Vështrim mbi poezinë “Ishmi pas vitit 1991”të autorit Agim Lika
Nga Prof. Dr. Jaup Zenuni
Poet, studiues dhe historian
Kjo është një poezi me karakter të theksuar memorialistik, atdhetar, meditativ dhe qytetar, ku përvoja e emigrimit pas vitit 1991 shndërrohet në një reflektim më të gjerë mbi raportin e njeriut me vendlindjen, kujtesën, tokën dhe rrënjët.
Tema qendrore:
Tema themelore e poezisë është ndryshimi i jetës së Ishmit pas vitit 1991, veçanërisht për shkak të emigrimit dhe shpërnguljes së një pjese të madhe të banorëve, por edhe për shkak të ndryshimeve ekonomike, shoqërore dhe urbanistike që kanë prekur krahinën.
Megjithatë, emigrimi nuk është qëllimi i vetëm i poezisë. Ai shërben si pikënisje për një temë më të thellë: lidhjen e pandashme të njeriut me vendlindjen.
Kjo ide shfaqet që në vargjet:
“Por, rrënjët, në vendlindje thellë mbetën”
dhe rikthehet në forma të ndryshme gjatë gjithë poemës. Pra, edhe kur njeriu largohet fizikisht, identiteti i tij vazhdon të jetë i lidhur me tokën prej nga ka ardhur.
Kjo është edhe boshti më i fuqishëm semantik i veprës: ikja nuk e anulon përkatësinë; largësia nuk i këput rrënjët.
Motivi i “rrënjës” si simbol qendror
“Rrënja” është simboli kryesor i poezisë. Ajo nuk duhet kuptuar vetëm në kuptimin biologjik të pemës. Në tekst ajo përfaqëson: Vendlindjen, familjen, të parët, kujtesën, traditën, gjuhën, historinë, identitetin dhe përkatësinë shpirtërore.
Kjo simbolikë arrin kulmin në fund:
“Por një rrënjë nuk shkulet lehtë,
Kur në tokën e t’parëve ajo është mbjellë”
dhe pastaj:
“Pa kujtesën e ardhmja është vrarë
Dhe pa rrënjë, as pema s’rritet kurrë.”
Këtu poezia kalon nga historia konkrete e Ishmit në një pohim universal për njeriun.
Pra, Ishmi bëhet një rast konkret për të folur për një përvojë njerëzore shumë më të gjerë: çfarë ndodh me njeriun kur largohet nga vendi i origjinës dhe si e ruan ai identitetin e vet.
Përplasja poetike “ikje – kthim”
Një nga strukturat më të bukura të poezisë është kontrasti midis ikjes dhe kthimit.
Në fillim kemi:
“Ikën bijtë nëpër udhë të largëta”
ndërsa më vonë:
“Por kur vjen vera, kthehen sërish”
dhe në fund:
“Nga ikjet dje, te kthimet sot…”
Kjo krijon një lëvizje të brendshme të gjithë poemës:
Ikje → mall → kujtesë → kthim → shpresë.
Kështu, emigrimi nuk paraqitet vetëm si humbje. Ai është edhe një udhëtim që mund të përfundojë në rikthim, qoftë edhe vetëm përkohësisht.
Kjo i jep poezisë një ton më shpresëdhënës, sidomos në pjesën e fundit.
Ishmi si personazh poetik
Një veçori e rëndësishme artistike është se Ishmi nuk mbetet thjesht një vend gjeografik.
Ai personifikohet.
Ishmi: prêt, kujton, flet, përgjigjet, ruan historinë, mban rrënjët, bashkon bijtë.
Kjo është veçanërisht e dukshme në vargjet:
“Atëherë do t’flasin rrugët e vjetra
Do t’flasë toka që priti në heshtje
Do t’flasë kalaja, deti dhe era
Ishmi do t’përgjigjet: ‘Këtu është rrënja që deshe’”
Këtu kemi një personifikim të fuqishëm poetik. Vendi merr zë dhe shndërrohet në një qenie që komunikon me bijtë e vet.Dhe kjo sipas mendimit tim është ndër pjesët më artistike të poezisë.
“Nëna” si figurë e vendlindjes
Një tjetër figurë e bukur është krahasimi:
“Si nënë që pret fëmijët kur shkojnë”
Toka shndërrohet në nënë, ndërsa bijtë e Ishmit bëhen fëmijët e larguar. Ky është një motiv i njohur në poezinë shqiptare, por këtu funksionon mirë sepse lidhet natyrshëm me temën e emigrimit.
Në këtë mënyrë krijohet një treshe simbolike:
toka – nëna – vendlindja.
Kjo trini bashkon në një ide të vetme thelbin e lidhjes me vendlindjen: Vendi prej nga kemi ardhur na pret edhe kur largohemi.Kujtesa si kundërpeshë ndaj kohës
Poezia ka një dimension të fuqishëm memorialistik.
Kjo duket në vargjet për: Shtëpitë e vjetra, themelet, varret e të parëve, arat, rrugët e vjetra, kalanë, zakonet, këngët, dasmat, traditat.
Veçanërisht i rëndësishëm është ky pohim:
“Por, ndërtimet e kohës së vjetër
Duhen ruajtur si dëshmi e asaj që s’kthehet më”
Këtu poezia fiton një dimension kulturor dhe qytetar.
Nuk kemi më vetëm mall për vendlindjen. Kemi një apel për ruajtjen e trashëgimisë.
Zhvillimi dhe ruajtja e traditës
Pjesa që trajton Gjirin e Lalëzit dhe zhvillimin e zonës është e rëndësishme sepse sjell në poezi një problem bashkëkohor:
“Se zhvillimi nuk është vetëm ndërtim
As rrugë, as hotel, as pasuri
Ai duhet të ruaj tokën, jetën si kujtim
Historinë, natyrën dhe traditën në gji.”
Kjo është një tezë qytetare e shprehur në formë poetike.
Autori nuk e kundërshton zhvillimin në vetvete. Përkundrazi, teksti pranon rrugët, bizneset, shërbimet, vilat dhe ndryshimet ekonomike. Por kërkon që zhvillimi të mos bëhet në kurriz të:
tokës + historisë + natyrës + kujtesës + traditës.
Kjo e zgjeron ndjeshëm fushën tematike të poezisë.
Kontrasti mes së kaluarës dhe së tashmes
Poezia ndërtohet shpesh mbi një sistem kontrastesh:
E kaluara .E tashmja.
Arat punoheshin .Ferrat kanë pushtuar tokën.
Shtëpi plot .Shtëpi të zbrazëta.
Shumë fëmijë .Më pak fëmijë.
Puna bujqësore .Emigrimi.
Zakone të përditshme Ndryshime të mëdha shoqërore.
Shtëpitë e vjetra. Vila e resorte.