Për trikon time të vjetër-Marash Mirashi

Marash Mirashi

BOTUAR 37 VJET MË PARË

Poezinë e mëposhtme “Për trikon time të vjetër” ma kujtoi miku im i hershëm, bashkëstudenti poet rrebel Ndue Buraku. Atë ditë patëm botuar të dy në të njëjtën faqe të gazetës “Studenti i bujqësisë” të kryeredaktorit të papërsëritshëm më që atëherë Shefqet Meko. Më vonë këtë poezi e pata përfshirë në librin “Viset e dhimbjes”, OMBRA GVG.

PËR TRIKON TIME TË VJETËR

E vesha para shtatë vjetësh në stinën joshëse
kur nëna ma thuri
duke kënduar këngën më prekëse
nga të gjitha këngët e botës.

Tani ajo është holluar dhe grisur tek bërrylat
por unë e ruaj dhe prapë e vesh
jo vetëm me atë dëshirën prej gjimnazisti
për t’u dukur çapkën
jo vetëm se pati sukses herët, shumë herët
tek një vajzë
jo vetëm se më mbajti gjithnjë ngrohtë
poshtë xhakoventos gri…

Por…
Për të mos i njohur nënës
shtatë vjet pleqëri