miell.
– I sëmurë jam dhe ju luta zotit mbase më merr dhe shpëtoj nga kusuret.
– Qënke njeri i mirë, foli plaku me mjekërr të bardhë, po më pri rrugën para, se do të vijë në shtëpinë tënde. Fukaraja u nisë para dhe plaku pas tij derisa arritën në shtëpinë e fukarasë. Gruaja priste se mos i shoqi i sillte ndonjë peshk për të ushqyer fëmijët, por kur pa burrin pa gjë dhe me një plak mbrapa, u bë xhind…
Nuk e zgjati hapi derën e shtëpisë dhe e ftoi mikun brenda. Gruaja përgatiti kafenë. Plaku duke pirë kafenë i drejtohet fukarait: -Do të ndihmoj të shpëtosh nga vdekja dhe nga fukarallëku, po do ndjekësh këshillat e mija.
– Urdhëro,- e fol zotrote, gjithë sy e vesh fukaraja.
– Shumë shpejtë do shrohesh dhe kur të dëgjosh në fshatrat fqinj se u sëmur filani ti do shkosh dhe do trokasësh në shtëpinë e tij. Mos ki frikë se unë do jem gjithnjë pranë teje, porositi, plaku dhe doli pa u parë.
Nuk kishte kaluar java dhe fukaraja u shërua. Gruaja një pasdite i tregon se në fshatin fqinjë Demir Aga ishte keq. Fukaraja mori shkopin dhe ashtu i veshur keq e keq arriti në shtëpinë e Demir Agaës.
Ç’hoqi fukaraja sa me zi e futën në shtëpi. Fukaraja nguli këmbë që të shikonte të sëmurin, por djemtë e nuset nuk donin që të fusnin një rreckaman në dhomën e tij.
Plaku i dëgjoj kur debatonin dhe bërtiti nga dhoma ku qëndronte shtrirë që ta fusnin atë në dhomën e tij. Pasi u përshëndetën fukaraja u ul te kokë, po ç të shohë! ulur këmbkryq te këmbët e plakut qëndronte xhebraili.
Pasi rrufiti kafen shpejtë e shpejtë fukaraja i tha: -Demir Agaës se shume shpejtë do shrohesh. Ik, – o jabanxhi, shiko hallin tënd, po nuk e shikon ti si është katandisur babai dhe këtë nuk e kanë shëruar mjekët më të mirë dhe do e shërosh ti!?
– Shërbejni babait se për një javë e keni në këmbë, nguli këmbë fukaraja.
Java kaloi shpejtë dhe Demir Aga u shërua. Thirri djemtë dhe pasi ngarkoj mushkat me bereqet dhe mblodhi gjithë veshjet e djemëve e fëmijëve që nuk i vishnin ja çoi fukarait. Nami u përhap në gjithë krahinën dhe fukaraja na u bë zengjinë. Fëmijët u rritën dhe u shkolluan. Demir Aga e bëri mik të shtëpisë për të mirë e për të keq.
Një ditë fukaraja, na u sëmur dhe nuk gjente derman.
Ndaj mëngjezi u shfaq xhebraili dhe qëndroi te koka. Fukaraja shpejtë ndërroi jastëkun dhe çoi kokën nga këmbët. Përsëri xhebraili doli nga koka. Fukaraja e përsëriti disa herë, por xhebrahili gjithë kohës qëndronte nga koka. Pasi u lodh Xhebraili,- i thotë fukarasë: Vendose kokën nga të duash, sot të ka ardhur radha!..
Një mik kam zënë gjithë jetën e jetës!
Shumë kohë më parë tregojnë se burri u martua dhe lindi pesë fëmijë, një djalë dhe katër vajza. Djali si djali i pari i fëmijëve u rrit me pekule dhe babai bëri të pamundurën ta shkollojë dhe ta nxjerrë në jetë duke lënë pasdore vajzat, që ishin shumë punëtore dhe amvisa të mrekullueshme.
