Mos e rëndo dhimbjen me mosbesim-Matilda Babo Pali



Mos e rëndo dhimbjen me mosbesim,
S’jam unë skllave për çdo paragjykim.
Krenare qëndroj, nuk e shes dinjitetin,
As për dyshime s’e ul veten, as shpirtin.

Jam ajo që dua të fal vetëm ngrohtësi,
S’mbaj në zemër as helm, po as pabesi.
Mos më ngatërro kurrë me lojërat e tua,
Se s’jam vegël në duart e kujtdo që dua!

Sa lehtë gjykojnë ata që nuk duan të dinë,
E shpikin fajin, pastaj kërkojnë pafajësinë.
Dhe me dyshime ndërtojnë pallate në erë,
Veten të mençur, të tjerët i duan të mjerë.

Unë s’jam peng i intrigës, as i armiqësisë,
S’bëhem viktimë e skenarëve të pabesisë.
Kush s’don të besojë, le të rrijë në dyshim,
Unë s’e bëj karakterin kurban për miratim!

Kam fituar me penë atë që s’blihet me ar,
Një emër të ndërtuar, jo një maskë ziliqar,
Le të flasin dyshimet, zëri i tyre të buçasë,
S’kam lindur të ul kokën, kaloj çdo pengesë.

Le të fryjnë furtunat, le të buçasë çdo stuhi,
Unë s’e shes krenarinë për një grimë qetësi,
S’ulem para padrejtësisë, për hatër të askujt,
Kam shpirtin tim kështjellë s’ia dorëzojë kujt.