Nuk jam e re-Ariel Bella

Nuk jam e re

Nuk jam e re,
e nuk do të jem kurrë shumë e vjetër,
sepse mbaj me vete
një buzëqeshje fëmije
dhe në shpirt
një ndjenjë paqeje
të një moshe që ikën.
• • •
Kam mësuar të dua pa zhurmë,
kam shkelur në udhë
ku mbeten gjurmë.
Kam mësuar të fal,
të largohem pa urrejtje,
të mbaj në zemër
atë që më bën mirë
e të dëshiroj qetësinë
e çdo fryme tjetër.
• • •
Vitet kanë kaluar mbi mua.
Më kanë prekur pamjen time,
por s’kanë arritur të rrëmbejnë
atë vajzë që ende qesh
kur sheh një lule,
kërcen nën melodinë e preferuar,
numëron yjet çdo natë
e ndjen rrezet e diellit
kur bien mbi fytyrë.
• • •
Ndoshta mosha
është vetëm ajo që koha numëron,
kurse shpirti
ka moshën që dëshiron të ketë.
• • •
Dhe unë kam zgjedhur të jem
gjithmonë pak e vogël,
pak e vjetër,
por me paqen
gjithmonë brenda vetes.