Tinguj qetësues-Silvana Çekiçi Rodi

TINGUJ QETËSUES

Shiu i vjeshtës troket mbi gjethet në pemë
si gishtat mbi pianon e vjetër
ndërsa rruga e lagjes e pa asfaltuar
pi në heshtje lotët e qiellit.

Çdo pikë është një kujtim,
një yll i fikur në qiellin e së shkuarës.
Simfonia e shiut më hap portat e nostalgjisë,
heshtja flet me gjuhën e lotëve

Kujtimet, si ylberë të lagur,
rilindin ngadalë nën mantelin e vjeshtës,
Me ngjyrat e ngrohta pikturon buzëqeshjen
si lule që çelin në kopshtin e zemrës

Në xhamat e mjegulluar vallëzon drita,
era përkund degët me mall të pashuar
dhe shiu, me tingujt e tij të butë,
ma kthen rininë në prag të një mbrëmjeje.

E dëgjoj dhe zemra më qetësohet,
sikur koha ndal hapin për një çast,
çdo pikë më pëshpërit se asgjë s’humbet,
kur dashuria ruhet thellë në shpirt.