Djali pasi filloi punë s’po pyeste më për hallet e shtëpisë. Herëpasëhere sillte në shtëpi gjithfarë shokësh dhe priste dhe i përcillte me të gjithë të mirat. Asnjëherë nuk e pyeste babain se ç’hall kishte familja dhe si i dilnin llogaritë e hyrjes dhe daljes së shokëve të djalit.
Një ditë babai gjeti rastin dhe e pyeti djalin!
-Mor bir, – sa shokë dhe miq ke, që na i sjellë çdo ditë në shtëpi?
-Shumë baba, u përgjigj djali.
-Kanë ndryshuar kohët baba, i thotë i biri, unë kam shumë shokë e miq.
-Po ti babi në jetën tënde sa shokë e miq ke?- e pyeti djali një ditë!.
-Unë kam vetëm një mik, i tregon i ati.
Një darkë babai e thirri djalin dhe i tregoi se kishte vrarë një njeri dhe duhet ta varrosnin pa e marrë vesh kush. Djali u zu ngushtë dhe e pyeti babain se ku ishte njeriu që kishte vrarë.
-Ja,- i thotë babai, – te ai cepi i kasolles është njeriu që unë vrava.
-Djali u afrua ngadalë dhe shikon në cepin e kasolles, një thes gjithë gjak, që qëndronte i varur dhe me grykë të lidhur…
-Duhet ta nxjerrim që këtej bir,- i thotë i ati dhe t’a varrosim diku larg, por na duhen njerëz që mos na diktojë njeri.
-Djali ra në mendime, por babai aty për aty i thotë të birit.
-Ti ke gjithë ata shokë e miq, që ha e pi me ta, lajmëroi të na ndihmojnë, që ta varrosim dhe mos e marrë vesh njeri.
Djali u nis për rrugë dhe trokiti te shoku më i ngushtë. Pasi u rehatua i tregon se si e kishte hallin.
Shoku, pasi u përtyp, gjeti lloj-lloj justifikimesh dhe e përcolli djalin, duke i thënë se nuk të ndihmojë dotë…
Djali trokiti te shoku i dytë, i tretë, i katërt e me radhë dhe në fund u kthye i vetëm në shtëpi, duke u justifikuar para babait se shokët e mijë nuk mundeshin t’a ndihmonin se ishin të zënë me punë.
Mirë bir, – i thotë babai, – shko te filan mik dhe i thuaj, se babai të çon të fala, ai ka vrarë një njeri dhe ka nevojë për ndihmën tënde për ta varrosur. ..
Pa pirë kafenë, miku i thotë djalit: -Çohu bir, se babai yt tani është në siklet dhe të shkojmë e të mbarojmë punë sa më shpejt, pa më pas pimë raki e bëjmë muhabet.
Djali bashkë me mikun rendën për në shtëpi dhe sa hynë brenda, u përshëndetën.
– Miku i thotë babait të djalit: -Ku e ke kufomën, çohu shpejt të mbarojmë punë dhe më pas bëjmë muhabet.
-Ja tek e keni, i tregon babai i djalit që ishte shumë plak dhe nuk mund ta ngrinte thesin që brenda fshihte kufomën…
Djali u afrua dhe kapi thesin për gryke ta hidhte në krah.
Babai urdhëroi!?.
– Ule në tokë, zakoni e do që ta lajmë kufomën dhe më pas ta varrosim.
Djali zbatoi urdhërin e babait dhe zgjidhi grykën e thesit.
-Ç’të shihte, brenda gjendej një goxha dash i bërë gati për hell.
-Merre djalë, fute në hell dhe na shtro darken! – urdhëroi plaku.
Që nga ajo ditë djali mësoi se miqtë e mirë dhe të sinqertë nuk janë ata që hanë e pinë e të bëjnë qejfin, por ata që i njeh në ditë të këqia…