



Monologu i Birit . Dorëzuar mes gërmadhave të oborrit
Skena është plotësisht e heshtur. Dëgjohet vetëm zhurma e erës që përplaset pas mureve të shembura dhe mbetjeve të mureve të nxira nga tymi. Në mes të oborrit ndodhet një djalë i ri, me rroba të pluhurosura nga rruga e gjatë. Ai shikon për rreth, me sy të mbytur nga lotët, duke prekur një tra të djegur të shtëpisë.
Nuk ka mbetur asgjë…, asgjë nga ajo që lashë.
(Gjunjëzohet ngadalë, prek tokën me pëllëmbë)
Ky pluhur që kam në duar kjo erë shkrumbi që më djeg në fyt ishte shtëpia jonë. Këtu ishte oda, këtu ishte pragu ku rrinte im atë. Tani ka mbetur vetëm hiri. Edhe qielli sipër nesh duket i vdekur, i zi nga tymi që la pas lufta.
(Kthehet nga ana tjetër e oborrit, me zërin që i dridhet nga dhimbja dhe tmerri)
Shikoje shtëpinë… O Zot, shikoje shtėpinë.
Kafshët tona ato krijesa të urta që na mbanin gjallë, që nuk i bënë keq askujt… janë vrarë e lënë në baltë. Të sakatosura nga plumbat, të kalbura nën këtë diell lirie që mban erë vdekje. Çfarë faji kishin ato?! Çfarë faji kishin njerëzit tanë që ranë nëpër këto gërmadha e nuk u ngritën më? Sa emra shkrova në listat e Kryqit të Kuq… sa net kalova me veshin pas radios duke pritur një zë… një sinjal… një shenjë që dikush nga gjaku im shpëtoi nga ky ferr!
(Bën disa hapa prapa, i dëshpëruar, duke vënë duart në kokë)
Kam ecur me ditë të tëra nëpër rrugë të shkatërruara, me mallin që më bënte gropë në kraharor. Çdo hap që hidhja, thosha me vete: “Vetëm të jetë gjallë… vetëm Nënën të ma ketë kursyer ky plumb i zi.” Por këtu… këtu paska mbetur vetëm heshtja. Një heshtje e tmerrshme që të çan veshët.
Kush do të më presë tani? Kush do t’i fshijë këta lot?
Papritmas, ai ndalon. Shikon drejt skajit të oborrit, ku midis mureve të rrënuara po lëviz një hije. Është një grua e moshuar me shami të zezë, me duart e ngrira që po lëviz një gur të madh. Ai ngrin, sytë i zmadhohen
Nuk po shoh ëndërr… Jo, nuk mund të jetë lojë e mendjes sime të lodhur!
Ajo shami ajo ecje e vrarë nga vuajtja…
Zëri i ngrihet nga një pëshpëritje në një britmë që thyen heshtjen e fshatit
Nënë?! Nënë, a je ti?! Nënë, a je gjallë?!
Ai nis të vrapojë me tërë forcën e tij drejt saj, duke rrëzuar gurët e djegur nën këmbë
Nënë! Mos i prek më ata gurë! Shiko djalin tënd! Shiko birin tënd që u kthye! S’ka rëndësi shtëpia, s’ka rëndësi asgjë në këtë botë…
Ne jemi gjallë, nënë! Ne jemi gjallë!
(Bie në gjunjë para saj, duke e përqafuar fort rreth belit, ndërsa skena mbulohet nga drita e ngrohtë e një fillimi të ri)
Nëna kishte humbur 4 djemtë e saj dhe njeren prej zonjave te shtëpisë,njeri prej dy djemve ushtar,i jepni forcë kurajo Krenari nje Nëne nje Babai DHE shpirti i tyre i vrarë.
Vëllait tim Zaimit dhe Reshatit pas kthimit nga Fronti i Luftes per tu takuar dhe rikthyer prap në Front.