Inteligjenca Artificiale – Manushaqja e re e njerëzimit-Reuf Mukaj

Poezi nga libri Bashkebisedim me Mira Muratin. AUTOR , REUF. MUKAJ.

Dua të shkruaj për këtë arritje të shkencës.
Për mua, ajo është si një manushaqe, që lajmëron pranverën për njerëzimin.

Unë do të flas si njeri, si poet,
sepse shkencën e bën më së miri Mira Murati,
me të tjerë mendje të ndritura!

Edhe lulet kur çelin, edhe dallëndyshet kur shtegtrojnë,
jo të gjithë i presin me gëzim.
Ata që s’kanë punë me stinët…
Kush janë? Politikanët dhe miqtë e tyre oligarkë.

Ata thonë: “Stinët i bëjmë vetë, ose i gjejmë atje ku janë,”
duke i rënë globit vërdallë.
Nëse u thua: “Erdhi si një lule,”
as kjo nuk u hyn në punë as atyre, as qenve të tyre.
Sepse aromën e luleve e ndjen shpirti, jo shqisat.

Kjo risi shkencore, për mua si poet,
është sistemi i ri për njerëzimin,
jo ai që çirren më të fortët e botës.

Deri këtu njeriu arriti:
të shkatërrojë me luftëra shtete të tëra,
dhe kur s’u ngop, iu kthye klimës.

Për shekuj e mijëvjeçarë,
njerëzimi klimën dhe ushqimin e kishte bio.
Prandaj u shtua kaq shumë,
sa sot thuhet: “Nuk na hyn më në punë…”

Dikur njerëzit duheshin.
Shkonin në dasma e gostira me shpirt të pastër,
ashtu si në kisha e xhami.
Njëri-tjetrin e ndihmonin në nevojë.
Nuk bënin sehir që lopës së vëllait i ngordhi,
por nga kopeja e tyre ia zëvendësonin me dashuri.

Në lëndina të pafund kënaqej syri.
Vashat mblidhnin lule kudo,
në qytet e në fshat.
Me to flisnin, me to ëndërronin princin.

Koha ecte, shkenca dhe shoqëria zhvilloheshin.
Por njeriu, duke ndryshuar veten,
po ndryshonte dhe sjelljen.

Po zvogëlonte parcelat me lule.
Edhe trëndafilat rreth shtëpisë i quante jashtë mode.

Me se po zëvendësoheshin lëndinat, kopshtet, parqet,
dashuria për njeriun?
Me një fjali të vetme:
“Të gjitha janë jashtë mode, për sistemin që po ndërtojmë.”

Po ndërtojmë njeriun e ri –
ai do të jetë lëndina, kopshti dhe parqet me lule,
sepse toka tashmë është për më të fortët.

Ky sistem u pa me mijëvjeçarë.
Tani po ha veten.
U doli boja gënjeshtrave dhe premtimeve.

Tani neve, njerëzve të ditur
– por mbi të gjitha të mirë –
na erdhi për të na shpëtuar Inteligjenca Artificiale.

Boll më me njerëzit me dy këmbë:
kriminelë, sharlatanë, të korruptuar,
që na mohuan oksigjenin dhe erën e luleve.

Ky është sistemi i ri që njerëzit prisnin.
Ai nuk vjen nga goja e të korruptuarve dhe batakçinjve.
Jo, jo.
Njerëzimi do të shpëtojë –
dhe duhet ta pranojë me dashuri këtë ndryshim.

Unë i uroj mirëseardhje këtij sistemi,
që do të na japë pavarësi,
më shumë lule,
dhe më shumë parqe!