Arben Zefi, Nga shkolla “Skënderbej” te Oficeri i Marinës dhe më pas te drejtësia Skënderbegas i brezit 1983–1987-Agim Lika

Agim Lika Poet, studiues dhe historian

Ka rrugë që ndryshojnë drejtim, por nuk e humbin pikënisjen. E tillë është edhe rruga e Arben Zefit, skënderbegasit të brezit 1983–1987, i cili nga uniforma e nxënësit të shkkollës “Skënderbej” dhe ajo e oficerit të Marinës do të kalonte në botën e drejtësisë, duke ndërtuar një karrierë mbi tri dekada. Arben Zefi, u lind në Lezhë, më 26 mars 1969. Në vitin 1983 hyri në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundoi në vitin 1987 me rezultate të larta. Katër vitet e shkollës “Skënderbej” ishin më shumë se një etapë shkollimi. Ishin vite formimi. Disiplina, përgjegjësia, bashkëjetesa, përballimi i vështirësive dhe ndjenja e kolektivit do të mbeteshin pjesë e karakterit të tij. Pas shkollës “Skënderbej”, vijoi Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë, ndërsa në vitin 1991 përfundoi studimet dhe u titullua oficer.

Por rruga e tij profesionale do të merrte një tjetër drejtim. Nga uniforma te drejtësia. Arben Zefi zgjodhi të studiojë drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1994 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Për më shumë se 25 vjet, drejtësia do të ishte profesioni i tij. Një periudhë e gjatë, e shtrirë në vite të ndryshimeve të mëdha të sistemit juridik shqiptar. Në vitin 2014 u emërua kryetar i Gjykatës së Shkodrës, detyrë që e ushtroi deri në fund të vitit 2019. Në korrik 2020, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Arben Zefi u largua nga detyra e gjyqtarit. Por jo nga drejtësia. Po atë vit u regjistrua si avokat pranë Dhomës së Avokatisë Shkodër dhe vijoi profesionin në fushën juridike. Kështu, një kapitull u mbyll, por rrugëtimi profesional vazhdoi në një tjetër formë. Përtej profesionit Arben Zefi është bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve. Bashkëshortja e tij ka shërbyer për 25 vjet si Avokate e Shtetit. Vajza vijon studimet në Universitetin e Padovës, ndërsa dy fëmijët e tjerë ndjekin gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Pas profesionistit qëndron familja; pas karrierës, jeta. Një emër në kujtesën e brezit Por Arben Zefi nuk është vetëm një biografi profesionale.

Ai është një pjesë e historisë së brezit 1983–1987. Një brez që hyri në shkollën “Skënderbej” në një kohë dhe doli prej saj në prag të një Shqipërie që do të ndryshonte rrënjësisht. Më pas, rrugët u ndanë. Disa mbetën në ushtri. Të tjerë u drejtuan nga arsimi, administrata, drejtësia, biznesi, policia apo profesione të tjera. Por një gjë mbeti e përbashkët: kujtesa e shkollës “Skënderbej”. Bankat, konvikti, stërvitjet, uniforma, miqësitë dhe vitet e rinisë krijuan një lidhje që nuk u shua kur secili mori rrugën e vet. Prandaj, kur shkruajmë për Arben Zefin, nuk shkruajmë vetëm për një gjyqtar apo avokat. Shkruajmë për një skënderbegas. Për një djalë që hyri në shkollën “Skënderbej” në vitin 1983, doli prej saj në vitin 1987, u bë oficer, zgjodhi drejtësinë dhe ndërtoi aty një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Nga banka e shollës “Skënderbej” te drejtësia. Nga uniforma e oficerit te gjygjtari dhe toga e avokatit. Nga rruga individuale te kujtesa e një brezi. Ky është rrugëtimi i Arben Zefit. Dhe kjo është arsyeja pse emri i tij meriton të ruhet në kujtesën e skënderbegasve të brezit 1983–1987. Sepse profesionet ndryshojnë, rrugët ndahen, koha kalon. Por ajo që bashkoi një brez në rininë e tij, mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së tij.